Ismail Qemali

Refleksionet e historianit të njohur: Ismail Qemali e mori flamurin e Pavarësisë të qëndisur me fije ari prej Naços, i cili e mbante në duart e veta, por sot kësaj dite mbetet enigmë

28 Nëntor, 08:54| Përditesimi: 28 Nëntor, 08:59

  • Share

Ismail Qemali, me dorën e tij ngriti Flamurin e Pavarësisë, të qëndisur me fije ari. Pra, Ismail Qemali ngriti Flamurin e qëndisur rretheve me gjethe nga Marigoja, në të cilin flamur ishte shkruar dhe parulla: ‘Rroftë Shqipëria’. Ky flamur simbolizon bashkimin e popullit shqiptar kudo që jeton si një komb i vetëm midis Ballkanit.

Ky Flamur më vonë u dogj nga grekët. Me këtë akt kombëtar u shpall Pavarësia e plotë e Shqipërisë Etnike. Pas këtij akti, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, më 29 nëntor 1912, me telegram iu drejtua konsujve të Vlorës, të parin telegram njoftimi i bëri për konsullin e Austro-Hungarisë, pastaj Italisë, Francës, Gjermanisë e Rusisë, me anën e të cilit njoftonte për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u kërkonte njohjen zyrtare nga ana e tyre.

HISTORIKU DHE ORIGJINA E FLAMURIT KOMBËTAR I NGRITUR NË VLORË, MË 28 NËNTOR 1912

Emri i Rexhep Mitrovicës, u fshi nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1908-1912. Në bazë të dokumenteve, Rexhep Mitrovica zgjidhet njëzëri nga Kuvendi i Vlorës, anëtar Senati dhe ndihmës Ministër i Punëve Botërore, edhe pse ishte vetëm 24 vjeç.

Regjimit komunist nuk i konvenonte që ai të figuronte si protagonist i Kongresit të Manastirit, të Kuvendit të Vlorës, të Kuvendit Kombëtar, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të shpallur më 16 tetor 1943, ku Rexhep Mitrovica shpallet anëtarë i Lartë i Regjencës, të përbërë nga Mehdi Frashëri, Fuat Dibra, At Anton Harapi dhe Lef Nosi e, më 5 nëntor 1943, Regjenca emëroi qeverinë me Kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore.

Ndërsa në pranverë të vitit 1944, Rexhep Mitrovica u emërua edhe Kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pas Bedri Pejanit. Ndërsa, pasi ishte shëndetlig, shumë shpejt u tërhoq dhe në vend t; tij erdhi poligloti dhe ideologu i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Xhafer Deva. Prandaj ky atdhetar me veprat e tij kombëtare, siç ishte Rexhep Mitrovica, i pengonte kaq shumë politikës komuniste dhe diktaturës të Enver Hoxhës.

KUVENDI KOMBËTAR FILLOI PUNIMET MË 28 NËNTOR 1912

Më 28 Nëntor 1912, në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, filloi punën Kuvendi Mbarëkombëtar. “Kuvendi filloi punën më 28 nëntor dita enjte, në ora 4 pas dite”. Më 15 të vjeshtës së tretë. Ishte e enjte ora 4 pas dreke, tellalli kish thirrur që në këtë kohë, do të kasnecohet Shqipëria më vete.

Të gjithë delegatët ishin mbledhur në shtëpi të Xhemil bej Vlorës, në një sallon të madh të shtëpisë së tij, ku në referatin kryesor, që mbajti Ismail Qemali, e përshkroi humbjen e Turqisë dhe të vajturat e Shqipërisë, mbi rrezikun e madh që ndodhet Atdheu ynë, tjetër shpëtim tha s`ka, përveç se të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të kasnecojmë vetëqeverimin.

“Rroftë Shqipëria jonë”, thërritën të gjithë. “Rroftë Flamuri i Shqipërisë”. Salloni i madh i shtëpisë ishte plot me njerëz, çardaku poshtë plot, kopshti plot, të gjitha rrugët mbushur me njerëz”.

Ismail Qemali e mbylli referatin kryesor para kuvendarëve me këto fjalë: “Tanimë s’na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veçse ndarja e Shqipërisë nga Turqia”, dhe propozoi që: Shqipëria të shpallë Pavarësinë dhe të formohet Qeveria e Përkohshme dhe të emërohet Pleqësia (Senati).

Propozimet miratohen njëzëri nga Kuvendi. Ismail Qemali i cili tani më mbante postin e Kryetarit të Kuvendit, njëherit u propozua edhe si mandatar për organizimin e Qeverisë së Përkohshme dhe të Pleqësisë (Senatit).

