Anëtari i Kryesisë së PD-së, Enno Bozdo

‘Reforma territoriale ka reduktuar shërbimet për qytetarët’, Bozdo: BB e cilëson dështim, janë shtuar 13 mijë patronazhistë

18 Qershor, 13:39| Përditesimi: 18 Qershor, 13:44

  • Share

Anëtari i Kryesisë së PD-së Enno Bozdo, në një deklaratë për mediat shprehet se edhe Banka Botërore e ka cilësuar dështim Reformën Territoriale.

Bozdo thekson se reforma e iniciuar nga kryeministri Edi Rama ka reduktuar shërbimet për qytetarët.

“Banka Botërore ka folur qartë. Sipas një raporti të fundit të saj, Reforma Territoriale, ndryshe ulja e ndjeshme e numrit të bashkive, ka dështuar rëndë. Kjo reformë e njëanshme dhe pa konsensus politik, larg nga sa pretendon Edi Rama dhe qeveria e tij, ka reduktuar ndjeshëm shërbimet për qytetarët veçanërisht në zonat rurale.

Sipas Bankës Botërore, reforma territoriale e Edi Ramës ka rezultuar në shërbime publike të mangëta në zonat kritike, duke përfshirë furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve, transportin publik, arsimin, kujdesin për fëmijët dhe reagimin ndaj fatkeqësive. Ja pra sesi u katandis reforma territoriale, sukses i padiskutueshëm sipas Edi Rames, dështim i rëndë sipas PD dhe Bankës Botërore”, tha ai.

Sipas tij, qeveria po përdor 13 mijë patronazhistë më shumë, gjë që ka ndikim negativ tek shqiptarët.

“Jo vetëm që nuk janë kursyer fondet publike, siç premtoi në 2015 Rama, por numri i punonjësve nga rreth 19 mijë përpara reformës, ka vajtur mbi 32 mije pas reformës. Siç kuptohet qarte, diferenca prej 13 mijë punonjësish nuk është gjë tjetër veçse 13 mijë patronazhistë me të cilët Rama krenohet gjithandej. Sipas llogarive, një patronazhist i këtij lloji i kushton shqiptarëve, duke llogaritur rrogën dhe sigurimet shoqërore, rreth 4500 euro në vit. Kjo është mënyra e re, brutale dhe aspak e sofistikuar, e blerjes së votës në fillesë, me paratë publike, në justifikimin e reformave të këtij lloji”, tha ai.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?