Besim Sahatçiu

Refleksionet e shkrimtarit të njohur: Kosova, duhet të krenohet me kolosin e kinematografisë, Besim Sahatçiu, edhe për përgjigjen e merituar, që i dha Miodrag Bullatoviçit, për…

29 Shtator 2023, 07:20| Përditesimi: 29 Shtator 2023, 07:25

  • Share

-REGJISORI BESIM SAHATÇIU, I RINGJALLUR NGA PENA E KOPI KYÇYKUT-

Shumë vite më parë, atëherë kur njeriu te ne fshihej edhe nga vetja, ashtu si vjedhurazi, pata parë në një stacion televiziv jugosllav, një film që më tronditi. Më tronditi dhe më la mbresa të pashlyera. Quhej “Era dhe lisi” dhe fliste me vërtetësi rrëqethëse dhe një guxim të pabesuar, për fatin e shqiptarëve atje. Veç kësaj, ishte dhe loja e mahnitshme e aktorëve dhe sidomos atij kryesorit, Abdurrahman Shalës, portretin dhe karakterin artistik të të cilit, do ta kishin zili edhe ata në Hollivud. Po asnjëherë nuk e mësova se cila qe ajo dorë që i kishte përzgjedhur këta aktorë virtuozë dhe ajo mendje që e kishte realizuar këtë film, që jo vetëm i bënte nder Kosovës, por dhe tregonte se ç`forcë krijuese kishin intelektualët e saj, pa harruar të përbotshmin Bekim Fehmiu.

Por ja si është jeta; miku im i shtrenjtë, akademiku Kopi Kyçyku, ai i dituri, energjiku dhe prodhimtari i rrallë, ma shuajti kureshtjen, duke më dhuruar librin – album të tij “Besim Sahatçiu – një jetë për ekranin dhe skenën”. Këtu zbulova regjisorin enigmatik, të atij filmit mbresëlënës, por dhe gjeta një figurë poliedrike, që gjithë talentin dhe aftësitë e tij profesionale, i vuri në shërbim të vendit të tij fatkeq.

Përherë kam menduar, se pas luftës çlirimtare në Kosovë, e cila kushtoi jetën e mijra e mijra njerëzve të pafajshëm, të paktën shkëmbimet kulturore, pra ato shpirtërore, mes dy vendeve të ndara poshtërsisht, do intensifikoheshin.

Por kurrë nuk e kuptova apatinë zyrtare, për të dhënë e marrë në këtë drejtim, pra për ta mbajtur të ndezur zjarrin e njohjes dhe dashurisë mes vëllezërve dhe motrave të të njëjtit gjak, të të njëjtës histori dhe të të njëjtit fat! Ja pse duhet nxitur, inkurajuar, përkrahur dhe përshëndetur çdo nismë e marrë, çdo përpjekje e bërë, çdo veprimtari e realizuar në këtë drejtim, për të cilin nuk ke pse i merr dorën askujt.

Kjo nuk ka të bëjë me atë paralajmërimin e Markezit, se; “Ekzaltimet nacionaliste verbojnë zgjuarsinë”. Përkundrazi, duke njohur më mirë njëri – tjetrin, ne do të bëhemi edhe më të mençur. Ja pse, ky libër i autorit Kopi Kyçyku, merr një vlerë të veçantë, pasi u shkrua dhe botua në kohën kur kemi më shumë nevojë.

Dhe si është shkruar. Ashtu siç di ky burrë i mençur, ky atdhetar i palëkundur, ky intelektual i përmasave evropiane. Miku i Besimit, Prof. Dr. Akil Koçi, në parathënien e tij të mrekullueshme, ka thënë se ky autor, përveçse e ka shkruar këtë libër me ngrohtësi, me gjuhë të pastër e lakonike, me stil të rrjedhshëm e sidomos plot me vërtetësi, na e paraqet edhe; “Si soditje, si reflektim dhe si komunikim…  aq sa, ngjason me një refren të madh e të fuqishëm, si metamorfozë e përjetshme, si këngë e universeve, si një qenie ndijimi që nuk shter, si një muzikë e këndshme, që na sjell një doktrinë të mahnitshme, frymëzuese, optimiste”.

I gjithë libri, që nga faqja e parë e deri në fund, nuk është thjesht një monografi e rëndomtë, nga ato që lindi, jetoi dhe vdiq, por një trajtesë plot vlera sociale, politike, profesionale e, deri filozofike, që na jep jo thjesht formimin dhe veprën e një njeriu të përmasave të pazakonta, si Besim Sahatçiu, por edhe një himn, për atë që gjithë mundësitë e tij, e deri shpirtin e papërlyer, ja dhuron si një detyrim moral popullit të vet, e çështjes madhore të tij. Kopi, me të drejtë e quan Besimin korife. Po, i tillë del ai në këtë jetëshkrim, të një lloji krejt të ri.

