Bota

Refuzohet kërkesa e ish-presidentit Trump për të bllokuar të dhënat rreth 6 janarit

10 Nëntor 2021, 11:17| Përditesimi: 10 Nëntor 2021, 12:50

  • Share

Një gjykatëse federale refuzoi kërkesën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për të bllokuar qasjen Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që heton trazirat e 6 janarit të këtij viti në Kapitol, në dokumente të Shtëpisë së Bardhë të kohës kur ai ishte në detyrë.

Gjykatësja, Tanya Chutkan refuzoi të lëshonte një urdhër paraprak të kërkuar nga avokatët e zotit Trump. Chutkan tha se presidenti Joe Biden ishte "në pozitën më të mirë” për të përcaktuar nëse do të hiqte dorë nga privilegji ekzekutiv për dokumentet e kërkuara nga Dhoma e Përfaqësuesve.

"Në fund të fundit, kjo është një mosmarrëveshje midis një ish presidenti dhe atij aktual", shkroi ajo. “Dhe Gjykata e Lartë e ka bërë të qartë tashmë se në rrethana të tilla, pikëpamjes së presidentit aktual i jepet peshë më e madhe”.

Zoti Trump "nuk e pranon respektin që i detyrohet" gjykimit të zoti Biden si president aktual, tha gjykatësja Chutkan. Megjithatë, shtoi ajo, "presidentët nuk janë mbretër dhe paditësi nuk është president".

Arkivi Kombëtar ka thënë se do të dorëzojë të dhënat deri të premten, nëse nuk ka një urdhër gjykate që e ndalon një gjë të tillë. Pak minuta pas publikimit të urdhrit të gjykatëses Chutkan, ish presidenti Trump tha se do të dërgojë çështjen në Gjykatën e Apelit. Çështja ka të ngjarë të arrijë përfundimisht në Gjykatën e Lartë amerikane.

Presidenti Biden kryesisht hoqi dorë nga privilegji ekzekutiv mbi të dhënat që do t'i jepeshin komisionit, të cilat përfshijnë regjistrat e thirrjeve, skicat e fjalimeve dhe shënimet e mbajtura me dorë nga shefi i atëhershëm i kabinetit të zotit Trump, Mark Meadoës. Ka gjithashtu kopje të pikave të bisedave të zëdhënëses së atëhershme Kayleigh McEnany dhe "një projekt Urdhri Ekzekutiv mbi çështjen e integritetit të zgjedhjeve", ka thënë Arkivi Kombëtar.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve u formua për të hetuar rrethanat e kryengritjes vdekjeprurëse, në të cilën mbështetësit e ish-presidentit kërkuan të përmbysnin rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Ish presidenti Trump ka sulmuar vazhdimisht punën e komisionit dhe ka vazhduar me teoritë konspirative të pambështetura rreth zgjedhjeve.

Në padinë e tij për të bllokuar dorëzimin e dokumenteve nga Arkivat Kombëtare ish presidenti Trump e quajti kërkesën komisionit "ekspeditë peshkimi bezdisëse dhe të paligjshme", e cila "nuk ka të bëjë me asnjë qëllim legjitim legjislativ". Lejimi i Dhomës që të ketë qasje në të dhënat e tij do të dëmtonte privilegjin ekzekutiv për presidentët e ardhshëm, argumentuan avokatët e zoti Trump.

Gjykatësja Chutkan tha se "interesi publik qëndron në lejimin - jo urdhërimin – e vullnetit të kombinuar të degëve legjislative dhe ekzekutive të pushtetit për të studiuar ngjarjet që çuan në dhe ndodhën më 6 janar, dhe për të shqyrtuar legjislacionin që do të parandalonte përsëritjen e ngjarjeve të tilla”.

Ligjvënësi Bennie Thompson, që kryeson komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve, i tha rrjetit CNN se vendimi i gjykatëses Chutkan ishte "një punë e madhe" dhe tha se zoti Trump duhet t’i jap fund sjelljes si një "çun i llastuar"./VOA/

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?