Regjisori Armand Bora

Regjisori Armand Bora, rrëfim për premierën 'Udha e qumështit'

14 Tetor 2018, 10:13| Përditesimi: 14 Tetor 2018, 10:20

  • Share

Armand Bora e quan një eksperiencë të bukur punën që ka nisur për premierën e re “Udha e Qumështit”. Bëhet fjalë për një monodramë që do të mbajë në skenë për 1 orë e 30 minuta vetëm një aktore.

Ajo është Egla Ceno, e cila do të performojë para publikut një dramë të fortë, me ngjyra humori dhe ku rrëfehen të vërteta të rëndësishme që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me historinë tonë.

Regjisori Bora, në një intervistë për “Shqiptarja.com” shprehet se “ngjitja në skenë e kësaj drame, është një punë dhe eksperiencë e bukur bashkëpunimi me Eglën në realizimin skenik të dramës “Udha e qumështit”. Sipas regjisorit Bora, Egla do të jetë një personazh i rëndësishëm në këtë histori, gruaja me të cilën L. Z. ka debatuar në radhën e qumështit; është thirrur për të dhënë edhe ajo dëshminë e saj të mbushur tej e përtej me çudi, habi dhe revoltë.  Dhe drama e saj zhvillohet sipas kësaj skene:
“Heu! Dita pa u gdhirë! Koha për të blerë qumështin! Radhë e gjatë! Radhë nga burrat! Radhë nga gratë! Çudi! 22 Prill! Nuk do ta harroj kurrë! Vjen tjetra mënge-mënge! Kërkon llogari, pa le! Po tullë është moj, tullë! Të mos dijë tjetra se çfarë është tulla! Nuk i pëlqen tulla! Ja tregoj unë tullën! Heu, modernia! Ku vajti, erdhi makina e qumështit! Makinë e madhe! Shumë arka! Shumë qumësht! Mbylle gojën dhe merr qumësht! 
Uau! Nuk i pëlqen qumështi! Po patjetër se i pëlqen mjalti madamës! Heu! Ueu! Ueuuu! E ktheu! E derdhi! Syri nuk ja bëri, tër! Shishja bosh! Qumështi përdhe! I tëri! Edhe pikën e fundit! Iku, more iku! Serbes serbes! Ah pa ta kisha! Ah pa të isha! Iku! Ikëm edhe ne!
Në mëngjes! Koha për të shkuar në punë! Ueu! BÇ policie! Frenoi! Ndaloi! Për besë që ndaloi! Civilë! Dy civilë! Te hyrja e madamës! Doli madama! Po zbret madama! E ndaluan! E mbërthyen! E rrasën brenda! Ikën! Shkuan!”…

Regjisori Armand Bora gjatë viteve të fundit, në një mënyrë origjinale dhe të pavarur ka realizuar disa premiera të suksesshme si “Arturo Ui”, “Ata hyjnë pa trokitur”, “Princi i vogël” e shumë të tjera, jo vetëm në skenën e teatrit, por edhe atë të operës. Në intervistën për “Shqiptarja.com”, Armand Bora rrëfen se çfarë synon me ngjitjen e veprës “Udha e qumështit” në skenë. Është interesante se në këtë intervistë, regjisori Bora, edhe pse e quan të padrejtë mënyrën si është bërë arti në periudhën e diktaturës, shprehet se “megjithatë ky lloj arti nuk duhet lënë në harresë.”

Intervista

Armand, prej vitesh është vënë re se ju, ndryshe nga të tjerët, punoni me projekte individuale duke sjellë premiera kryesisht me sakrificat tuaja. A është kjo një distancë e juaja nga institucionet. Pse keni bërë këtë zgjedhje?

Nuk mund ta konsideroj zgjedhje, është e imponuar ku prodhuesi në Shqipëri ka shumë probleme. Nuk është shumë kollaj të ruash një vazhdimësi si pjesë e një institucioni. Kur je brenda institucionit ndryshojnë gjërat, kur je jashtë është më e vështirë, pra nuk është zgjedhja ime që të mos jem pjesë e ndonjë institucioni. Në një farë mënyre, unë jam përpjekur që të punoj si një regjisor i lirë dhe kjo ka ndikuar në një farë mënyre që të bëjë shfaqje me pak personazhe dhe minimaliste në aspektin e dekoreve, të cilat janë zgjidhje sa estetike, por aq edhe të detyruara, të imponuara, se nuk mund të bësh gabimin të realizosh diçka të përmasave të mëdha, kur nuk janë mundësitë. Por është për mua një eksperiencë vërtetë e mirë, sepse tekste të tilla, ose puna me pak aktorë të bënë që të shkosh drejt një shkolle të pune të mirë me teatrin, që të lidhësh punën e regjisorit më fort me aktorin ose të punosh në një mënyrë më të hollë me atë që është shpirti i njeriut ose fjala në skenë me vetitë e karaktereve që shpërfaqin. E konsideroj veten me fat për këto eksperienca. Por edhe të jep një mundësi të punosh me disa elementë ndihmesë, si ato të muzikës të dritave, etj. Nuk të del që të merresh me detaje, me atë që është shpirti i njeriut dhe fjala në skenë, kur ke më shumë aktorë. Pra nga njëra anë unë e kam konsideruar si fat që në gjithë këto vite kam fituar një përvojë të tillë. Kështu që kam ardhur pikërisht momenti  për të ngjitur në skenë një premierë të madhe 

Ku do ta shfaqni dhe si do vijë kjo dramë në skenë?

