“PËRJETËSI PA KOHË” I ROBERT MARTIKOS, NJË PAMFLET
DEMASKUES PËR DIKTATURËN
Romanin “Përjetësi pa kohë”, nuk e ka shkruar Aleksandër Sollzhenjicini dhe as sekretari i Stalinit, Bazhanovi, por shqiptari Robert Martiko; e megjithatë kushdo që e lexon, përveç mahnitjes, po t`i thoshin se autori është një shkrimtar rus, do ta besonte pa asnjë mëdyshje. Pak të thuash i jashtëzakonshëm ky krijim letrar voluminoz, i një shqiptari që i nis ngjarjet qysh nga 5 nëntori i vitit 1932, pra dy ditë para se në të famshmin “Sheshi i Kuq”, para mureve të Kremlinit, të zhvillohet parada e fitores së ‘Revolucionit Boleshvik të Tetorit’. “Oh Liri, sa krime janë bërë në emrin tënd”, ishin fjalët që tha madama Roland, në 8 nëntor të vitit 1793, pra 139 vjet më parë, teksa karroca po e çonte nga burgu Sainte – Pelagie (Conciergerie), drejt Sheshit “La Place de la Revolution”, ku te gijotina e ngritur e priste xhelati dhe entuziazmi e brohoritjet, për të mos thënë, gëzimi i popullit…!
Pikërisht këtë ditë, një grua e thjeshtë që ishte bashkëshortja e Stalinit, pra Nadjezhda Allijueva, e cila shkoi me këmbët e veta dhe dëshirën e saj drejt vdekjes, duke mbetur pa kaq e lakuar në histori, kishte zgjedhur për të bërë një vizitë në shtëpinë e shoqes së saj të punës, atje në administratën e Institutit Bujqësor, francezes Natali Vilnëv.
Kjo e fundit, ishte martuar me intelektualin me origjinë kozake, burrin me karakter të pathyer, Igor Mihailoviç Gruzinski. Edhe ata si gjithë të tjerë, kishin besuar te premtimet e revolucionarëve bolshevikë, me gjeniun e së keqes në krye, Vladimir Iliç Lenin. Por, po zhgënjeheshin dhe kërkonin rrugë legale, për t`u kthyer në Marsejë. Ata kishin një djalë adoleshent, tmerrësisht të zgjuar e të kulturuar, që i referohej për ato që nuk dinte, Larusit të vjetruar.
Dhe, pikërisht këtë ka zgjedhur autori i librit, (Martiko), për të na rrëfyer histori rrëqethëse. Dhe jo histori njerëzish të zakonshëm, por nga ato makbethjanet, gati – gati të pabesueshme, që ngjasin atje në kupolën e lartë të partisë – shtet, brenda asaj kështjellës të trashëguar qysh nga koha e Carit, Ivani i Tmerrshëm, që quhet Kremlin, ku nuk njihet as nderi, as mirënjohja dhe as besnikëria.
Carit të ri, “Vozhdit”, ose “Kobas”, siç e thërrasin përbindëshin e kuq me fytyrën vrarë lije, dhe që e shoqja në intimitet e quan “një egoist i tërbuar, kryelartë, një harbut e xhahil i pashoq…”, nuk i dhimbset askush veç pushtetit të tij absolut, ia bën biografinë ai djali i vogël Serzhi, që banon në atë dhomëzën e quajtur ‘komunalka’, të cilën prindët e kanë ndarë me një perde.
Ai, natyrisht kureshtar, dëgjon e përgjon bisedat e të rriturve, por edhe sheh vetë kur e thërrasin në ndonjë kremtim solemn me pionierët e dalluar, ku ka miqësi edhe me vajzën e Stalinit, Svjetllanën. Ai sheh nga afër personazhet e tij, anëtarë të Politbyrosë, burra shteti me autoritet të padiskutueshëm, sa mizorë me popullin, ku nënshkruajnë pa pikë mëshire, lista me emra qyqarësh të pafaj, për pushkatime, burgime, internime, po aq servilë të pështirë e pa personalitet, para udhëheqësit.
Jemi mësuar që emrat e Xherxhinskit, Molotovit, Kaganoviçit, Kalininit, Kirovit, Sergos, Kujbishevit, Voroshillovit, Mikojanit e më tej Zinovjevit, Kamenievit, Trockit, Buharinit, Rikovit, Pjatakovit, Enukidzes, Jagodës, Jezhovit, Berias, Hrushovit etj., t`i gjykojmë ashtu siç pak a shumë historianët na i kanë paraqitur. Mirëpo, këndvështrimi i një fëmije duket edhe më i besueshëm në të vërtetat e tij, çka është një meritë e padiskutueshme e Robert Martikos, në kompozimin e këtij libri nga më interesantët.
