Referendumi i 18 dhjetorit, anëtarja e Kryesisë së PD: Trik i Berishës për të tërhequr vëmendjen! Kadilli: Basha të japë dorëheqjen, SHBA nuk e sjell në pushtet

16 Dhjetor 2021, 18:22| Përditesimi: 16 Dhjetor 2021, 18:45

  • Share

TIRANË-  Më pak se 48 orë na ndajnë nga 18 dhjetori, dita kur do të mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha dhe njëkohësisht edhe referendumi i thirrur nga Sali Berisha për të ratifikuar shkarkimin e kryedemokratit. Për të diskutuar mbi këtë temë të rëndësishme, e ftuar në ‘Studio Live’ në Report Tv, anëtarja e Kryesisë së PD-së, Taulanta Jupi tha se më 18 dhjetor do të mbahet vetëm Kuvendi, ndërkohë që sipas saj referendumi është një trik për të tërhequr vëmendjen e anëtarësisë.

Përballë gazetarit Arbër Hitaj, anëtarja e kryesisë tha se mbështetësit e Berishës kanë planifikuar çdo detaj për organizmin e referendumit, ku do të nxjerrin si rezultat miratimin e shkarkimit të Bashës, por kjo nuk do të njihet nga PD-ja zyrtare, ku theksoi se fletët e votimit nuk kanë dalë nga institucioni i partisë.

“Referendumi i të shtunës është një trik për të tërhequr vëmendjen e anëtarësisë nga Kuvendi liegjitim i datës 18. Do nxjerrin një rezultat, që duan dhe Basha do shkarkohet, do jetë vetëm një lëvizje, sepse numrat i trembin”, tha Jupi.

Ish-kandidati për kryetarin e PD-së, Fatbardh Kadilli tha se Partia Demokratike nuk do të vijë asnjëherë në pushtet nëse në krye ka Lulzim Bashën, sipas tij, ky i fundit duhet të tërhiqet nga drejtimi i partisë. E ndërsa për militantët që mblodhi Berisha në Kuvend, Kadilli thotë se ata demokratë duan ndryshimin, por jo Sali Berishën.

“Unë nuk besoj se ka njeri në Shqipëri se beson se Basha ka mundësinë zotësinë që të tërheq drejt fitores opozitën. Vetë Basha e di që nuk e bën dot. Berisha po merr energjinë e demokratëve që duan ndryshim. Ata njerëz në stadium duan ndryshimin më shumë se Berishën. Po nuk ndryshuam vetë nuk kemi asnjë ofertë të re për shqiptarët. (...) Basha duhet të japë dorëheqjen. Ky duhet. Është 47 vjeç dhe është më pak fleksibël se Berisha.”, u shpreh  Kadilli në Report Tv.

Për Jupin, 18 dhjetori do të jetë dita që do të konfirmojë Partinë Demokratike si partnere të SHBA-së, por një kundërpërgjigje pati Kadilli, i cili tha se SHBA nuk do ta sjellë Bashën në pushtet.

“Dita e shtunë do të jetë një Kuvend që do rikonfirmojë PD-në edhe njëherë si partnere e SHBA-së dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë”, tha Jupi.

Nuk pres asgjë të rëndësishme, sepse ata që kanë organizuar e kanë organizuar për t’i siguruar Bashës vazhdimësinë politike. SHBA nuk do e sjell në pushtet Bashën, ata janë në Shqipëri për interesat e tyre gjeopolitike”, tha Kadilli.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?