Ylli Asllani

Reforma territoriale, Rithemelimi: PD e vetëdijshme se PS do rrëzonte propozimin! Nuk do na pengojë për të paraqitur alternativën me 97 bashki

1 Nëntor 2022, 15:56| Përditesimi: 1 Nëntor 2022, 16:09

  • Share

Rithemelimi ka reaguar për Reformën Territoriale që u diskutua dje në Kuvend duke thënë se PD është e vetëdijshme se PS do të rrëzonte propozimin e tyre. Në një deklaratë për mediat, Sekretari për Pushtetin Vendor, Ylli Asllani u shpreh se PS pati qëndrim denigrues ndaj përpjekjeve të PD për përmirësimin e hartës territoriale.

Pavarësisht kësaj thekson se nuk do të ndalen për të paraqitur alternativën me 97 bashki.

“Qëndrimi denigrues i PS-së ndaj përpjekjeve të PD për përmirësimin e hartës territoriale, nëpërmjet Taulant Ballës, ishte shprehje e përbuzjes së Rilindjes ndaj interesave jetike të qytetarëve. Partia Demokratike është e vetëdijshme për falsitetin dhe kulisat paraelektorale të Edi Ramës, e vetëdijshme se ajo do ta rrëzonte propozimin tonë. Kjo dijeni nuk na pengoi dhe nuk do të na pengojë për të paraqitur alternativën tonë. 

Angazhimi i PD në përgatitjen e një projektligji për përmirësimin e Reformës administrative territorial, u krye jo si qëllim politik në vetvete, por në respekt të pritshmërive të qytetarëve për të ndryshuar katastrofën që shkaktoi ndarja territoriale e vitit 2014”, tha Asllani.

Ndër të tjera u shpreh se nuk kanë besim se Rama do të ofrojë vullnet politik për të mirën e qytetarëve dhe reformave që përmirësojnë jetën e tyre. Gjithashtu përmend arsyet përse sipas Rithemelimit ka rënë reforma e PS duke renditur edhe pasojat që ka sjellë.

“Në prag të fushatës për zgjedhjet vendore, PD ofroi një alternativë në interes të shërbimit publik, zhvillimit rajonal dhe të vendit. Ne theksojmë një fakt kur themi se reforma e PS ka rënë pikërisht në katër shtyllat kryesore mbi të cilat u ngrit:

1. Dështoi në rritjen e eficiencës ekonomike të njësive të reja.

2. Solli centralizim të pushtetit te kryebashkiakeve duke shkatëruar  decentralizimin dhe forcimin e vetëqeverisjes vendore.

3.Goditi përfaqësimin e qytetarëve në bashkëqeverisje, demokracinë vendore dhe llogaridhënien.

4.Dështoi në nxitjen e zhvillimit ekonomiko- social dhe zbutjen e varfërisë.

Pasojat:

• Shpopullim masiv i territorit të vendit

• Kolaps dhe falimentim i bashkive.

• Shembja e demokracisë vendore, llogaridhënies dhe rilindja e korrupsionit masiv

• Shërbime publike të pambuluara financiarisht e larg qytetarit dhe kërkesave të komunitetit.

• Falimentime të Shërbimit të ujësjellësve dhe kanalizimeve.

• Korrupsion masiv në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ato urbane

• Dorëzimin para rreziqeve të zjarreve dhe përmbytjeve.

•  Falimentimi i fermerëve dhe aktiviteteve agroindustrial.

Sa kohë kjo ndarje administrative vazhdon, pasojat i vuajnë qytetarët”, tha Asllani.

Në përfundim, bëri thirrje që të gjithë të marrin pjesë në protestën e 12 nëntorit për të rrëzuar Edi Ramën.

Ditën e djeshme, Kuvendi u mbyll pas gati 6 orë e gjysmë debat mes palëve për Reformën Territoriale ndërsa seancën e ardhshme pritet të mësohet se cili propozim do të votohet për ndarjen e re territoriale. PS propozon që të mbeten 61 bashki ndërsa PD propozon 94 bashki. Rithemelimi propozon 97 bashki, por mazhoranca ka theksuar se nuk merr parasysh asgjë që mban firmën e Sali Berishës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?