I bukur në të parë, i ëmbël, i urtë, i mbushur me vullnet, përherë i menduar dhe me një shikim të tretur larg e plot dritë, ai kuptohet lehtësisht, se ka vetëm një preokupim: si të arrijë më të mirën. Dhe jo vetëm kaq; por si ta ngrejë nivelin atje ku nuk e ka çuar kush, atje ku me përparimet e sotme, ka mbërritur arti skenik evropian, i cili asnjëherë nuk lë jashtë vëmendjes tragjikët e lashtë apo Shekspirin. Dhe është i bindur se kësaj i paraprin dija e kultura. Jo pa qëllim, ai vetë, pasi evokon Pushkinin, i cili qysh atëherë çuditej me “Revizorin” e Gogolit: “Si është e mundur, që me aq zotësi të deshifrohet njeriu dhe të paraqitet sakaq i tëri, vetëm me ca vija, si të ishte i gjallë”?!

Dhe bashkëkohësin, historianin e artit, d`Amiko që thoshte: “Suksesi i ‘Revizorit’ qe tejet i madh në kohën e vet, por mbeti i këtillë edhe pas një shekulli…”, shton nga ana e tij, se këtej u nisëm edhe ta inskenojmë për herë të parë në skenën tonë të re…! Prandaj shpresojmë se jemi në shërbim të tij (Gogolit) dhe të publikut tonë.

Dhe në vazhdim të këtij qëndrimi, Besimi, kur vjen fjala tek aktori, mendonte se; “Mbresat nuk kanë të bëjnë me doemos, me përmasat e rolit, ngaqë bëhet fjalë që cilido aktor, të jetë në gjendje, në vetëm disa çaste, të krijojë një imazh aq mprehtësish të ngjizur, aq thellësisht të përcaktuar, për mendjen dhe shpirtin, saqë më tej të mos ndahet për vite me radhë nga mendja”.

Duhet pranuar se Besim Sahatçiu, krahas të qenit njeri i veprimit, pra një organizator mjaft i aftë, për të përgatitur një pjesë për teatër apo film, ishte në radhë të pare, një njohës i thellë i të fshehtave të këtij arti, pra ai ishte një teoricien, në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe për këtë të vërtetë, askush tjetër, më mirë se enciklopedia e gjallë, Kopi Kyçyku, nuk mund të na bindë.

Besimi i provoi të dy ekranet dhe skenën e teatrit, me sukses, brenda atyre mundësive që kishte Kosova. Madje, ai edhe guxoi t`i maste forcat me dinjitet, nëpër 35 festivale të ndryshme me të huajt, si në; Itali, Portugali, Spanjë, Poloni, Turqi, Siri, Kroaci, Tiranë, etj.

Mësimet e Akademisë së Arteve në Zagreb, djalit nga Peja e mahnitshme e plot virtyte, i kishin vlejtur shumë, por ai nuk iu nda asnjëherë studimit, çka e dëshmon dhe biblioteka e tij e pasur, dhe sidomos shkëmbimit të mendimeve me njerëzit e shquar të letrave dhe artit në Kosovë. Ai e kishte kuptuar dhe e zbatoi në jetë, rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë e të sinqertë me ta.

Me shokët e miqtë që i donte aq shumë, ai u soll si; Akati i Virgjilit, tek “Eneida”. Por Atropoja, të cilës i bindej edhe vetë Zeusi, e preu fatalisht fillin e jetës së tij, atje ku e kishte paracaktuar motra e saj e vogël, Klotoja. Ditën që ai u mbulua me dheun e lirë të vendlindjes, Parajsa u lumturua, por arti dhe kultura, u zhytën në zi e trishtim.

Për bashkëshorten e tij, Besa, koha e Astirias, perëndoi. Tani ajo mund të përsëriste fjalët e Tarita Teripaiës, për vdekjen e Marlon Brandos; “Dhe tani, do të përpiqem të pranoj, atë që është jeta ime pa të”. Do ngushëllohesh vetëm me djemtë e mirë, Besnikun dhe Bekimin dhe sidomos me Rita Orën, mbesën e saj që po nderon me talentin e spikatur si këngëtare, jo vetëm Kosovën, por mbarë Shqipërinë, të cilën ka treguar, se e ka në zemër. Rita Orën, e cila përherë e kujton gjyshin e saj flokëbardhë: “Më mungon gjysh… / Të dua shumë…/ Ti më bëre të besoj se kjo është e mundshme / Ti besove tek unë, para se unë vetë / të besoja në veten time / Të do Rita Pita”!

Kosova, pa tjetër do të krenohet gjatë me një artist si ai, i cili me atë që realizoi, i bashkëngjitet pa asnjë mëdyshje kolosëve të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, dhe që i dha përgjigjen e merituar, shpifjeve dhe fyerjeve të shovenëve si Miodrag Bullatoviqi te libri i tij; “Njerëzit me katër gishta”.

Kurse ne në Shqipëri, e kemi për detyrë ta kujtojmë këtë njeri, duke shfaqur filmat e tij; “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Pasqyra”, “Përroi vërshues”, “Pehlivanët”, “Bukë e kripë e zemër”, “117”, që e kanë quajtur; “portret shpirtëror të popullit tonë”, dhe sidomos; “Era dhe Lisi”, që më kishte mbetur aq gjatë në mendje dhe nuk dija asgjë për regjisorin e saj. Por që tani ma tregoi kaq thjeshtë dhe madhërishëm njëkohësisht, miku ynë i mirë, Kopi Kyçyku. Memorie.al

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?