Pasi mandatet e tyre, duhej verifikuar nga Kuvendi. Pas miratimit të pikave të parapara, nga ana e Kuvendit, Ismail Qemali propozoi që: “Shqipëria të shpallet shtet më vete, e lirë dhe e pavarur”.

Siç thamë më lartë, me propozimin e Rexhep Mitrovicës, Kuvendi njëzëri pranoi Ismail Qemalin edhe mandatar për propozimin e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë Etnike, ku bënin pjesë katër vilajetet: I Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe i Manastirit.

FJALIMI I ISMAIL QEMALIT SI KRYEMINISTËR I PARË I SHQIPËRISË ETNIKE

Ismail Qemali, pasi e mori edhe mandatin nga Kuvendi për të shpallur Qeverinë e Përkohshme, foli përsëri shkurt mbi të kaluarën historike të popullit shqiptar nën sundimin turk, dhe mbi luftën heroike të popullit shqiptar, për të fituar të drejtat e tyre, për të jetuar të lirë dhe sovran në tokën e tyre.

Ai, po ashtu në ekspozenë e tij, vuri në dukje rrethanat e krijuara në Shqipëri nga zhvillimi i Luftës së Parë Ballkanike. Ai tha se; “E vetmja rrugë e shpëtimit, është ndarja nga Perandoria Osmane”.

Masat e para që mori, ishin ato që të shpallej Shqipëria më vete, me një Qeveri të Përkohshme, të zgjidhej një Pleqësi (Senat), për të kontrolluar punët e qeverisë. Senati përbëhej prej 18 anëtarëve, ndërsa për Kryetar, u zgjodh Myftiu i Dibrës, Vehbi Agolli.

Pika e tretë ishte shumë e rëndësishme për ato çaste historike, që konsistonte me formimin e një Komisioni për të mbrojtur çështjen shqiptare, para Fuqive të Mëdha. Propozimet e Kryetarit, u aprovuan njëzëri, me duartrokitje të zjarrta.

Delegatët, në fund, nënshkruan dokumentin historik, Deklaratën e Pavarësisë në gjuhën turqishte, ku thuhej: “Shqipëria me sot të bëhet në vete, e lirë e mosvarme”. Kuvendi mbaroi punën, aty kah ora pesë e gjysmë pasdite.

Pastaj, të gjithë së bashku që ishin të pranishëm dhe kuvendarët me Ismail Qemalin, u drejtuan drejt ballkonit të godinës, për ta ngritur Flamurin kombëtar të Skënderbeut, ku në pritje të këtij akti, jashtë ndërtesës, ishin tubuar me mijëra qytetarë që përcillnin ngjarjen me këngë e valle, ku pritnin me padurim aktin madhor të Pavarësisë.

Ismail Qemali e mori flamurin prej Naços, i cili e mbante në duart e veta, si Kryetar i Komisionit për ngritjen e flamurit, por sot kësaj dite, enigmë mbetet lashtësia dhe origjina e këtij flamuri, që e çoi lartë Ismail Qemali.

SA DELEGATË KANË MARRË PJESË NË KUVENDIN KOMBËTAR TË VLORËS?

Në ora pesë e gjysmë pasdite, firmoset Akti i Shpalljes së Pavarësisë nga 37 delegatë, sa ishin të pranishëm në sallë, Ismail Qemal, Nikollë Kaçorri, Abdul Aziz Vehbi Dibra, Dudë Karbunara, Elmas Boço, Vehbi Harxhi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, Aristidh Rruçi, Abdi Toptani, Abas Dilaver Çelkupa, Mit’hat Frashëri, Shefqet Daiu, Zihni Abas Kanina, Xhelal Koprencka, Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani (Karaosmani), Iljas Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Berati, Dhimitër Emanuel Mborja, Dimitri Zografi, Murat Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro Ilo, Thanas Floqi, Lef Nosi, Dr. H. Myrteza, Nuri Sojliu, Mustafa Asim Kruja, M. Ferid Voskopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa Lushnja, Zuhdi Ohri. Ndërsa 2 emra janë të palexueshëm…”!

Edhe 26 delegatë të tjerë, erdhën gjatë ditëve në vijim. Gjatë mbajtjes së Kuvendit, një komision i zgjedhur vajti dhe nguli flamurin e Shqipërisë, nëpër tërë zyrat publike, ku një ditë më parë valonte ai turk. Njerëzia që shkonin përpara flamurit, nxirrnin kapelat e bardha dhe kush e kush, ta puthte më parë.

Pikturat e Sulltanit dhe të oficerëve të Turqisë, i nxorën nga tërë lokalet publike, i grisën dhe i shkelën me këmbë. Mbishkrimet e beledies, të postës, të telegrafit dhe gjetkë, të shkruara me shkronja arabo-turke, i hodhën poshtë dhe i pështynë.

