Përqëndrim të pushtetit të duart qeverisë, e quan Partia e Lirisë reformën e re të ujit dhe krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit.
Zv. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj force politike, Brunilda Haxhiu, thotë se kjo reformë do t’i lerë qytetarët pa shërbim dhe do të pasurojë klientelën politike të qeverisë.
“Edi Rama jo vetëm që nuk mban asnjë përgjegjësi për dështimin spektakolar të qeverisë dhe të bashkiakëve që i shërbejnë, por fshihet pas prezantimit të të ashtuquajturit Operator Kombëtar të Ujit. Kjo reformë është si cdo ramaforme, një përqendrim i rrezikshëm i pushtetit dhe i fondeve publike në duart e tij dhe të oligarkëve të qeverise. Kjo reformë i lë bashkitë pa kompetenca, qytetarët pa shërbim, ndërsa klientela politike pasurohet çdo ditë.
Në këto 12 vite, miliona euro janë shpenzuar në emër të “investimeve” në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, por ajo që ka mbetur si trashëgimi janë aferat e mëdha korruptive dhe rroga të fryra për patronazhistë. Shqiptarët nuk kanë parë asnjë përmirësim në furnizim, përkundrazi, cilësia e jetës së tyre është përkeqësuar ndjeshëm”, deklaroi ndër të tjera Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë.
Deklarata e Brunilda Haxhiut:
Prej 12 vitesh, Edi Rama ka premtuar ujë të pijshëm 24 orë për çdo familje shqiptare. Sot, jo vetëm që uji i rubinetit është i papijshëm, por qytetarët përballen çdo ditë me ndërprerje të vazhdueshme të ujit.
Edi Rama jo vetëm që nuk mban asnjë përgjegjësi për dështimin spektakolar të qeverisë dhe të bashkiakëve që i shërbejnë, por fshihet pas prezantimit të të ashtuquajturit Operator Kombëtar të Ujit. Kjo reformë është si cdo ramaforme, një përqendrim i rrezikshëm i pushtetit dhe i fondeve publike në duart e tij dhe të oligarkëve të qeverise. Kjo reformë i lë bashkitë pa kompetenca, qytetarët pa shërbim, ndërsa klientela politike pasurohet çdo ditë.
Në këto 12 vite, miliona euro janë shpenzuar në emër të “investimeve” në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, por ajo që ka mbetur si trashëgimi janë aferat e mëdha korruptive dhe rroga të fryra për patronazhistë. Shqiptarët nuk kanë parë asnjë përmirësim në furnizim, përkundrazi, cilësia e jetës së tyre është përkeqësuar ndjeshëm.
Qytetarët janë përballur vazhdimisht me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, mungesë e cila ditët e fundit është shtuar edhe më shumë. Kjo situatë e përsëritur nuk është për shkak të një problemi teknik, por pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimit politik me ujësjellësin.
Në vend që të shërbejë për qytetarët, ujësjellësi është kthyer në një depo punësimesh politike. Pas kalimit të tij nga varësia e Bashkisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, problemet vetëm sa janë shtuar. Bashkisë iu reduktuan kompetencat për menaxhimin e këtij shërbimi jetik, dhe qeveria qendrore e ktheu ujësjellësin në një instrument për patronazhistë dhe militantë partiakë. Ndërsa tani , me Operatorin Kombëtar të Ujit, kompetencat e bashkisë thuajse asgjesohen.
Në të gjithë Shqipërinë ka mungesë furnizimi dhe humbje masive teknike të ujit, të cilat arrijnë deri në 70% në zonat periferike sipas Entit Rregullator të Ujit.
Ujësjellës kanalizime është shoqëruar nga administrata e fryrë dhe keqmenaxhimi. Ndërkohë që qytetarët vuajnë mungesën e ujit, Shpenzimet shkojnë për paga të administrates së fryrë dhe jo për investime reale në përmirësimin e rrjetit.
Qytetarët faturohen në mënyrë të paqartë dhe me tarifa të larta. Rreth 32% e konsumatorëve nuk kanë matës uji, ndërkohë që faturat bazohen në vlerësime arbitrare. Çmimi i ujit vazhdon dhe rritet edhe pse cilësia e ujit dhe shërbimit mbetet e dobët.
Tallja me qytetarët vazhdon. Rama në vend që të kërkojë falje dhe të mbajë përgjegjësi për dështimin e ujësjellës kanalizimeve, shpik struktura të reja qendrore, duke rrënuar vetëqeverisjen vendore dhe duke e kthyer çdo shërbim jetik në monopol të qeverisë së tij.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për hapjen e institucioneve te reja , si Operatori Kombëtar I Ujit, që të funksionojnë me të njëjtën skemë korruptive, por kësaj radhe të përqendruar totalisht në duart e qeverisë. Ata duan ujë të pijshëm në rubinetat e tyre, 24 orë në ditë. Pas 12 vitesh dështimesh, Rama ka vetëm një bilanc për t’u treguar shqiptarëve: varfëri, korrupsion dhe tallje në vend të mirëqenies, shërbimit dhe përgjegjësisë.
Komente
