Refleksione të ish-të dënuarit politik: Dridhem, kur kujtoj kocka të thyera njeriu, të gjetura andej-këndej, në gropat e malit të Dajtit, në kampin e Ballshit, të Spaçit dhe…

31 Korrik 2022, 10:57| Përditesimi: 31 Korrik 2022, 11:02

  • Share

Kartela të Realizmit të Dënuar dhe Panteoni i Nëndheshëm

Sprovë pas burgut për të tjerë dhe veten 2020

Tim eti, që fitimtarët i hodhën prangat dhe vëllanë e madh ia vranë, edhe pse vëllai më i vogël i tyre kishte luftuar për fitoren. Donin atdheun dhe poezinë. “Trimërin’ e një Ak(c)ili” shkruajti im atë. Nga ata mësova: “na ishte një herë nesër”…

Nënës time, jetimes që u rrit në një familje të pasur me toka dhe nder, por që fitimtarët e persekutuan… Stoike, ajo iu përkushtua bashkëshortit dhe fëmijëve, bëri për ta bukën e jetës…

Edhe mua po ata fitimtarë më hodhën prangat ndër duar, ato të tim eti. Kështu e sundonin vendin. S’kisha me çfarë të mbrohesha, veçse me poezinë, për të cilën më dënuan.

Edës time, edhe ajo vinte nga përndjekjet, gjyshi i saj e përqafoi për herë të fundit me pranga në duar… Bashkë kemi ikur, ajo duke marrë me vete ikonën e Shenjtës tonë Nënë Tereza, mbështjellë me këmishën e djalit. Atjonit tonë, që na pret në të ardhmen plot dritë hyjnore dhe paqe, me atë buzëqeshjen e tij prej engjëlli, që zbukuron ëndrrat e reja.

Kartelat dhe panteoni

Pllaka të kujtesës dhe thasë…!

Duke u endur rrugëve të qyteteve të tjera, mund të jesh i huaj, pelegrin a vizitor, ndoshta në kërkim të ndonjë muzeu a librarie tjetër, teatri a po shëtit i shkujdesur, ndodh të shohësh ca pllaka të vogla mermeri mureve, për anash portave, po dhe mbi rrugën, ku ti po ecën, në të cilat shkruhen se aty ka banuar një njeri i shquar, shkrimtar, shkencëtar, udhëheqës apo pikërisht aty është shkruar një vepër e madhe, që ka bërë epokë.
Ndodh të gjesh dhe vargje nën këmbë, ti po shkel mbi poezinë si mbi ngazëllime. Dhe kujtohesh se ke lexuar për këtë emër të gdhendur aty, ke libra të tij, ndalesh për pak çaste. Mes njerëzve i lutesh atij që ndodhet më pranë që të të shkrepë aparatin tënd fotografik ose me celularin tënd bën një selfie.

Dhe futesh në atë shtëpi, të kap një emocion i bukur, i përthellët, dëshiron të biesh në mendime. Ku je kështu, në ndonjë panteon?

Mua më kap një si dhembje, më nëpërmendet padashur panteoni i nëndheshëm i atdheut tim, sipër muret e qyteteve me pllaka të rralla të atilla, ku përkujtoheshin më shumë atentate dhe aksione guerilsash, vrasje historike a histori të vrarë. Dhe emrat e rrugëve pothuajse kështu

Po filluan të bëhen muzeumet e kujtesës në pos-diktaturë, së fundmi, ja Bunk-Arti 1, Bunk-Arti 2, “Shtëpia me gjethe”, shtëpia e…! Po këto tregojnë diktaturën, forcën e saj, sofistikimet, po muzeumet e qëndresës, burgjet, kampet, qoftë dhe një shtëpi e thjeshtë ku jetonin ashtu ngushtë e dëgjonin fshehurazi stacionet e huaja në radio, lexonin libra të ndaluar, etj., etj.

Po studio shkrimtarësh, ku janë shkruar veprat, të cilat studiohen nëpër shkolla? Vërtet ku janë vendet e letërsisë shqipe? Vetëm në kryeqytet? Vetëm letërsi zyrtare, po nga ajo e ndaluara, që triumfoi mbi diktaturën? Po katet e tjerë të kujtesës dhe radhët e nëndheshëm të ferrit? Natyrisht që s’janë skrivanitë e poltronat ato që vendosin, por vlerat e fletëve të shkruara, dhe nga ato të burgjeve dhe internimeve. Po ku janë?.

Arkivave? Vetëm ato që konfiskoi shteti? Ç’përkujdesje tregohet për librin dhe për ata që do ta lexojnë?

