TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka vendosur që të ngrejë një grup pune të përbashkët mazhorancë-opozitë për të përgatitur një paketë të re ndryshimesh për ligjet e reformës në drejtësi.
Report Tv mëson se ky grup pune do të përbëhet nga 3 deputetë të PS-së, më konkretisht Klotilda Bushka, Toni Gogu dhe Klevis Xhoxhi si dhe 2 përfaqësues nga Partia Demokratike, Gazmend Bardhi dhe Dhurata Çupi.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka është shprehur se nevoja për ndryshime ka ardhur pas raportimeve të krerëve të institucioneve të pavarura, me qëllimin për të përmirësuar funksionalitetin e sistemit të drejtësisë, por pa e specifikuar konkretisht se për çfarë bëhet fjalë.
“Me vendim të Kryesisë së Komisionit në vijim të raportimeve të institucioneve të pavarura dhe të nevojave që ngritën institucionet e drejtësisë për disa ndryshime në kuadër të përmirësimit të funksionalitetit të sistemit të drejtësisë është ngritur një grup pune me përfaqësues nga PD dhe PS që po punon së bashku me ekspertët dhe partnerët ndërkombëtar për adresimin e këtyre shqetësimeve”, është shprehur Bushka.
Më herët, një nga pikat që qeveria ka propozuar ndryshime ka të bëjë me ligjin për gjyqtarët dhe prokurorët, sipas së cilëve kush shkel ligjin pezullohet menjëherë nga detyra, duke i hequr mbrojtjen 3 ditore që ka aktualisht.