Vlera e re e pronës në të gjithë vendin me përjashtim të Tiranës, do të njohë një rritje të fortë nga viti i ardhshëm. Prej çmimeve të reja të referencave të pronave që janë hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave, do të ndryshojë edhe vlera e taksës së pronës që do të paguajnë qytetarët për pronën e tyre.
Ministria e Financave pret që vetëm në vitin e parë të zbatimit të marrin 26 milionë euro të ardhura më shumë nga taksat e pronës.
“Taksa e ndikimit në infrastrukturë parashikohet të sjellë një efekt prej rreth 1.8 miliardë lekësh, ndërsa taksa mbi ndërtesën vlerësohet të ndikojë me rreth 868 milionë lekë. Efekti total i pritshëm në të ardhura nga këto dy taksa përllogaritet në rreth 2.6 miliardë lekë”, thuhet në relacion.
Duke qenë se taksa e pronës llogaritet si shumëzim i çmimit për metër katror të njësisë së ndërtesës me sipërfaqen e saj, me rritjen e çmimit të referencës do të rritet automatikisht edhe taksa vjetore e pronës që paguhet.
Kështu, nëse një qytetar ka një banesë 60 metër katror në zonën 10 të qytetit të Durrësit me çmimin aktual referues prej 67.500 lekë/m² vlera e pronës është 4,050,000 lekë dhe paguan 0.05% tatim mbi vlerën ose 2,025 lekë në vit. Me referencat e reja çmimi rritet në 100 mijë lekë metri katror në të njëjtën zonë. Kështu vlera për 60 metrat arrin në 6 milionë lekë, dhe tatimi vjetor prej 0.05% shkon në 3 mijë lekë.
Kjo metodologji do të ndiqet për të gjitha bashkitë e vendit, me përjashtim të Tiranës ku referencat nuk ndryshojnë pasi kanë hyrë në fuqi në vitin 2023. Por reforma me taksimin e pronave nuk ndalon këtu. Ministria e Financave ka theksuar në projektvendim se po hartohet një ‘Reformim i sistemit të taksimit për të gjitha pasuritë e paluajtshme në Shqipëri’, ku pjesë pritet të jetë edhe taksimi më i lartë për shtëpitë e dyta.
Këto masa ndërmerren jo vetëm për të formalizuar sektorin e pasurive të paluajtshme, por edhe për të rritur të ardhurat që vendi gjeneron nga kjo taksë që vilet nga bashkitë. Vjet në total u mblodhën 77 milionë euro nga taksa e pronës, ndërsa për 6 muajit e parë të këtij viti janë mbledhur 47 milionë euro.
Komente