Kur Bibliotekën Kombëtare së fundmi një herë e dogji zjarri dhe një vit më pas u përmbyt nga ujërat? Të paktën të kishin ndodhur njëherësh, që uji të shuante zjarrin, por ndonjë media shkruante se s’pati ndonjë dëm të madh, u dëmtuan vetëm librat e pas viteve ’90-të, pra ata të pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, thënë troç që letërsia e Realizmit Socialist është e padëmtuar, kurse të tjerat, në rrënojat e panteonit të tyre te nëndheshëm.

Aty t’i lëmë thasët? Cilët thasë? Të burgut…!

Pikërisht në thasë të vjetër, të arnuar, me njolla dheu e gjaku, ku të dënuarit dikur… ou, na çove larg, në rendin skllavopronar, jo, jo, është pothuajse tani, janë gjallë shumë nga ata ish të burgosur, që në ato thasë, ku mbanin veshje të tyre, që mund t’u kishin mbetur edhe prej të vrarëve, mes gjërave që haheshin, që i ruanin për ndonjë ditë urie edhe më të keqe, futnin copa letre, fletore e blloqe të shkruara, të tyret, të ndonjë bashkëvuajtësi, ia ruanin, e kishin amanet, ndonjëherë pa e ditur se të kujt ishin ato shkrime, që mezi lexoheshin, qenë ronitur, edhe minjtë kishin brejtur ç’kishin mundur, censura e tyre parake a e mëpastajme, e brendshme, njëlloj ishte, aq më mirë, se policia, po t’i kapte, s’do të kuptonin dhe aq censorët e shtetit.

Po të burgosurit dinin si t’i fshihnin shkrimet…!

Ishte e pabesueshme, ndoshta dhe nga vetë ata që i kishin mbushur ato fletë në fshehtësi, se në thasët e burgut kishin të rrasur letërsi të ardhme, nga ajo e përvuajtura, e ndershmja, e shpëtuar nga kontrollet shfarosëse, nga djegiet, nga realizmi socialist.

Dhe s’ka gjë që në arkivat a bibliotekat tona, nëpër muzeume ende s’ka një thes të tillë dhe as fletë me njolla dheu e gjaku përsipër së shkruarës. Gjithsesi ata thasë janë si shakujt mitikë të Eolit, plot tufane për letërsinë shqiptare.

1.

Dënimi i librave: luftëra dhe epidemi…!

Në historitë e popujve, jo vetëm në ato të hershmet, me luftëra dhe biblioteka hijerënda, me kolonada të përgjysmuara e kapitele të mbetura ende, me murtaja e fantazma që s’kthehen më si dikur, por ndryshe, edhe në fillimet e mjegullta të mesjetës, kur kishte shumë barbari dhe magjira të rrezikshme, përsëritje epidemish, etj., ndërsa drita iluministe praronte kryqet e nëpër kisha me mermerin e Rilindjes europiane bëhej art i madh, piktura të pavdekshme dhe, teksa formoheshin kombet, por dhe në kohët më të reja, kur njeriu dhe rilindja e tij ideale morën një si aureolë të natyrshme përsipër si ajo e shenjtëve, që edhe përmbyseshin ndërkohë, madje dhe në epokat më moderne, ku, përveç të tjerave, e drejta e jetës, gëzimi i saj, morën fuqi kushtetuese, liria e shprehjes vazhdonte lirinë e mendimit duke paraprirë lirinë e veprimit, si dukuri normale, etj., etj., ndeshemi me dhunën dhe me dënimin, të ushtruar mbi shumëçka, aq sa duket sikur historia është histori dhunash kolektive dhe dënimesh diktatoriale, ku përparimin mund ta ketë sjellë dhuna kundër dhunës dhe dënimi i dënimeve. Ndërsa si një ndëshkim nga lart dukej sikur vinin dhe epidemitë.

Po edhe librat…!

Në këtë sprovë a avitje do të doja të trajtohej dhuna dhe dënimi i ushtruar mbi letrat dhe njerëzit e përzgjedhur të letrave, mekanizmi i hatashëm i së cilës ka kërkuar mposhtjen dhe rrënimin tragjik të tyre. Është ndërmarrje e madhe dhe do të më pëlqente rrekja për të treguar për atë që s’iu bind dhunës dhe e sfidoi dënimin siç mundi, për atë pak letërsi, por jo të paktë, që u krijua fshehurazi në ferr, nën dhé, nga të dënuarit.

