Referenca s’i ndalon qytetarët t’i shesin shtrenjtë pronat! Niko Lera: E domosdoshme, njohja e vjetërsisë me 1% çdo vit

23 Janar, 17:11| Përditesimi: 23 Janar, 17:15

  • Share

Tirane- Një ndërtim i vitit 2000 nuk mund të ketë të njëjtën vlerë në shitje si një objekt i vitit 2024. Mbi këtë argument është vendosur edhe njohja e amortizimit në çmimin e banesave me 1% për çdo vit vjetërsie. Mënyrën se si do të funksionojë skema e referencave të reja dhe si do të paguhet tatimi 15% nëse shet banesën e ka sqaruar për Report TV Drejtori i politikës fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera.

“Është logjike që një ndërtesë, e ndërtuar në vitin 2022-2023 nuk mund të ketë të njëjtën vlerë me një ndërtesë të vitit 2000 apo 2005, sepse teknologjia ndryshon, materialet ndryshojnë, strukturat po. Në varësi të moshës së objektit të kemi një ulje prej 1% në vit. Pra nëse apartamenti që do shisni është i hipotekuar në vitin 2003 dhe është 20 vite e vjetër, nga çmimi i zonës sipas udhëzimit e marrim 1000 euro metri katror, i zbresim 20%, dhe çmimi yt i referencës do jetë 800 euro, dhe nga ky çmim pastaj do të zbritet vlera me të cilin ju e keni blerë apartamentin e do mbahet tatimi 15%”, pohon Lera.

Çmimi i referencës nuk mund të ulet në asnjë rast më shumë se 30%, por njohja e vjetërsisë nuk i ndalon qytetarët që kanë banesa të vjetra t’i shesin edhe më shtrenjtë sesa përllogaritet referenca.

“Ju mund të keni një apartament të ndërtuar në vitin 2020, por e keni modernizuar në një shkallë të lartë dhe nuk vlen 1000 euro metri katror sa është referenca por vlen 3000 euro metri katror. Atëherë ju duke deklaruar këtë kontratë reale, natyrisht do të taksoheni mbi faktin”, sqaron Niko Lera.

Vjetërsia do tu njihet edhe pronave që janë rivlerësuar përgjatë viteve, dhe për të bërë pagesën e tatimit 15% pas shitjes së pronës, do të merret në konsideratë diferenca midis vlerës që ka prona pas rivlerësimit dhe vlerës së shitjes.

“Keni pasur një banesë të themi të vitit 2000, keni bërë rivlerësimin e saj në vitin 2016 dhe nga 400 euro metri katror e keni rivlerësuar në 900 euro metri katror dhe për këtë rivlerësim që keni bërë ju e keni paguar tatimin mbi fitimin kapital sepse ke paguar 3% të kësaj shume. Në një transaksion tjetër që ju mund ta shisni, do merret diferenca mes çmimit të ri me të cilin do ta shisni dhe vlerës referuese. Për shkak të rivlerësimit, të një ligji incentivues është paguar fitimi kapital deri në shumën e rivlerësimit dhe tashmë do të paguhet tatimi mbi fitimin kapital përtej kësaj shume të rivlerësuar”, tha drejtori i Politikës Fiskale.

Lera thotë ndër të tjera, se ka ardhur koha që të mos ketë më ligje për rivlerësim të pronave.

“Tashmë jemi në një fazë ku nuk mund të vazhdojmë të lancojmë më ligje pafund rivlerësimi sepse e kemi denatyruar totalisht këtë kategori të taksimit, tatimin mbi fitimin kapital, dhe nëpërmjet këtij mekanizmi, të gjetjes së vlerës së përafërt të ndërtesave të vjetra dhe pagimit të një tatimi më realist për këto ndërtesa natyrisht që presioni për të bërë ligje të reja rivlerësuese do të bjerë pasi gjithkush do ta kuptojë që po paguan pjesën e tij të ndershme të tatimit mbi fitimet e tij kapitale”, pohon Lera.

Vendosja e çmimeve të referencës dhe ndryshimi i tyre herë pas here sipas Ministrisë së Financave bëhet me qëllim, përafrimin e vlerës së pronës, me çmimet që ka tregu përafërsisht.

“Çmimet e shitjes jo shpesh deklarohen në mënyrë të plotë, jo shpesh janë çmimet e tregut, apo çmimet reale me të cilat shiten. Prandaj Ministria e Financave për të mbrojtur bazën e tatimit dhe për tu mbrojtur përballë spekulimeve e çmimeve të pavërteta vendos disa çmime reference që synojnë të jenë çmimet e tregut, por jo ato maksimale”, u shpreh Niko Lera.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • [email protected]: 06/02/2024 11:44

    posi more.. ca modernizimi qenka nga 1000 ne 3000 Eur/m2 hahahahh e ka bere me krahe si avion dhe iken fluturon ku t'i doje... sa rehat qe jeni... bejeni skemen tamam dhe shikoni me sa po shiten,,, apo ashtu ju leverdis juve... jepuni te hane edhe vleresuesit e pasurive, dhe hetoni mbi postimet qe i mbajne cmimet lart, hetoni me inspektore tatimore si gjithe bota qe bejne evazion fiskal per ate shumen teper qe nuk po deklarojne per taksa ne shtet (qe prape ju do t'i vidhni, e prape ju do i pastroni ne keshtu menyre kukuuuu)

    Përgjigju
  • [email protected]: 06/02/2024 11:10

    po ca dreqin ben ky shtet m** rregullator per kte treg te coroditur? nuk i sheh postimet qe po cahen gjithandej per cmime 1500 Eur/m2 kur referenca nuk eshte eshte as sa per 1000? e perkthyer ne vlere totale gati 35,000 Eur me shume pagese qe behet ne dore???

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?