Speciale

Refugjatët të rënë në 'çarkun' midis kufirit Shqipëri-Greqi! Report Tv depërton në tokën neutrale, sjell dëshmi ekskluzive të emigrantëve të paligjshëm

14 Tetor 2021, 09:53| Përditesimi: 6 Janar 2022, 16:50

  • Share

Në kufirin e gjelbër midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë mbetur shumë emigrant nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia. Report Tv ka depërtuar në tokën neutrale dhe ka marrë dëshmitë ekskluzive të refugjatëve të paligjshëm që nuk pranon t’i strehojë asnjë shtet.

Nuk duan, por janë të detyruar të qëndrojnë midis dy kufijve emigrantët nga Lindja e Mesme. Tresteniku, fshati pranë kufirit të gjelbër Shqipëri-Greqi, mbart histori njerëzish që ikjen nga vendlindja e shohin vendin tonë si të vetmin shpëtim për jetën e tyre.

Kufiri i gjelbër mes dy shteteve fqinjë është populluar nga emigrantë të refuzuar.

“Jam nga Libani”- tregon njëri prej tyre.

Edhe ai si të gjithë ata që kanë mbetur si në grackë midis Greqisë dhe Shqipërisë ka një histori të cilën kërkon ta lerë pas, andej nga ku nuk dëshiron të kthehet më.

 “Jeta është shumë e vështirë në vendin tim. Ika për shkak regjimit të Hezbollahut, humba dhe syrin tim. Prandaj vendosa të iki.”- thotë emigrant që u bë edhe udhërrëfyesi jonë.

“Kam ardhur nga Siria. Tetë herë jam përpjekur të kaloj nga Turqia në Greqi. Jemi tortuar e kemi vuajtur shumë. Jam bashkë me vëllain dhe 4 persona të tjerë. Duam të shkojmë në Serbi dhe nga Serbia në Gjermani. Do të përpiqemi deri sa tia dalim.”- thotë një emigrant tjetër.

“U largova nga Siria përmes reporterëve pa kufij, qëndruam në pyll për më shumë se 15 ditë. Atje humbëm kushëririn dhe nuk gjetëm asnjë gjurmë të tij. Po shkoj në Gjermani pasi situata në vendin tim është shumë e keqe. Kam 10 ditë që jam në Shqipëri, por policia na pengon të kalojmë Tiranën. Në Greqi i jemi nënshtruar racizmit, jemi kërcënuar dhe rrahur nga ushtria greke.”- tregon një tjetër.

Ky është vetëm fillimi i tregimit të trishtë të tij, pothuajse i njëjtë me shumë histori të tjera të këtyre njerëzve që u duket se kanë përfunduar në zonën e kurrkundit.

“Frontex na pengon të kalojmë dhe të arrijmë në Gjermani. Dëshiroj të arrij në Evropë edhe nëse më kushton qe të vdes, pasi ky është qëllimi im për të jetuar me dinjitet dhe i sigurtë.”

Nga,Siria, Pakistani, Afganistani, Libia, Sudani, Irani e vende të tjera të Lindjes së Mesme, ata tregojne për Report TV peripecitë e përjetuara jo vetëm në shtetin e tyre por edhe për ato situata që kanë hasur gjatë rrugës.

“Erdha nga Turqia në Greqi, nga Greqia këtu me kontrabandistët... Vuajta gjatë rrugës, tani ndodhem këtu por ndjej se kam ngecur pasi edhe këtu situata është shumë e vështirë.”

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar raste të refuzimeve të paligjshme dhe keqtrajtime të emigrantëve duke shkelur sipas tyre të drejtat e azilkërkuesëve për kalim të sigurt dhe mbrojtje. Për verifikimin e tyre, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë nisur edhe hetimet përkatëse për shtetet kufitare dhe agjencinë e ruajtjes së kufirit.

Kroacia dhe Greqia janë në rrugën ballkanike, e cila përdoret nga emigrantët që ikin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë drejt Evropës Perëndimore. Emigrantët përpiqen të hyjnë në Kroaci kryesisht nga Bosnja, në Greqi mbërrijnë nga deti dhe toka nga Turqia.