Manifestime të nxehta, u bënë nëpër konsullatat e Austrisë, Italisë dhe të Rusisë, të cilët na u përgjigjën “me dashuri”. Të nesërmen priteshin të vijnë gjenerali Isa Boletini, Riza bej Jakova, Mehmet Pashë Derralla e, disa delegatë të tjerë të Kosovës, me 400 trima pas.

Megjithëse që atë ditë binte shi, po një shumicë e madhe kishë dalë përpara me flamurin tonë në dorë, kur u afruan të tre bajraktarët e Kosovës, zbritën nga kuajt dhe u gjunjëzuan para flamurit kombëtar me lot në sy e, puthën me një ngushëllim të thellë, për vuajtjet dhe trimëritë që kishte treguar populli shqiptar, kudo që jetonte. (V. Xh).

KUSH ISHIN DELEGATËT NGA KOSOVA DHE VILAJETI I MANASTIRIT?

Nga Kosova dhe trevat lindore, Aktin e Pavarësisë e nënshkruan këta delegatë, nga Struga e Ohri: Nuri Sojliu, Zuhdi Ohri, Xhemal Beu dhe doktori M. Murteza, i nënshkruar menjëherë pas Lef Nosit. Në të gjitha publikimet e gjertanishme, shënohet si Dr. H. Myrteza.

Por duhet theksuar se nga Struga, kanë marrë pjesë emra të mëdhenj të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si: Hamdi bej Ohri, Murat Barutçiu e, Dervish Hima. Po ashtu, duhet përmendur edhe Bejzat Saliun nga Ohri, i cili sipas pohimeve, ka qenë telegrafist në Vlorë (detyrë që e ka ushtruar edhe në Ohër).

Po ashtu, pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, ka qenë edhe redaktori i gazetës “Shkupi”, një atdhetar i palodhshëm i çështjes kombëtare, Jashar Erebara nga Dibra, i cili dha një kontribut të vlefshëm, në jehonën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

LISTA E TË FTUARVE NË AKTIN E PAVARËSISË KISHTE 78 EMRA TË DELEGATËVE NGA TË GJITHA TROJET E SHQIPËRISË ETNIKE, TË CILËT FIRMOSËN DOKUMENTIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË:

Vlorë: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruçi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqerem Bej Vlora;

Berat: Sami bej Vrioni, Ilias bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara;

Skrapar: Xhelal bej Koprencka; Hajredin bej Cakrani;

Lushnjë: Qemal bej Mullai, Ferit bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa;

Durrës: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri;

Tiranë: Abdi bej Toptani, Murat Bej Toptani;

Shijak: Xhelal bej Deliallisi, Ymer bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu;

Krujë: Mustafa Merlika-Kruja;

Elbasan: Lef Nosi, Shefqet bej Daiu, Qemal bej Karaosmani, Dervish bej Biçaku;

Peqin: Mahmud Efendi Kaziu;

Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi (jo Ismail bej Vlora);

Gjirokastër: Azis Efendi Gjirokastra, Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfid Bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli;

Përmet: Veli bej Këlcyra, Syrja bej Vlora;

Tepelenë: Feim bej Mezhgorani;

Janinë: Kristo Meksi, Aristidh Ruçi;

Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati;

Delvinë: Avni Bej Delvina;

Korçë: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo,

Pogradec: Hajdar Blloshmi,

Shkodër: Luigj Gurakuqi,

Mat: Ahmet bej Zogu (më vonë Zogu I-rë), Riza bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu,

Dibër: Myftiu Vehbi Dibra, Sherif Langu, myfti në Dibër dhe Ramiz Daci,

Kosovë; Gjakovë dhe Plavë-Guci: Rexhep bej Mitrovica, Bedri bej Ipeku, Salih Gjuka, Mid′hat bej Frashëri, Mehmet pashë Derralla, Isa Boletini, Riza bej Gjakova, Hajdin bej Draga, Dervish bej Ipeku, Zenel bej Begolli e Qerim Begolli.

Nga trevat Lindore (Maqedonia e sotme); Ohri dhe Struga: Zyhdi bej Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi bej Ohri, Mustafa Baruti dhe Dervish Hima nga Ohri,

Nga Kolonia e shqiptarëve të Bukureshtit u zgjodhën këta delegatë: z. Pandeli Evangjeli, Dimitri Ilua, Dimitri Zografi, D. Emanoil dhe DH. Berati./Memorie.al

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Koli: 28/11/2024 10:04

    Emri i Aristidh Rucit del si delegat ne dy vende, ne Vlore dhe Janine? Pse?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?