Kultura

Regjisori Ylli Pepo, dokumentar për Donika Kastriotin! “Një princeshë evropiane”, premierë në kinema në Tiranë

1 Maj, 14:26| Përditesimi: 1 Maj, 14:54

  • Share

Figura e Donika Kastriotit, bijë e Princit të Kaninës, Gjergj Arianiti dhe bashkëshorte e Gjergj Kastriotit është në qendër të dokumentarit “Një princeshë evropiane” me regji të Ylli Pepos, që u shfaq premierë mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë. E eklipsuar prej lavdisë së Gjergjit, figura e Donika Kastriotit është mbajtur në hije dhe koha e ka zbehur, por jo harruar. 

“Është filmi i parë që xhirohet dhe realizohet për një figurë, e cila për fat të keq ka mbetur në heshtje. Donika Kastrioti ka qenë një princeshë, në tërë kuptimin e fjalës, evropiane, sepse me autoritetin, dinjitetin e saj qe e nderuar në çdo oborr mbretëror.”, - thotë regjisori Ylli Pepo. 

“Unë jam një grua dhe sjell figurën e një gruaje dhe ishte shumë i veçantë bashkëpunimi. Sjellim një figurë shumë të rëndësishme historike. Sjellim edhe një histori, një zbulim të ri, që ka qenë i paditur dhe i paprekur më herët, për një figurë kaq të rëndësishme, dhe për më tepër një grua në historinë tonë.”, - shprehet producentja Ajola Daja.

Donika Kastrioti ishte e aftë dhe zuri vend të merituar në elitën e mbretërisë Aragoneze, një nga më të fuqishmet e kohës, u respektua nga Papa i Romës dhe Republika e Venetikut dhe mbështeti emigrantët e pas epokës së Skënderbeut që vërshuan shumicë nga Arbëria në Itali. Ajo vdiq në Valencia dhe u varros në Manastirin Mbretëror San Trinidad nën përkujdesjen e mbretëreshës Joana IV, ku dhe sot ndodhet varri.

Për xhirimin e dokumentarit është udhëtuar në vende të ndryshme, si në Kaninë, Valencia, Ardenicë, Redon, Leçe, Napoli, Krujë, Mat, Lezhë e Ulqin. Filmi me skenar nga Martin Cukalla është realizuar me pjesëmarrjen e shumë studiuesve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Italia dhe Spanja.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?