Shqipëria duhet të ketë një skemë të re për pensionet, që do të bazohet në rritje të moshës për të dalë në pension brenda vitit 2027, kur pritet të mbyllen negociatat me BE.
Lidhur me këtë u diskutua edhe ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv ku zv.ministrja e Ekonomisë Olta Manjani tha se kjo reformë tashmë ka nisur, ndërsa janë bërë diskutime edhe me ekspertët e Bankës Botërore.
Sipas Manjanit, kërkesa kryesore e BE është që të ketë një barazim mes moshës së burrave dhe grave për daljen në pension që duhet të jetë në 67 vjeç, para vitit 2056.
‘Ne reformën e fundit të pensioneve e kemi pasur një dekadë më parë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe duhet ndërmarrja e një reformën e re. Është një reformë e cila ka filluar dhe po diskutohet edhe më ekspertët e Bankës Botërore dhe BE në këtë kontekst ka kërkesat e veta për mënyrën se si e sheh reformën në skemën e pensioneve. Ne në kontekstin e reformës së pensioneve i kemi kërkuar BE një periudhë tranzitore që është një praktikë që ndiqet shpesh dhe jemi ende në fazë diskutimi se sa do të jetë kjo periudha e tranzicionit dhe ka të bëjë me barazimin e moshës së pensioneve mes burrave dhe grave. Kushti i BE është që të ketë një barazim mes moshës së burrave dhe grave. Ne moshën e daljes në pension po e rrisnim me 2 muaj çdo vit dhe gratë dalin në 61- vjeç dhe dy muaj, ndërsa për burrat të cilët dilnin ne pension 65 vjeç është parashikuar që deri në vitin 2056 të kemi barazim të daljes në pensione për burrat dhe gratë që do të jetë 67- vjeç. Por BE kërkon që kjo periudhë tranzitore që jetë më e shkurtër, pra të ndodh para vitit 2056’, tha ajo.
Teksa u ndal tek anëtarësimi i vendit në BE, Manjani tha se brenda vitit 2027 synohet mbyllja e negociatave me BE.
‘Grupkapitulli i 3 ka në qendër konkurrueshmërin dhe rritjen gjithëpërfshirëse, ku përfshihen politika fiskale, taksat, politikat e punësimit dhe ato sociale dhe politikat që lidhen me sektorin e kulturës. Janë politika që prekin sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Është një proces i gjerë dhe sa teknik, por që përfshin edhe element të rëndësishëm jo vetëm për këtë grupkapitull, por edhe për grupkapitujt e tjerë. Ne synojmë mbylljen e negociatave në 2027’, tha ajo.
Manjani deklaroi se Bashkimi Evropian vijon të mbështesë fuqimisht integrimin evropian të Shqipërisë.
‘BE është mbështetës i integrimit të vendit në BE dhe në Bruksel pak ditë më parë u rikonfirmua vullneti i mirë që ka BE deri në anëtarësimin me të drejta të plota të vendit. Procesi teknik parashikohet të mbaroj deri në 2027’, tha ajo.
Komente
