Referendumi që bëhet tani në Itali ndër tjera parashikon edhe të drejtën për kërkuar shtetësinë italiane pas pesë viteve rezidencë!
Disa subjekte politike, politikanë dhe analistët e kanë argumentuar se "nuk dhurojmë shtetësinë" duke aluduar për të huajt që duan me të drejtë shtetësinë italiane!
Po ashtu edhe pse nuk kane argumente bindës thonë se pesë vite nuk mjaftojnë për të qenë i integruar.
Shtetësia italiane në rast të martesës ose "Unione civile" me një shtetas italian mund të kërkohet pas dy viteve nëse nuk kanë fëmijë dhe jetojnë në Itali, pas tre viteve nëse nuk kanë fëmijë, por jetojnë jashtë shtetit ose pas një viti nëse kanë fëmijë së bashku dhe jetojnë në Itali!
Nëse analizojmë kriterin e integrimit rasti i shtetësisë për martesë ose "union civil" nuk është besoj njësoj si me atë që ka pesë vite rezidentë!
Gjithashtu, jam dakord se familja ka prioritet në shoqëri dhe është shumë mirë që merret edhe me pak vite rezidencë shtetësia, por nëse flasim për nivel integrimi sigurisht që nuk mund të krahasohet me të gjithë ata që kanë mbaruar ciklin pesë vjeçar të studimeve të larta (3 + 2) dhe pasi mbarojnë këtë cikël vendosin të jetojnë në Itali, por nuk mund të kenë shtetësinë pa bërë 10 vjet rezidencë në Itali!
Gjithashtu qytetarët e Be-së kanë të drejtë ta kërkojnë shtetësinë italiane pas pesë viteve rezidencë!
Vetëm Ekstrakomunitarët duhet të kenë 10 vite rezidencë pa ndërprerje dhe nëse kanë kriteret e tjera mund të bëjnë kërkesën për marrjen e shtetësisë!
Edhe sikur të bëhet referendumi dhe të kalojë, përsëri edhe nëse kanë pesë vjet rezidencë nuk e marrin zakonisht pa kaluar 7 vite në kohë normale ose edhe 8 vite në kohë të jashtëzakonshme!
Ndërkohë kushdo që ka pesë vite me leje qëndrimi dhe plotëson kushtet ekonomike dhe të banimit ka të drejtë të marr leje qëndrimi të përhershme duke pasur të gjitha të drejtat e tjera me përjashtim vetëm të drejtat politike për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur!
Marrja e shtetësisë është çështje merite dhe vullneti nga kërkuesi! Shumë vende në Europë e kanë tashmë pas pesë vitesh rezidencë të drejtën për kërkuar shtetësinë!
Ndërkohë një pjesë e politikës italiane akoma vazhdon t'a shikojë emigracionin edhe atë të ligjshëm si barrierë sociale.
Referendumi në fakt është forma e drejtpërdrejtë e ushtrimit të demokracisë. Në kohën e Athinës qytetarët e ushtronin të drejtën e tyre me plebishit. Ndërsa sot në format e demokracive Perëndimore e vetmja formë e ushtrimit të drejtpërdrejtë e demokracisë është e drejta për referendum. Vendi që e përdor më shumti referendumin edhe për çështjet thuajse krejt të parëndësishme është Zvicra.
Fakti se në Itali po kërkohet një referendum për çështjet e punës dhe të shtetësisë, ku në fakt nga të dyja preken edhe emigrantët që nuk kanë as të drejtë të votojnë apo të shprehin opinionin e tyre përmes votës tregon qartë fakti se një pjesë e politikës italiane nuk është për një “paqe sociale”.
Tema që lidhen për punën, të drejtat e punëtorëve dhe për ligjin për shtetësinë duhet të ndryshohen përmes ndryshimit të ligjit nga Parlamenti. Megjithatë, një pjesë e mirë e politikës italiane e sidomos ata që kanë edhe shumicën kanë bërë thirrje që ky referendum të mos kalojë. Madje, kanë hipnotizuar se do të prezantohen në Qendrat e Votimit për të tërhequr skedën e votimit, por nuk do të votojnë.
Disa qytetarë të goditur vazhdimisht me propagandë politike nga populizmi sikur gogoli i Italisë janë emigrantët, të ligjshëm dhe të paligjshëm për shkak se referendum parashikon edhe ndryshimet e ligjit për dhënien e shtetësisë kanë shprehur vullnetit për të mos shkuar në votimin e referendumin me argumentin se “nuk mund të dhurohet shtetësia italiane”.
Një argument tjetër është se e Majta italiane e kërkojnë ndryshimin e ligjit të shtetësisë me motivimin se “kështu do të ketë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit të ri në favorin e tyre sa herë të ketë zgjedhje”. As kjo nuk është e provuar dhe nuk ka si mund të provohet. Nuk ka asnjë garanci se cdo “Italian i ri” do të votojë patjetër në zgjedhje të majtën.
Madje shumë emigrantë e sidomos shqiptarët shprehin simpati për partitë e djathta italiane për shkak të lidhjes tradicionale me ideologjinë e të djathtës. Gjithashtu, emigrantët, edhe ata që janë tashmë me shtetësi italiane vazhdojnë të kenë një pjesëmarrje jo të madhe në jetën politike të Italisë apo edhe si votues në zgjedhje lokale ose parlamentare e kjo vjen shpesh për shkak të zhgënjimit që kanë nga politika me vendin e origjinës.
Ky referendum është një rast për një “paqe sociale” dhe shpresat e emigrantët është që ata qytetarë Italian që nuk kanë harruar historinë e tyre dhe që bashkëjetesën dhe diversitetin e konsiderojnë si pasuri dhe jo “rrezik” të shkojnë të votojnë në referendum.
Dhënia e shtetësisë në çdo rast është një çështje e të drejtës dhe meritës dhe jo një dhuratë. Kushdo që plotëson kriteret e përcaktuar me ligj, që ndjehet Italian dhe ka vendosur të jetojë në Itali ka të drejtën e tij e me vullnetin e tij të bëj betimin si “Italian i ri”.
Komente
