Nikollë Lesi dhe Ilir Meta

Politikë

Reeker shmangu Metën gjatë vizitës, Nikoll Lesi këshillon presidentin: SHBA të vuri vizën, po shko kërko falje e mos u merr me Berishën

1 Korrik 2021, 13:35| Përditesimi: 1 Korrik 2021, 13:39

  • Share

Nikoll Lesi, ish-bashkëpunëtori i ngushtë mediatik për shumë vite i Ilir Metës, ka bërë një shkrim, në të cilin komenton përse Meta u injorua nga Philip Reeker gjatë vizitës së tij në Tiranë.

Sipas Lesit, amerikanët i kanë vënë vizën Ilir Metës, pas sulmeve ndaj ambasadores Yuri Kim.

Ai e këshillon Metën të kërkojë falje e të distancohet nga Sali Berisha, ndryshe do të ketë probleme me amerikanët.

Lesi e thumbon Metën edhe për ata që e këshillojnë, duke thënë se Meta i do njerëzit thjesht si shërbëtorë, por si shërbëtor nuk pranon asnjeri të punojë me të.

Pjesë nga shkrimi i Lesit

Ndihmëssekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, vizitoi dje Shqipërinë. Ai u takua vetëm me kryeministrin Rama, kryetarin e PD-së Basha si dhe me disa ministra e zyrtarë të lartë. Si rregull e si protokoll një zyrtar kaq i lartë amerikan kur vjen në një vizitë të tillë zyrtare takon së pari kryetarin e shtetit, pra Presidentin e Republikës. Por Ilir Metën e përjashtuan nga agjenda e takimit me zyrtarin amerikan. Edhe justifikimi i ambasadës amerikane në Tiranë, pyetur nga “Zëri Amerikës”, ishte me ironi për Presidentin e Republikës.
Nënteksti ishte se nuk donte ta takonte Metën.

Dhe kjo nuk është diçka e mirë, natyrisht për fatin e Ilir Metës. Mesazhi amerikan ishte ulur këmbëkryq në oborrin e presidencës!

SHBA mbetet shtet lider në botë në raport me fuqinë ekonomike, ushtarake dhe si vendi lider në raport me Demokracinë. Ndaj politikanët shqiptarë që nga koha e presidentit të parë pluralist, Sali Berisha e deri më sot, të gjithë, turren ta kenë mirë me Uashingtonin zyrtar.

Por në rastin e djeshëm kur Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, nuk preferon të takojë Presidentin e Republikës, mbetet diçka jo pozitive për karrierën e Ilir Metës.

Reeker pati mundësi të takonte ministra dhe zyrtarë të tjerë e nuk kishte kohë të takonte kryetarin e Shtetit!

Kjo nuk ka nevoje per koment!

Ilir Meta është një politikan i vjetër, profesionist dhe që njeh sfidën politike. Por në rastin e sulmit ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim në një emision televiziv dy ditë para ditës së zgjedhjeve politike të 25 prillit, Presidenti Meta gaboi.
E para se taktikisht i dha pikë kundërshtarit të tij, Edi Rama ta shfrytëzonte këtë përplasje publike me ambasadoren se “amerikanët janë me Edi Ramën”. Dhe e përdori mjeshtërisht, kryeministri.

Së dyti, Presidenti Meta që është dalluar historikisht për luajitet dhe durim, në atë emision pamë se nuk ishte më Ilir Meta që njihnim.

E treta, nuk kishte pse bënte publike se amerikanët e kanë kërcënuar, pasi kjo tregon dobësi ose duket se ka diçka të vertetë.

E fundit, bisedat dhe sms-të janë gjithnjë personale dhe nuk kanë pse bëhen publike.

E aq me tepër me ambasadoren amerikane!

Prapë SHBA të dha mundësinë, zoti President, të kuptonit se keni bërë një gabim të madh, por që mund ta korigjonit. Dhe si? Ilir Meta mund të dilte në deklaratë publike dhe të kërkonte falje për ato çka tha kundër ambasadores. Ilir Meta njihet për lidhjet e dikurshme amerikane dhe ishte ndër emrat që ato po ndihmonin, dikur. E priti vetë Presidenti Xhorxh Bush (i riu) në vitin 2001. Ishte i ftuari i Uashingtonit disa herë. Por që nga koha e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, sikur iu vënit Uashingtonit.
E megjithatë në politikën e lartë duhet të kesh nerva çeliku, vizion dhe natyrisht korrektesi. E me sa duket këto të parat, pra “nervat”, e lanë Presidentin.