Lexon aty dhe dashje pa dashje, të parakalon imagjinata në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” aradha e Politbyroistëve tanë, me diktatorin “legjendar” Enver Hoxha në krye. Dikur, si “derra të kënaqur”, përshëndesnin turmat me kapelet e tyre republike e lule ndër duar, pa e shkuar kurrë ndër mend, se do të përfundonin pas intrigash që i kishin përdorur vetë me të tjerët, me ndonjë plumb pas koke dhe pa varr.
Askush nuk ka pse të çuditet as me triumfin e komunizmit, i cili gjen shtrat atje ku ka varfëri e injorancë, atje ku as që kishin dëgjuar ndonjëherë për zengjinët e pamoral, Marks e Engels dhe as me mizoritë e atij sistemi. Gianfranko Fini, e ka thënë mjaft qartë: “Komunizmi është iluzioni më i madh e më i përgjakshëm, që njerëzimi ka nxjerrë në dritë”. Dhe e keqja më e madhe është se këtij iluzioni, kësaj utopie katërcipërisht të vërtetuar, i besojnë shumë edhe sot e kësaj dite.
Kurse autori Martiko, me mendjemprehtësi e gjykim të shëndoshë në çdo faqe të librit të tij, sikur kërkon të kujtojë me gojën e babait të Serzhit, që pret arrestimin: “Do të vijë një ditë, që gjërat në Rusi do të kthjellohen. Njerëzit do të dalin nga gjendja e frikës. Do kuptojnë jo vetëm në Rusi, por edhe në Francë e gjetkë, se ne u qeverisëm, për vite të tëra, prej bandës më kriminele, më psikopatë, më të paaftë dhe më të korruptuar, që u shfaq ndonjëherë në rruzullin e Tokës”.
Ato që ngjanë në Rusinë e atyre viteve, nuk mund t`i balanconte as pesha e gjithë atij të ashtuquajturit: “industrializim socialist”. Një popull i tërë jo vetëm i varfëruar ekstremisht, por edhe i kërcënuar nga survejimi e dyshimi për një fjalë goje, dhe përfundimi në “gulagët” e tmerrshëm. Kudo do të gjendej dora e GPU (paraardhëse e KGB-së, Shërbimi i Fshehtë Sovjetik) – së që vetëm emrat dhe drejtuesit ndryshonte, por synimet e poshtra kurrë.
Fjala shok e ka humbur me kohë kuptimin si dhe ajo tjetra; besnikëri. Vritet dhe mbulohet me vello misteri Kirovi në Leningrad dhe Sergoja, detyrohet të vrasë veten, ashtu sikurse Nako Spiru etj., deri tek ish-kryeministri Mehmet Shehu në Shqipëri. Dhe hipokrizia e njëllojtë. Në mëngjes “hero”, në darkë “agjent” e akoma më shumë, “poli-agjent”.
Ja si shprehet autori i romanit: “Në Sheshin e Kuq, u organizua e njëjta ceremoni me pompë të madhe, si në rastin e lamtumirës së Kirovit. Përfundoi me Stalinin, i cili udhëhoqi bolshevikët e lartë drejt mureve të kuq, për të vendosur përbri urnës së Kirovit, një tjetër urnë, me hi të freskët. Dy miqtë e dikurshëm u takuan përsëri. Këtë radhë në trajtë hiri”.
Por këta ndofta qenë më me fat, se shpirti i atyre që përfunduan në Lubjanka, e dinë mirë se ç`kanë hequr. E si mund ta harronte Stalini, akuzën që i bëri Aleksandër Rikovi, kur ishte kryeministër, se: “Ti duhet të përgjigjesh një për një, për të këqijat që je duke i bërë popullit sovjetik”? Tortura të llahtarshme për heronjtë e dikurshëm, humbje personaliteti, akuza ndaj njëri – tjetrit, kërkim mëshire.
O Zot! Ku vajti kontributi i atyre që s`të besuan dhe rritën e mbronin një vagabond Gjeorgjie?! Ja pse gjithmonë “Enveri ynë”, përsëriste e betohej se qe nxënës besnik i Stalinit. Nuk kishte sesi të përligjeshin tjetërsoj ato vrasje shokësh e armiqsh imagjinarë, borgjezë, kulakë, nacionalistë, klerikë, fraksionistë, intelektualë e të tjerë, apo të shkatërroheshin me themel familjet e tyre.
