'Krisje' mes Myrto Uzunit dhe Granadas. Marca raportoi dje se kapiteni i spanjollëve dhe sulmuesi i Kombëtares ka një ofertë nga MLS në SHBA dhe për këtë refuzon të stërvitet pasi kërkon edhe rritje page.
Diçka e tillë u cek edhe nga trajneri Fran Escriba.
“Kur u kthyem nga pushimet ai erdhi dhe tha se nuk e shihte veten në gjendje të stërvitej dhe nëse nuk stërvitet nuk ka rëndësi. Ai vazhdon me atë pozicion që nuk dëshiron të stërvitet me skuadrën, nuk mund të detyroj askënd të stërvitet dhe nëse nuk e bëjnë, nuk e llogaris”, tha Fran Escriba, trajneri i Granadas.
Mirëpo në kanalet e komunikimit është përgjigjur edhe Uzuni duke treguar dashurinë për qytetin dhe klubin, teksa shton se shpejt do dëgjojnë edhe pjesën tjetër të historisë.
"Si kapiten i këtij ekipi, njerëzit që më njohin e dinë se sa e dua Granadan dhe këtë qytet. Prisni të dëgjoni pjesën tjetër të historisë. Granada gjithmonë", shkruan Uzuni.
Mediat spanjolle raportuar se Myrto Uzuni ka kërkuar rritje page ose të pranonin ofertën e klubit FC Austin nga MLS (SHBA) dhe ky është shkaku që nuk pranon të stërvitet. Por, siç duket diçka e tillë nuk është e vërtetë dhe mes palëve mund të ketë një “krisje” të marrëdhënies mes tyre.