Sapo lenë Greqinë për të hyrë në Shqipëri, përballen me FRONTEX, Agjencia Evropiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm e cila këtë vit ka rinovuar marrëveshjen me Shqipërinë për mbrojtjen e kufijve nga emigracioni i paligjshëm dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore.

FRONTEX dhe Shqipëria firmosën në vitin 2019, marrëveshjen për patrullimin e kufirit të gjelbër Shqipëri-Greqi, e para e këtij lloji e nënshkruar me një shtet jashtë Bashkimit Evropian.

Sot kjo agjenci vazhdon patrullimin dhe është shndrruar në një mur me gjemba për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

“Frontex i ka ndaluar të gjithë dhe ne nuk mund të lëvizim prej këtu. Nëse ne duam të ikim, na kapin dhe na kthejnë mbrapsht. Nëse do që të ikësh në Greqi, të kapin dhe të sjellin këtu. Ne kemi mbetur midis dy kufijve tani. Nuk mund të shkojmë majtas e nuk mund të shkojmë as djathas. Nuk dimë ku të shkojmë.”

“Ne po rrezikojmë jetën tonë për të arritur në Evropë, Shqiptarët nuk duan të na hapin rrugën për të parë jetën në Siri.  Andej ka luftë dhe nuk pasiguri, ndërsa këtu familjet vdesin nga i ftohti.  Kombet e Bashkuara duhet të na ndihmojnë që të arrijmë në Evropë.”

Në këtë çark kanë ngecur edhe gra e fëmijë.

“Policia shqiptare na dërgon atje, policia greke na sjell këtu, ku duhet të shkojmë?

Një fëmijë më vdiq, nuk se c'duhet të bëj, ku të shkojmë...

Nuk ka asnjeri që të na ndihmojë... Qëndruam 3 vjet në Greqi, Turqia na refuzoi, prandaj po kërkojmë një vend tjetër sepse vendi ynë është në luftë, s'mund të qëndrojmë në Afganistan. Fëmijën e kam sëmurë, dje ishim në një kamp, sot na sollën këtu... Po cmendem, bashkëshorti thotë të kthehemi në Greqi, por është shumë e vështirë të shkojmë atje...”

Të gjithë na thonë se kufiri i gjelbër për ta është më shumë se i zi, pa kushte, e shumë pranë cakut të mbijetesës.

“Jeta këtu është cmenduri. Nëse dikush do të përjetojë, nuk do ta harrojë gjithë jetën. Të uritur, ftohtë, të frikësuar. Nuk trembesh nga kafshët, por nga njerëzit e tjerë që vijnë e të drejtojnë armët, e të thonë më jep të gjitha paratë, telefonin dhe ti s'mund të bësh asgjë. Ua jep të gjitha….Pse zoti i ndëshkon gjithë këta njerëz…”

Refugjati nga Libani bëhet udhërrëfyesi ynë. Nëpërmjet tij ne arrijmë të depërtojmë në tokën neutrale.

Aparati celular është mundësia jonë e vetme për të sjellë dëshmitë ekskluzive nga territori që ndan Shqipërinë me Greqinë.

Të vendosur nëpër cadra prej disa javesh mes temperaturave te ulta pa asnjë kusht higjeno sanitar,me mungesë të theksuar të ushqimeve, veshmbathjeve apo edhe batanijeve refugjatët apelojnë për ndihmë.Një lutje që lind çdo mëngjes me ta dhe perfundon cdo mbrëmje ku koka prek tokën e lagësht dhe të ftohtë.

'Këtu pimë ujë, këtu lahemi vetë dhe po këtu lajmë edhe rrobat. Ky është i vetmi vend me ujë për ne. Nuk kemi zgjidhje tjetër.'

Për t’u ushqyer marrin rrugën në fshatin më të afërt, Tresteniku.

Banorët e fshatit kufitar, janë dëshmitarët e jetës që u duhet të jetojnë të ikurit nga lufta, varfëria, keqtrajtimet.

‘Ka shumë nga ata dhe janë të zhveshur, janë zbathur, flenë në dëborë, në shi, lumi komplet me refugjatë të huaj. Ja dhe fëmijë të vegjël ka...

Vetëm kanë kërkuar ndihmë, trazira jo nuk kanë shkaktuar, s’janë njerëz që bëjnë keq.’- u shprehën banorët e fshatit.

