‘Reforma Zgjedhore po zvarritet’, PAA thirrje ndërkombëtarëve: Ndërhyni për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë

20 Qershor, 12:57| Përditesimi: 20 Qershor, 13:02

  • Share

Partia Agrare Ambientaliste ka shprehur shqetësimin lidhur me zvarritjen, që po i bëhet reformimit të sistemit zgjedhor.

Në një deklaratë për media, PAA ia ka bërë thirrje zyrës së OSBE, Ambasadës së SHBA dhe Delegacionit të BE që të ndërhyjnë për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë.

Një thirrje PAA e ka edhe për dy partitë e mëdha PS dhe PD.

“Ne i bëjmë thirrje dy partive që mbajnë edhe kryesimin e këtij komisoni, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, që të bëjnë hapa para dhe urgjente për të kapur afatet kushtetuese. Ne i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ushtrojë ndikim e tij për të demokratizuar ligjin zgjedhor, pa pritur minutat e fundit. Nga ligji zgjedhor do të varet standardi i zgjedhjeve. Ligji aktual është bërë për ti garantuar mbështetje atij që ka pushtetin dhe për të ndëshkuar të tjerët”, thotë PAA.

Teksa përsëriti edhe thirrjen e Celibashit që i kërkoi Kuvendit të marr masa për votën e diasporës, PAA, kujtoi se për këtë çështje ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili duhet të zbatohet.

“Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Z.Ilirian Celibashi, pak ditë më parë i kujtoi sërish Kuvendit se duhej të ndërmerrte ndryshimet ligjore për ti hapur rrugën KQZ-së të ngrinte infrastrukturën për votën e diasporës. Kjo sërish nuk po ndodh! Duhet të jetë e qartë që nëse Kuvendi nuk bën plotësim që vendimi i GJK kërkon, më vjen keq të them se nuk do të jetë e mundur të zhvillohet votimi nga jashtë për vitin 2025 dhe KQZ të ketë rol në këtë pjesë” – kjo ishte deklarata e Z.Celibashi vetëm 10 ditë më parë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, duke paralajmëruar se as në 2025 shqiptarët që jetojnë jashtë nuk do të votojmë. Kujtojmë se për këtë çështje ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, I cili duhet zbatuar. Kjo nuk varet nga vullneti i Partisë Socialiste. Vendimet e gjykatës nuk duan vullnet politik, por janë detyrim për tu zbatuar. Ne si Parti Agrare Ambientaliste presim ndërhyrje thelbësore në Kodin Zgjedhor, për të lejuar koalicionet parazgjedhore dhe për të hapur listat, në mënyrë që të krijohet frymëmarrje për partitë e vogla, dhe për tu dhënë mundësi garimi të barabartë edhe subjekteve të reja politike”, thotë PAA.

 

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?