Pikërisht atë që më bëhet s’e di më mirë. Ndërkaq, duke parë dhe ndier mënjanësinë, mungesat dhe zellin e kundërt, nëpërkëmbjen, harresat deri dhe mohimin e saj, unë, si dëshmitar, do të mjaftohesha të tregoja që ka një letërsi, e cila na ka ardhur nga burgjet, është, dhe ka rëndësi edhe përtej letërsisë. Po patjetër dhe për letërsinë. U arrit në kohën e pandemisë ideologjike të totalitarizmit.

Natyrisht, kjo ndërmarrje e nisur herët, nuk ka si të mbarojë me këtë punim, por duke përmbledhur dhe zgjeruar ndihmesën time, dua të sensibilizoj e të nxit. Të rikujtoj. Më nëpërmenden ata shkencëtarë, studiues antropologë e zoologë, që me një copë kocke prehistorike të gjetur, gjymtyrë e kohës së dinozaurët, ribëjnë përbindëshin dhe kohën e përbindëshave, gjejnë se si kanë ecur e zvarritur duke trandur token, si kanë klithur e janë ushqyer. Me bar? Por edhe me njerëz. Brenda mbetjeve të eshtrave të tyre kanë dalluar eshtra njeriu. Dhe kështu mund të kuptohen epokat dhe betejat për jetën.

Dridhem kur kujtoj kocka të thyera njeriu, jo metaforike, të gjetura andej-këndej, në gropat e malit të Dajtit mbi kryeqytet a në fushëtirën e burgut të Ballshit, të burgjeve të tjera, në tokat ku dikur ishin kënetat, në pjerrinat e frikshme të Spaçit, në oborrin e burgut të Burrelit, në udhën ku u bë masakra e Tivarit, në gropat e varrezave masive të luftës më të fundit në Kosovë, shumë ndryshe nga gropat mesjetare të murtajave.

Po që ka dhe kocka të mbetura të një poeme, të një romani. A mund të ngrihet me to një letërsi?

Afërmendsh që dhuna dhe dënimi mbi librat dhe njerëzit e tyre nuk janë ushtruar vetëm në vendin tonë dhe as jemi ne projektuesit e tyre të parë, megjithëse librat i kemi pasur aq të paktë. Ashtu si dhe njerëzit dhe emrat e tyre, edhe librat janë ndaluar përkohësisht ose përgjithmonë, fshehurazi ose hapur, janë censuruar të plotë ose pjesë-pjesë, janë gjymtuar siç gjymtohet robi, i janë shkulur krahë, prerë hundë e veshë, gjuha, i janë shkulur sytë, janë mallkuar, libra e gjuhë, flakur, janë arratisur e kapur rob prapë, janë mbartur nga vendi i mundur te vendi fitimtar ose nga populli vasal te populli zotëri, janë djegur, vetëm a me të tjerë ose me biblioteka të tëra, krematoriume e gropa masive, por edhe me ceremoni, me festa aspak të përzishme, me valle e duartrokitje, madje është e vërtetë që librat edhe janë lidhur me zinxhirë, për tjetër arsye, për të mos u shkulur dot, për të mos u vjedhur dhe quheshin Concatenati, të mbërthyer si Prometeu a si çdo i dënuar… dhe zinxhirët shpesh e më shpesh këmbenin vendet, u kalonin autorëve, për më gjatë, mundësisht përgjithmonë, tani për tjetër arsye.

Janë burgosur librat, jo në mënyrë metaforike në burgun e harrimit, por realisht janë mbyllur në bibliotekat e ditëve tona, në Fondin e Zi të tyre si në tere qelish si Shën Pjetri apo dhe Gregor Zamza i Kafkës, si filozofët në çmendina.

Në Bibliotekën tonë Kombëtare janë shënjuar përsipër ballinat me shkronjat “R.” ose “SH.R.”, (Rezervuar ose Shumë e Rezervuar), që të mos u afroheshe, si të ishin të damkosura me ndonjë sëmundje ngjitëse, kolerë, ideologji armiqësore, murtajë e kuqe, e zezë, që dëmtojnë diktaturën e sidomos shëndetin e diktatorit dhe ky është relacioni i Ministrit të Brendshëm dhe i mjekut personal të të Madhit fare, etj., etj.

Dënoheshin libra, autorët e tyre dhe lexuesit e tyre.

Librat për krimin e të vërtetës që s’duhej të mbartnin, autori që pse i ngarkoi kështu, rrezikshëm dhe lexuesi që ç’pati që i lexoi, që e shkarkoi brenda vetes, mori mëkatin dhe mallkimin bashkë. Libri ndalohej, rroposej në Fondin e Zi, digjej ose dërgohej në fabrika për t’u ricikluar në letër të bardhë.

