TIRANË-Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti një grup deputetësh të opozitës, për të diskutuar çështje të Reformës Zgjedhore. Në takim morën pjesë deputetët Krenar Rryçi, Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Vasil Steriovski dhe Zef Shtjefni.
Deputetët i paraqitën Ruçit kërkesat për përfshirjen në Reformën Zgjedhore të sistemit proporcional kombëtar, listave të hapura, heqjen e pragut elektoral, votimin e emigrantëve, identifikimin biometrik të votuesve, ndalimin e financimit të partive në fushatat zgjedhore nga buxheti i shtetit etj.
Ai i garantoi deputetët opozitarë se propozimet për nismat ligjore t’i formulojnë e t’i paraqesin dhe ato do të diskutohen në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në komisionet e Kuvendit dhe në seancë plenare.
Sipas Ruçit, procedurat parlamentare që do të ndiqen do të respektojnë plotësisht të drejtën e secilit deputet për të propozuar, diskutuar, shqyrtuar, votuar ose kundërshtuar nismat ligjore që paraqiten në Kuvend.
Deputeti i Opozitës, Zef Shtjefni pas takimit tha se Ruçit ia bënë të qarta kërkesat e ai i mirëpriti dhe theksoi se ata nuk bien dakord me nenin 68 të Kushtetutës që ndal rrotacionin politik në Shqipëri.
"Janë shpërndarë të gjitha kërkesat, ia bëmë të qartë kërkesat dhe i mirëpriti. Të kthehen në amendamente të gjitha pikat. Cdo gjë do të ndodhë sipas institucioneve. Nuk biem dakord me nenin 68 të Kushtetutës ky lloj neni ndal rrotacionin politik në Shqipëri dhe s'do ta ndaloj, nuk do të shkruajmë fundin me votat tona", është shprehur Zef Shtjefni.