Kjo zonë kufitare me Greqinë i ka ende të freskëta ditë-netët e 30 viteve më parë, kur shqiptarët gjetën rrugë e mënyra të rrezikshme për të kaluar në shtetin fqinjë.

30 vjet më pas, vendin e tyre e kanë zënë shtetas të tjerë që kanë ëndërr Evropën.

‘Dhe ne kemi shkuar, por jo kaq keq, na kanë trajtuar mirë në Greqinë duke na dhënë tesha.’- tha një banorë.

Emigrantët nga zonat e Lindjes së Mesme duan ta përdorin Shqipërinë si urë për të arritur në destinacionet e planifikuara.

“Unë kam ardhur me shokët e mi nëpërmjet kontrabandistëve. Duam të shkojmë në cdo vend ku mund të kemi një jetë të mirë. Ndoshta në Gjermani sepse është vendi më i mirë në Evropë. Unë kam mësuar gjermanisht dhe do të jetë më e lehtë për mua.”

“Dua të shkoj në Gjermani për të jetuar atje. Në vendin tim i lashë edhe studimet, atje nuk ka siguri e stabilitet. Evropa tha se pranon refugjatë por ne gjetëm të kundërt dhe po jetojmë sot si në xhungël.”

Për të arritur këto shtete, kanë provuar të lidhen me trafikantë vendas e të huaj. Këtë na e konfirmojnë në bisedat jashtë kamerës, madje thonë se u kërkohen shuma të majme, pavarësisht se nuk u ofronin siguri për të mbërritur në destinacionin final.

Report Tv ka sjellë herë pas here dëshmi të rrugëtimit të paligjshëm të emigrantëve sirianë  drejt tokës së ëndërruar.

Sipas Raportit të Nismës Globale Kundër krimit të Organizuar Trans-Kombëtar, trafiku i emigrantëve të paligjshëm të Lindjes së Mesme nga Shqipëria drejt vendeve evropiane, ka gjeneruar 11,5 milionë euro fitime për trafikantët gjatë vitit 2020. Ndërsa në Ballkanin Perëndimor kjo shifër shkon në 29 milionë euro.

Emigrantët lidhen me kompani udhëtimi që organizojnë nisjen nga Greqia, mbërritjen në Shqipëri e deri kalimin në një vend evropian.

Kalimi i kufirit nga Kukësi në Prizren kushton rreth 200 euro. Ndërsa kalimi i kufirit nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në Itali varion nga 3 mijë deri në 5 mijë euro. Emigranti i paligjshëm paguan rreth 70 euro për transportin nga pika hyrëse në Shqipëri deri në Tiranë.

Nga kryeqyteti dërgohen në Hanin e Hotit në kufi me Malin e Zi ose në Morinë në kufi me Kosovën. Një tjetër rrugë është përmes detit ku emigrantët udhëtojnë nga Durrësi dhe Vlora ilegalisht për në Itali.

Rreth 12 mijë emigrantë të paligjshëm u kapën në Shqipëri vitin 2020. Në kalvarin e përpjekjeve për të ikur, edhe janë gënjyer dhe zhvatur nga trafikantët.

Pavarësisht të gjitha këtyre peripecive, emigrantët nga Lindja e Mesme e shohin Shqipërinë si të vetmen rrugë drejt shteteve të Evropës.

“Unë do ta hap këtu varrin tim, do të vdes këtu dhe në Greqi nuk kthehem, Nuk kam ndërmend të ndaloj, do të vazhdoj nga ana tjetër, s'kthehem pas. Kur ika nga vendi im, nuk e ktheva më kokën pas, edhe sikur të vdes do të vazhdoj të eci para.”

Nëse kthejnë kokën pas, thonë se i pret ferri. Nëse qëndrojnë në këtë korridor të harruar, nuk dinë sit ë vazhdojnë mbijetesën, por kur hedhin vështrimin përpara, tej kufirit shqiptar, shohin dritën e jetës së re. Tashmë ëndrrat janë gjithçka u kanë mbetur.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Aida: 14/10/2021 13:34

    Duhet ndertuar nje gardh i madh sic po bejne polaket dhe lituanezet.

    Përgjigju
  • Shkodrani-belgjike: 14/10/2021 12:32

    Merrni ndihmoni ata gra e fmi se eshte gjynah.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?