Një vorbull e ngrohtë rrëfimi akustik mbështjell publikun e Metropolit duke i grishur memorien... Kur diku, për të rinjtë e viteve ’90, në Shqipërinë me një këmbë ende në diktaturë, muzika rock dhe grunge regjistrohej nëpër shirita kastesh e u vishej shpirtrave fshehurazi si të qe xhaketë e përkohshme lirie...
Është paradhoma, memuaristike e shpirtërore që nxiti violonçelistin dhe kompozitorin Redi Hasa të krijonte albumin e tij të dytë ‘My Nirvana’, i frymëzuar nga muzika e grupit të drejtuar nga Kurt Cobain, po me melodi tërësisht të personalizuara..., të cilat i prezanton në takimin e parë të ‘Metrosound’ nën kurimin e Rubin Beqos.
Pas suksesit gjatë turneve një vjeçar të mbajtur pas daljes së albumit, artisti vjen në Tiranë me mikun e tij, muzikantin Valerio Daniele, i cili ka bërë dhe regjistrimin e albumit “My Nirvana”... Janë miq e bashkëpunëtorë prej 20 vitesh.
Por, Redi Hasa, nuk harron miqtë e vjetër. Ka dashur që këtë mbrëmje ta ndajnë edhe në performancë me artistin Bojken Lako, bashkëthemelues të grupit ‘Fish Hook’, në të cilin performonte me basin e tij elektrik, të vetmin në Tiranën e asaj kohe.
Redi Hasa është një nga violonçelistët më në zë shqiptar. Ai është pjesë e grupit Ludovico Eiunadi dhe ka pasur një sërë bashkëpunimesh të suksesshme. Si kompozitor e performues po prek kulminacione artistike, duke mbërritur edhe në çmimet ‘Oscar’.