Autorit i ndalohej e drejta e botimit përkohësisht a përgjithmonë, hiqej, internohej, burgosej, edhe pushkatohej.

Lexuesi ndëshkohej, demaskohej, hiqej nga puna, dëbohej baltarve, edhe burgosej, edhe…

Arsyet e gjithë kësaj ploje, së pari brenda kafkës së njeriut dhe pastaj jashtë saj, në të gjithë kafkën e vendit, janë të shumta, por dhe veç një: mos na dil kundër, (… aq sa dhe pikat e heshtjes nëpër fjali, ato që quhen retiçencë, ngjanin me vrima plumbash, me gjurmët e tyre të heshtura dhe në ajrin e natës…).

Format e masakrës, të dhunës së përditësuar duket sikur ndryshojnë nga koha në kohë, por thelbi mbetet i njëjtë: sundimi. Me format e tij.

Prandaj duhen marrë në ndihmë frika, heshtja, mosdija. Të paditurit sundohen më lehtë, që të mund të duan dhe vetë të sundohen. Pra, të fshihet qëndresa. Si veprim dhe si mendim.

Prandaj duhen mendimtarë kundër mendimit, ideologë kundër ideologjive ashtu si policia kundër veprimeve kundër.

Ndërkaq të paditurit sipër, mund të duan dhe duan të sundojnë të paditurit më poshtë e më të shumtë: një grup i caktuar, një klan, përfaqësues të një klase shoqërore, etj, etj, sundojnë gjithë vendin. Duhen specialistë të fjalës kundër fjalës ashtu si spiunët që e denoncojnë atë. Poetë kundër poetëve, shkrimtarë kundër shkrimtarëve, artiste kundër art…it.

Përhapja e një ideologjie si epidemi, sundimi i një sistemi, që vjen në pushtet me forcë e me mashtrime, edhe me votë ashtu si dhe me armë, kushtetutizon jetën asisoj, duke i vënë më shumë shtrëngesa se ligje, pengesa më shumë se rregulla dhe duke e thjeshtëzuar në rrojtje të zbrazët gjithë mërzi, duke të hequr dhe kohën për mërzi dhe duke të gënjyer me artin e futur në kallëpet, që s’janë të artit, për t’i shërbyer në fund të fundit sundimit, që, thënë shkurt, rezulton kundër teje.

Metoda letrare e Realizmit Socialist s’ishte kurrë e njëjta gjë me realitetin socialist, madje dhe të kundërta, edhe pse realizmi socialist është pjesë e realitetit socialist, jo si një kundërshti e tij, por si maskë vrasjeje. Se e tillë mbeti.

Në perandorinë komuniste libri dhe bërësit e tij bashkë me lexuesin masiv u dëmtuan më shumë se kudo dhe në çdo kohë tjetër, sepse letërsisë iu kërkua angazhimi i hapur në shërbim të një ideokracie, tjetërsimi, duke ia ndryshuar thelbin për ta bërë “vide dhe burmë” në makinerinë e madhe të shtetit, duke përhapur kështu mediokritetin përmbytës të vetë shtetit.

Porosia leniniste u tejkalua, letërsia u bë edhe plumb për armiqtë e sistemit, të jashtëm dhe të brendshëm. Sidomos të brendshëm. Por letërsia po vriste vetveten kështu. Vetveten sozi. Sepse atë e kishin vetëvrarë më parë. Dëshmitë dhe provat ende pulsojnë. Sidomos në Shqipëri.

* * *

…E pikërisht me shpikjen e shkrimit u shpik njëherësh dhe ndalimi i asaj që do të shkruhej, filloi kundërshtia e ndërsjelltë, që zgjidhej me dhunë të dyanshme, duke marrë në ndihmë epideminë e heshtjes dhe të zhdukjeve.

Nëpër mijëvjeçarë kështu do të ndesheshin bashkë bërja me zhbërjen, krijimi me ç’krijimin, kujtesa e natyrshme me harresën e detyruar, mësimi me indoktrinimin, veprimi me ndalesën, mosbindja me torturën, që nga burgu deri te gijotina.

