Regjisori Çapaliku sjell shfaqjen ‘Dogfall’: Kultura shqiptare, të hyjë në dialog me të tjerët

19 Tetor 2018, 23:44| Përditesimi: 20 Tetor 2018, 10:58

  • Share

Shfaqja “Dogfall” e autorit austrialian Caleb Lewis, me regji të Stefan Çapalikut,  e cila vazhdon të prezantohet në skenën e Teatrit Metropol, përkujton 100-vjetorin e Luftës së I Botërore. Ngjarjet zhvillohen në një bunker, një shpellë moderne në të cilën e ka prodhuar vet njeriu për asgjësimin e shoqërisë. Ky bunker është “atdheu” i tre ushtarëve, që përshkojnë së bashku në rreth 120 minuta 100 vite histori nga fillimi i shekullit XX, deri në ditët e sotme. Regjisori dhe dramaturgu teksa ndalet tek shfaqja “Dogfall”, shpjegon edhe arsyet, se përse teatri ynë duhet që të dialogoi me teatrot e huaj

“Duhet që të them se kjo pjesë u zgjodh në kuadër të mbarimit të 100-vjetorit të Luftës së i Botërore. Ky është një vit, i cili duhet të kujtohet në të gjitha vendet pjesëmarrëse, veçanërisht në dy vendet kryesore, që e shkaktuar luftën, Gjermania dhe Franca. ‘Dogfall’ vjen si një kërkim i punës sime jo të shkurtër, derisa rashë në kontakt me veprën e autorit australian Caleb Lewis, i cili mund të jetë i pari tekst australian që vihet në skenë. Vepra është shkruar mjeshtërisht prej tij, me kërkesa prej një personi skurpuloz...” thotë regjisori Stefan Çapaliku.

Ajo që mbetet nga shfaqja është tjetërsimi i qenies njerëzore, por për të arritur këtë është bërë një punë e rëndësishme. “Kjo është një prej esencave të veprës, por më së pari ka pasur nevojë që të kuptohet, së dyti të zbërthehet edhe së treti  të mishërohet në aspektin e mizaskenave, të kostumografisë, se efekteve zanore që në këtë shfaqje janë shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha në mjeshtërinë e aktorëve...” thotë regjisori Stefan Çapaliku.

Cilat janë arsyet, që publiku duhet ta shikojë këtë vepër? “Publiku ka 1 mijë arsye, se përse duhet që të vijë në teatër, jo vetëm në këtë shfaqje. Unë mendoj se nuk ka diçka më të mirë për të bërë njeriu sesa të shkojë në teatër. Nga ana tjetër mendoj se teatri duhet që t’i përgjigjet kësaj kërshërie dhe këtij vullneti të mirë. Vullneti i njerëzve për të shkuar në teatër është rritur... Kjo është një shenjë shumë e mirë. Por nga ana tjetër duhet që teatri të mos e shpërqendrojë estetikisht këtë audiencë, sepse në Shqipëri për shkak të një hiperprodhimi teatror, audienca nuk po arrin që të kuptojë standardin, kush është teatri i mirë?” shprehet ai.

Por çfarë mendon për rikthimin e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove? Sipas tij, në vend që MK, e cila paguhet me taksat tona të bëjë një festival ndërkombëtar të teatrit, që ne të hyjmë në dialog me të tjerët, shpik një formë për mendimin e dramaturgut katastrofike, që quhet festivali mbarëkombëtar.

“Çfarë do të thotë mbarëkombëtar? Unë ua them me përgjegjësi të plotë, se këtë nuk e kupton asnjeri. Në vitin 2018 nuk mundet që t’i tregojmë njëri-tjetrit, se çfarë kam bërë unë edhe se çfarë ke bërë ti, duke qenë totalisht jo vetëm jashtë konkurrencës evropiane, por edhe rajonale. Këta njerëz kanë frikë për të fut në skenën tonë produksione të huaja, kanë frikë se audienca do të kuptojë sesa larg jemi, prandaj vazhdojnë edhe bëjnë aksione të tilla mjerane”.

Dramaturgu mendon se kultura shqiptare duhet që të hyjë me domosdo në dialog me të tjerët, që audienca të kuptojë se çfarë do të thotë teatri i mirë. “Të gjendur në këtë strofull mediokritetesh ka rrezik, që të humbasim audiencën”.  Aktualisht regjisori dhe dramaturgu Stefan Çapaliku ka përfunduar së shkruari vëllimin e tretë të ciklit romanesk “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?