Shkarkimi që i ka bërë parlamenti, një parlament faqezi dhe pa legjitimitet kushtetues, nuk ka ndikuar fare në mos futjen në agjendë takimi zyrtar me zotin Reeker. Ata, amerikanët, kur duan të të ndihmojnë apo kanë besim, vijnë dhe të takojnë. Bile jepnin mesazh për politikën, sidomos për qeverinë, se “ky njeri nuk preket, pra nuk shkarkohet”. Pra nëse Reeker e takonte dje Presidentin, ishte e padiskutueshme se po i thoshte mazhorancës se “keni gabuar”. Dhe ishte një shkelje syri për Kushtetuesen se KINI KUJDES!

Ilir Meta nuk u mjaftua me gabimin e parë, por e trashi zullumin e tij me Amerikanët. Goditi pa asnjë hezitim dhe pa mëshirë sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken.

As ministri i jashtëm rus Lavrov nuk do të kishte guxim ta bënte!

Presidenti Meta tha se “Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit”. Bile Meta e katranosi fare kur shtoi se ““ky është një akt i shëmtuar, i poshtër e i pabesë që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”. Por atë e kishte firmosur Sekretari Amerikan i Shtetit!

Dhe në Kongresin Amerikan, Blinken, pyetur nga një kongresmen tha se kemi dosje dhe gjithçka të dokumentuar për Vendimin për ish-kryeministrin shqiptar, Berisha.

Ilir Meta harroi shprehjen popullore se “më mirë një Mik, se sa një çiflig”. E në këtë rast Miku është SHBA dhe “çifligu” i bie të jetë Saliu.

Ilir Meta ka gjithë të drejtën e Zotit për çka ndodhi me zgjedhjet e 25 prillit 2021. Por nuk kishte pse sulmonte numrin një të diplomacisë boterore për llogari të ish-kryeministrit Berisha. Aq më tepër duke e quajtur “fletërrufe” vendimin e sekretarit Amerikan të Shtetit!

Shumë analistë pas këtij sulmi direkt të Ilir Metës ndaj zotit Blinken thonin se nëse do ishin në role të kundërta, pra Berisha President dhe Meta nongrata nga DASH, a do ta mbronte Berisha, Metën?
Dhe përgjigja mbetet “JO”!

Atëhere pse Meta doli kundër politikës zyrtare të SHBA?!

Ata, amerikanët, nuk i janë përgjigjur akoma sulmit të Metës. Por ata “përgjigjen” ngadalë, me qetësi e pa asnjë nxitim. Ndaj janë supër shtet.

Ilir Meta ka të drejtë kur lufton për Kushtetutën. Dhe ka bërë betejë epokale. Dhe është mbështetur nga media e pavarur. Por kur ai don të luftojë me “mullinjtë e erës”, është më mirë të lihet të luftojë i vetëm!

Ilir Meta ka një gabim të madh; dikur punonte me ekip, me bashkëpunëtorë, dëgjonte e dëgjonte dhe më pas fliste. Ka disa kohë që ai nuk do më bashkëpunëtorë parimesh, (kur ka të tilla), por i do vetëm shërbetorë!

Shërbetorë nuk pranon njeri, zoti President!

Ndaj dhe ka hyrë, Ilir Meta, në zonë të akullt me Amerikanët. Por SHBA janë garancia për shqiptarët në Shqipëri dhe në Rajon; ata janë mbrojtësit më të mirë dhe të sigurtë të interesave strategjike shqiptare.

Presidenti Meta ka vetëm një zgjidhje: t’i kërkojë falje Uashingtonit.

Ilir Metës i duhen këshilltarë seriozë, me personalitet dhe jo emra që nuk thonë atë që mendojnë. Nëse flitet për llogaridhënie prej katër emrave të politikës kryesore që kanë bërë Ligjin këto 30 vite, pa dyshim që Ilir Meta rënditet i fundit. Ai ka qenë vetëm dy vjet e pak muaj kryeministër. Para tij në radhë janë Edi Rama (8 vite kryeministër e do të jetë edhe 4 vite; në mos me shumë), Sali Berisha (8 vite kryeministër) dhe Fatos Nano (5 vite kryeministër e pak muaj).

Por nganjëherë, për dreq, kur nuk e ke mirë me ata përtej Oqeanit apo kur pickohesh vetë, lista edhe përmbyset! I fundit kalon i pari!

Dhe të tre të tjerët fërkojnë duart, se thonë “ne shpëtuam”!/TEMA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?