Çfarë ngjashmërie mes dy diktaturave edhe pse njëri në një të gjashtën botës e, tjetri në një vend që zor se e njihte bota. Dy vende ku gjithçka e kontrollonte Sigurimi, policia e fshehtë, që kishte instaluar institucionin e spiunimit, deri edhe si ai i Pavlik Morozovit, që denoncoi babanë e tij. Mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e sidomos Moska, nga ana e autorit na jepet me saktësinë e atij që ka jetuar vite me radhë në ato kohëra.
E folura, psikologjia, devotshmëria, shtirja, propaganda, përrallat e, deri fjalët e urta, si p.sh.; kur Vilnëvi thotë: “Për fat të keq, erdhëm me rregullat tona, në manastirin e të tjerëve”, i japin atij kolorin e asaj zymtësie gri. Autori, falë kulturës së spikatur, na fut edhe neve në atë realitet të gënjeshtërt. Asgjë nuk dallon nga “Arkipelagu…” i Sollzhenjicinit.
Varfëria po ajo, frika po ajo, egërsia e pasuesve të Feliksit po ajo, torturat po ato, urrejtja për komshiun po ajo, akuzat për gjoja trockizëm të njëjta, kulti i individit dhe glorifikimi po ai, shkëputja e udhëheqësve nga hallet e popullit dhe darkat me orgji nëpër daça, gjithashtu. Ja, kjo është klima në Rusinë e asaj periudhe, që duam s`duam, ishte shumë më liberale në kohën e Romanovëve.
Robert Martiko, ka përdorur me sukses edhe legjendat si ajo e Vihelm Telit, apo histori si ato të Mazanielos e Taras Bulbës, si dhe fragmente nga mitologjia a filozofia që nga Platoni e Aristoteli e, deri te Niçja. Ato futen natyrshëm si paralele në rrëfimin e tij dhe shërbejnë si shesh-pushime, nga ngarkesa e ligësive të përditshmërisë sovjetike. Edhe ajo që mund ta quajmë dashuri e rrëfimtarit me Raisën, babai i të cilës, është hetues në Lubjankë, jo vetëm i duhet romanit, por vjen edhe si thyerje e monotonisë dhe si shpresë.
Në përgjithësi, fëmijët janë më të sinqertët dhe pa paragjykime. Mes atyre nuk ka djallëzi, ndaj të vjen keq kur mendon sesi do të bëhen ata kur të rriten. A do ta arrijnë dot atë që thuhet në libër se: “Liria e lindur nga ndërgjegjja e qetë, është e aftë të përballojë të keqen me dinjitet. Nuk ka gjë më të mrekullueshme nga liria me përmbajtje lartësuese. Jo për të arritur përsosmërinë, por për të mundësuar që njeriu me pikësynim më të lartën, të tejkalojë vetveten”.
Përmenda më sipër Bazhanovin, e arratisur nga ai realitet dhe nuk mund të lë pa përmendur edhe një konkluzion të tijin: “Stalini ishte pjellë e sistemit komunist. Sistemi komunist krijoi një klimë të tillë, në të cilën pushtetmbajtësit, tërë veprimtarinë e tyre, e konceptonin si një luftë të pandërprerë me kundërshtarët e trilluar, me klasat dhe grupet armiqësore, me kundërrevolucionarë, me sabotatorë, duke ua hedhur fajin e dështimeve të tyre të njëpasnjëshme, armiqve imagjinarë, ndaj dhe vazhdimisht bënin thirrje për represione, për vrasje dhe për shtypjen e të gjitha të drejtave dhe ndjenjave njerëzore. Në një truall të tillë, Stalinët mund të mbijnë dhe të lulëzojnë në çdo kohë”.
E pra, këto fjalë të arta, nuk i kam thënë as unë e as Robert Martiko, por sekretari i Stalinit, njeriu më i besuar i tij. Unë vetëm desha të kujtoj se shoqëria jonë sot, më shumë se kurrë, ka nevojë të domosdoshme të njihet me libra të tillë, si ky i mjeshtrit të dijes dhe penës, Robert Martiko, nga më të mirët e viteve të demokracisë, ku i bëhet thirrje logjikës, ta njohë atë që ka ngjarë dhe ta dënojë me ashpërsi morale, pa nostalgjira, që vetëm pengesë janë në ecjen tonë drejt Evropës//Memorie.al