Do të nisin protestat?
Për të rrëzuar një regjim nevojitet fuqi shpirtërore dhe epërsi morale. Njëjtë si për të dëbuar një pushtim që të nevojitet fuqia spirituale e cila të buron prej pasjes të drejtë. Regjimet nuk mposhten teknikisht.
Për të pasur epërsi morale duhet të kesh atë çka regjimi nuk e ka. Ai ka hajdutë, ti sduhet të kesh hajdutë. Ai ka mediokër, ti sduhet të kesh mediokër. Ai manipulon votën, ti sduhet të jesh manipulues. E kështu me radhë.
Në momentin kur ti i ke të gjitha vetitë që ka regjimi, vjedhjen, pazarin, dhunën, manipulimin, agresivitetin, mediokrit, palaçollikun, kultin e individit, ti me regjimin ke dallim veç sasior; dmth regjimi abuzon më shumë se ti sepse ka shtetin në dorë, ndërsa ti nuk e ke shtetin. Por nuk ke dallim substancial. Kur nuk ke dallim substancial, nuk ke epërsi morale e spirituale. Kur të mungojnë këto, të mungon një armë e fortë (simpatia dhe aprovimi popullor). E kur të mungon kjo armë kryesore, lufta me regjimin kthehet në luftë teknike. Dhe luftën teknike e fiton gjithmonë regjimi, ngaqë disponon më shumë mjete teknike.
Protestat kur nuk kanë epërsi morale, intelektuale dhe spirituale, shihen nga njerëzit si rebelim i kufizuar me qëllim për të faktorizuar një taraf të larguar nga pushteti para 12 vjetësh. Prandaj nuk gëzojnë aprovim masiv popullor. Janë protesta teknike. Është provuar për 12 vjet rresht me protesta teknike pa epërsi në kauzë e në qëllime. Rezultati: diferencë e thellë në favor të regjimit
Regjimet, si kusht për të mbijetuar kanë ose burgosjen e kundërshtarëve, ose korruptimin dhe blerjen e kundërshtarëve. Burgosja politike dhe asgjësimi i opozitës është e pamundur sepse jemi midis Europës e nuk ta lejon sistemi. Mbetet veç blerja. E kur regjimi të blen ai të përdor si badigard për t'i ruajtur derën që të mos hyjë dikush i padëshiruar. Ti si badigard e kryen punën me pasion të madh sepse nuk dëshiron të vijë dikush tjetër e të punësohet në vendin tënd, më mirë ti.
Për tu legjitimuar mandej të nevojiten protestat dhe egërsia fallso kundër regjimit, sepse nuk ke si të justifikohesh ndryshe, nuk ske si t'i përgjigjesh ndryshe pyetjes se pse nuk reformohesh, pse mban hajdutë, delenxhinj, analfabetë, fodullë, tipa antipatikë. Me pak fjalë, është kurth i madh.
Komente