Ndërkaq, nëse me shekujt ka ndryshuar shkrimi dhe materiali mbi të cilin shkruhet, nga mur shpelle është kaluar në argjilë dhe qeramikë, pastaj në pergamenë, madje është përdorur dhe lëkura e njeriut (metaforikisht gjithmonë mbi të shkruhet), letra e gjithsuksesshme, makina e shkrimit, kompjuteri, CD prej platini e USB, etj., etj., e s’dihet deri ku do të venë, deri te mos shkrimi e mos fjala se do të flitet me mendim e shpirt në ardhmërinë, mrekullia e së cilës na shtang të magjepsur e na lë pa fjalë që tani, por të kthehemi te e sotmja jonë, zemërimi dhe xhelozitë ashtu si zjarri ndaj asaj që shkruhet a fjalës që mbetet, janë po aq njëlloj, po aq parakë si dukur në të dikurshmen…

Dhe doja të gjeja raste si e kanë (keq)trajtuar librin nëpër kohëra dhe gjatë kërkimit më dilnin dhe të dhëna për murtajat, sikur të kishte një lidhje mes tyre

Athinë, shekulli V para Krishtit. “Për sa u përket perëndive, unë nuk jam aq i aftë sa të them që ato janë apo nuk janë”, – do të pohonte Protagora qysh në fjalinë e parë të traktatit të tij dhe menjëherë do ta shmangnin. Ik, i thanë dhe traktatin e tij e dogjën…

Zjarri prometean që iu vodh Qiellit për jetën në Tokë, që njerëzve t’ua për ndriste natën, t’i ngrohte në të ftohtin parak dhe t’i bënte të mendonin përreth tij, të shpiknin zejet, të piqnin gjahun, por dhe baltën, që duke parë ato valle mahnitëse flakësh nën yje, të përfytyronte vallet e fillimeve të tyre, të guximit dhe të gëzimeve të ashpra, ai zjarr, që po të mos dije ta mbaje mirë, egërsohej më keq si bishat dhe vërsulej të digjte shtrojet e tua, punime e tua, lëkurat ku kishe vizatuar, shenjat, shkronjat…

Ç’djall do ta çonte zjarrin kundër librave?

…dhe Sokrati do të dënohej me vdekje. Se ai nuk i pranoi perënditë e shpallura nga shteti dhe paraqiti perëndi të reja. Futi dyshimin si filozof. Dhe Platoni do të sugjeronte që në republikën e tij ideale së pari të mbikëqyrej krijimi i fabulave dhe i legjendave, të pranoheshin vetëm ato që do të pëlqeheshin.

Ndërkaq ishin dhe murtajat ashtu si luftërat.

Gjej se në Athinë ra një në vitet para Krishtit, 430-426. Ethet e tifos, kur bëheshin betejat e Peloponezit, për katër vjet shfarosën një të katërtën e popullsisë. Ndërsa në Romë “sëmundja e zezë” siç dhe quhej, e tundi gjithë perandorinë. “Murtaja Antonina”, e viteve 165-180 pas Krishtit, që ushtritë bashkë me fitoret e sollën kur ktheheshin nga Azia, gërreu perandorinë, duke vrare rreth 5 milion njerëz.

Dhe një tjetër murtajë me emrin perandorak të Justinianit, e viteve 541-750, etj. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, në Romën e atëhershme do të ndalohet “Odisea” e Homerit, për liritë e rrezikshme që mëtonte, dhe shteti me magjistratët e vet do të vinte nën kontroll të rreptë besimin fetar. Senati digjte pirgjet e librave me profeci, dëshmonte Livi.

Digjeshin dhe të vdekurit nga mortajat. Gjendja apokaliptike kërkonte shpëtim, kërkonte librin qiellor dhe u detyruan të lejonin përhapjen e krishtërimit.

Dhe librave të përndjekur deri në Kinë, nga dorëshkrimet e lashta, mund t’u lejohej të mbeteshin një ose dy kopje e shumta, të tjerat zhbëheshin përfundimisht. Murtajë dhe në libra. Përsëristeshin. Ajo e Etiopisë dhe Egjiptit në një ditë të vetme arriti të hajë 10.000 vetë dhe nga Kostandinopoja kaloi kufirin për Europë. Në Francë, në vitin 588 shpërthimi i vdekjes së zezë mori 25 milion njerëz.

Pandemitë deri në shekullin VIII hëngrën gjysmën e popullsisë së Europës dhe të Mesdheut. Ndërsa ajo që erdhi nga Azia në vitin 1348, arriti të vrasë në Europën Perëndimore 75 milion njerëz. Minjtë. Të pa kohë, të gjithkohshëm, jo vetëm që hanin librat, por përhapnin vdekjen e zezë.

Aty nga shekulli XIV, anijet e luftës sollën në Europë, ato që mundën të arrinin, murtajën “bubonike”, se një pjesë e tyre u mbytën, nga që i gërryenin minjtë, aq shumë sa u hapën të çara e gropa dhe u fut uji si një përbindësh.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?