Kjo është një dramë që luhet vetëm me një aktore në skenë për rreth 1 orë e 30 minuta. Aktorja është Egla Ceno, e cila do të perfomojë para publikut një dramë të fortë, që merr ngjyra humori dhe ku rrëfehen të vërteta të rëndësishme që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me historinë tonë. Për sa i përket shfaqjes “Udha e qumështit”, ka një format shumë fleksibël dhe këtë shfaqje e shikoj sa brenda skenave formale klasike të teatrit, në sallën e vogël të art turbinës, pse jo, aq më tepër edhe në vende që kanë lidhje me temën, si tek galeria e periudhës së diktaturës në Muzeun Kombëtar, etj, pikërisht për të krijuar një rezonancë me kohën apo periudhën. Për këtë jam i kënaqur, sepse është një shfaqje që vendoset në realitet dhe komunikon me publikun.

Çdo regjisor frymëzohet zakonisht nga mesazhi i veprës. Mendoni se  duhet t’i shërbejë realitetit të vendit ku luhet drama, pavarësisht se cili është autori i veprës?

Me pjesën e punës që u përkasin periudhës së komunizmit në Shqipëri, duhet tu bëjë thirrje qytetarëve për të mos harruar pavarësisht nga mesazhi që ka dhënë, sepse harresa është gjëja me e keqe që mund t’i ndodh kulturës së një vendi. Kam ndjesën që shumë gjëra janë harruar. Ashtu siç duhet të shihen dhe mendoj se herë pas here ne si shoqëri na duhet të kujtojmë ato që kanë ndodhur më Shqipërinë, me individin, me qytetin.

Çfarë është harruar, që dhe ju e mendoni të rëndësishme?

Unë shoh reminishenca të sjelljes, qoftë të individit, të shtetit ndaj individit. Unë vërtet nuk jam i  shkuar në moshë, por aq vite sa kam kaluar në atë sistem kam kuptuar thelbin se ai ishte sistemi që nuk prodhonte të mira, por prodhonte, le të themi, si për ata që e krijuan edhe ata që e vuanin, një sistem ankthi. Duke mos përjashtuar këtu askënd, xhelatin, ashtu dhe viktimën, si diktatorin edhe të persekutuarin, si skllavin edhe pronarin e skllevërve, ky perceptim të bënë të kuptosh sesi  është ndërtuar një Shqipëri që bëhet e paaftë për të reaguar ndaj një së keqeje dhe arrin individi t’i shërbejë një diktature, të bëhet urë e të përkulet përpara një diktatori. Këto janë gjëra që fatkeqësisht janë brenda vetes sonë, sepse ne kemin një zakon që akuzojmë të tjerët. Kam vënë re se për çdo prapambetje tonën i vihet faji pushtimit turk, kohës së diktaturës e të tjera. Dhe nuk jemi transparentë me veten. Këto tekste janë thirrje për t’u rikthyer dhe për të hapur diskutimet. Këto tekste janë arsye për t’iu rikthyer debatit, për të gjetur një motiv, për ta mbajtur të hapur diskutimin që duhet të kthehet në një diskutim të vlerave artistike. Është e vërtetë se artistët kanë qenë një element që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në deformimin e historisë. Është folur për kinemanë, por edhe teatri ka luajtur një rol shumë-shumë të rëndësishëm. Mjafton të kujtoj këtu se Teatri Kombëtar që në ‘47-n është nderuar me dekoratë nga kuvendi i asaj kohe; për punën  e mirë që bënte. Dhe, cila ishte puna  e mirë.... teksti i përdorur në këtë teatër me një deformim të peizazhit historik. Dihet që ka pasur drama për reformën agrare që justifikonte rrëmbimin e pronës së tjetrit. Por kjo nuk nënkupton që ne t’i harrojmë veprat e periudhës së komunizmit. Fatkeqësisht një debat i tillë, ku vihet re qëndrimi mohues ndaj veprave të asaj periudhe është ndezur, duke bërë një gabim që nuk e bënë rilindësit. Tonalitetet ndarëse e përçarëse dhe jo përgjithësuese nxorën në dritë këtë debat të madh, dhe bëri që një pjesë përfaqësuese të japin urdhër për mohimin e veprave. Pra unë mendoj se kjo është një rrugë e gabuar. Rruga më e drejtë do të ishte që të bëhen sërish vepra të reja, nëpërmjet një arti të ri që shkruajnë të vërtetën si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur.  

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?