Për të parën herë që nga rënia e fashizmit në Itali, vendi po përballet me një referendum të diskutueshëm kushtetues, në një Itali të mbingarkuar nga situata e krijuar nga pandemia dhe kriza ekonomike.
Qytetarët italianë do të votojnë këtë të dielë dhe të hënë për të ulur numrin e ligjvënësve në Parlament, reduktim i cili do të prekë edhe dhomën e Senatit.
Propozimi është iniciuar nga lëvizja “5 Yjet”. Italia është vendi me numrin më të lartë të deputetëve të zgjedhur, krahasuar me vendet e tjera në Evropë.
Me nismën e re synohet që numri i ligjvënësve të reduktohet nga 945 në 600.
Synimi është zvogëlimi i shpenzimeve në buxhetin e shtetit, por në fakt qytetarët janë të shqetësuar se kjo gjë mund të rezultojë në përfaqësim më të vogël për minoritetet.
Reforma është aprovuar në parlament tetorin e shkuar pasi ishte një nga parakushtet për të formuar qeverinë e koalicionit midis M5S dhe Partisë Demokratike, por është parë me një sy tejet kritik nga analistët, të cilët e shohin thjesht si një përpjekje boshe.
Kjo reformë kushtetuese zbulon krizën e thellë me të cilën po përballet demokracia përfaqësuese në Itali.
Megjithatë ajo lë shumë çështje të pazgjidhura siç janë nevoja për një ligj të ri zgjedhor dhe një reformë më të gjerë të funksionimit të parlamentit.