Eksperti i fushës së ligjshmërisë, Ilir Çepani thotë se reforma në drejtësi është e paralizuar. I ftuar në "Studio Live" në Report TV, ai tha se për reformën në drejtësi në Shqipëri nuk u aplikua një model i vendeve të tjera, dhe se SPAK nuk iu krijuan hapësirat e plota ligjore për të kryer operacionet.
“Reforma në drejtësi i dha SPAK një autoritet si strukturë e posaçme, duke e futur në këtë strukturë edhe një të re hetimore, BKH. Kjo reformë që u bë në Shqipëri nuk është aplikuar në asnjë vend të botës, pra është pjesë e nismës shqiptare deri në fund. U fol në fillim për një konsulencë dhe pas ishin agjencitë e vendeve kryesore si SHBA, Britania e Madhe por modeli që zgjodhën për këtë reformë është aplikuar vetëm me fjalën si strukturë e posaçme. Në Serbi me krimin e gjykatës së posaçme dhe në Kosovë gjykata tribunale e Kosovës. Pra në vende të tjera konsiderohen struktura të specializuara hetimore, që janë gjithnjë brenda sistemit të prokurorisë duke qenë të posaçme. SPAK nuk iu krijuan hapësirat e plota ligjore që të bënte ato operacione në fushën e hetimit proaktiv dhe reaktiv. Pra u ndoq një rrugë që se kanë vendet e tjera që duhet të përdorim si model”, u shpreh ai.
Duke marrë shembullin e Britanisë dhe Gjermanisë, ai tha se Prokurori duhet të varet nga ministri i Drejtësisë. Sipas tij, SPAK ka nevojë për riorganizim dhe se duhet të ndahet nga BKH.
“Reforma e drejtësisë nuk po themi dështim por është e paralizuar sot. Nisemi nga statistikat për këtë gjë. Çfarë duhet bërë? Nisma në Komisionin Xhafaj duhet të përfshijë në reformën në drejtësi, reformimin e disa strukturave. Ka mbivendosje e organeve të ndryshme si KED, KLD dhe KLP ndërkohë që kemi modele të mira, si italian dhe gjerman. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë që merren me performancën, karrierën dhe procesin disiplinor të magjistratëve. Në Itali, organi superior i administrimit të drejtësisë është organ tek po dominojnë gjyqtarët dhe prokurorët, por presidentin e ka formal. Ai ka në dorë të dekretojë vetëqeverisjen e brendshme të sistemit të drejtësisë. Pra, të mos merret politika e parlamenti. Unë dua të them që për të folur për SPAK, duhet të ndajmë institucionin e SPAK nga prokurorët. Institucioni i SPAK ka nevojë për reformim dhe kjo fillon me shkëputjen e agjencisë hetimore. Dumani pranoi se nuk i ka dot mundësitë dhe infrastrukturën të hetojë. Nuk e përballon dot me 23 prokurorë me mijëra kallëzime.”, u shpreh Çepani.
Ai gjithashtu tha se brenda SPAK nuk ka një hierarki që të merret me problemet e brendshme që mund të lindin.
“Ana tjetër është se organi i prokurorisë ka sisteme dixhitale, por janë të pamjaftueshme se nuk ekzistojnë këto platforma nëse nuk integrohen sistemi policor dhe agjencitë e tjera. Secili organ kur zbatohen një protokoll ka ndarje përgjegjësish dhe detyra. Autoritetet që merren me mbikëqyerjen dhe kontrollin shikojnë ecurinë e hetimit. Pra, këta inspektorë mungojnë. Kjo duhet të korrigjohet. Por thembra e Akilit është reformimi dhe ndarja nga BKH ose të kalojë në modelin anglez e gjerman.”, u shpreh Çepani.
Komente
