Reforma në Diplomaci dhe të shkolluarit në Perëndim

16 Janar 2021, 09:42| Përditesimi: 16 Janar 2021, 09:44

  • Share

Shërbimi diplomatik ka qenë e  ka mbetur streha e familjarëve të pushtetit, të militantëve dhe po ashtu e favoreve. Ky shërbim edhe pse në thelb është ndër më të rëndësishmit, në fakt është përdorur apo keqpërdorur duke mos qenë kurrë në lartësinë e duhur. Ka pasur tentativa ndër vite apo nisma për ta reformuar dhe për t'i kthyer dinjitetin e munguar, por kanë dështuar duke e lënë në një pellg skandalesh dhe mungese të theksuar profesionalizmi.

Rrethat e Shqipërisë kanë ndryshuar duke bërë krahasime mes fillimin të viteve '90 dhe sot, atëherë shqiptarët iknin për bukën e gojës e ndërsa në gjithë këto vite ka plot të rinj e të reja që kanë studiuar në universitete të ndryshme perëndimore, që janë të realizuar profesionalisht e vazhdojnë të jetojnë në vendet që kanë kryer studimet.

Gjithmonë është diskutuar nevoja për të pranuar dhe stimuluar angazhimin e të rinjve që vijnë nga universitetet perëndimore. Këtu nuk e kam fjalën për fëmijët e deputetëve apo për farefisin e tyre, të cilët që kur dërgohen me studime jashtë e kanë të prenotuar edhe vendin e punës kur të mbarojnë e të kthehen. Për fat ky proces nepotizmi ka ndodhur ndër vite dhe është shitur si krijimi i hapësirave për të rinjtë që vijnë nga universitetet perëndimore. Në Perëndim ka mijëra e mijëra të rinj e të reja që nuk kanë të afërm në pushtet, që prindërit nuk i kanë deputetë apo ministra dhe për pasojë nuk kthehen ose kur jane kthyer, janë përballur me realitete të hidhura.

Nuk mund të bëhet politikë me rikthimin e të rinjve që vijnë nga Perëndimi, por ato mund të jenë e duhet të jenë element të rëndësishëm për të ofruar modele politike perëndimore kaq të nevojshme për shoqërinë tonë. Çështja e kthimit të atyre që kanë studiuar në Perëndim është çështje serioze e duhet të bëhet përmes programeve e projekteve serioze shtetërore.

Së pari, shumica e atyre që kanë studiuar në Perëndimi nuk kthehen e nuk angazhohen për arsye ekonomike, sepse kanë rroga shumë të mira në vendet ku jetojë, por nëse vendosin të kthehen e bëjnë si mision për t'i shërbyer vendit dhe Atdheut. Pra, kanë doza të rëndësishme patritizmi e për pasojë janë garantë për të pasur një angazhim serioz e frytdhënës.

Së dyti, ata vijnë nga eskperienca profesionale dhe universitare të bazuara në meritokraci dhe mungesa e një kriteri të tillë në Shqipëri pengon mundësinë reale që ata të japin maksimumin dhe të jenë po ashtu të suksesshëm. Pra, nëse nuk vendoset kriteri i meritokracisë, rikthimi i tyre jo vetëm nuk është i dobishëm, por mund të kthehet në bumerang për vetë ata.

Së treti, mundësia më e mirë dhe e dobishme është që shumica e tyre të futen në shërbimin diplomatik të Shqipërisë në vendet ku kanë studiuar,  janë realizuar profesionalisht dhe ku punojnë. Kjo do të ishte gjëja më e mirë për të reformuar shërbimin diplomatik të Shqipërisë, për të t'i dhënë dinjitet e merituar vendit, por edhe për t'i vleresuar përmes protagonizmit.

Jo të gjithë ata që kanë studiuar në Perëndim duhet të bëhen deputet në Shqipëri. Madje, unë jam i idesë që për shkak të cilëve të larta profesionale duhet të kenë rolin e teknokratëve në sektorët më të rëndësishëm të institucioneve shtetërore dhe po ashtu edhe në të gjitha nivelet e shërbim diplomatik.

Një ndër sfidat më të rëndësishme është reformimi i shërbimit diplomatik dhe futja e të rinjve që kanë studiuar e jetojnë jashtë në cilësinë e teknokratëve për të shërbyer në nivelet më të larta të institucioneve shqiptare. Shqipëria nuk ndryshon pa ndryshuar e reformuar institucionet, pa futur kriterin e meritokracisë dhe pa rritur nivelin dhe standardin profesional të atyre që përfaqësojnë institucionet dhe imazhin e Shtetit. Të rinjtë meritojnë më shumë vëmendje e më shumë përgjegjësi për vendin.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?