Ministria e Arsimit

Regjistrimet në klasë të parë dhe të dhjetë, Ministria e Arsimit për Report Tv: Do vlerësohet situata për hapat e mëtejshëm

1 Gusht 2022, 13:00| Përditesimi: 1 Gusht 2022, 13:04

  • Share

31 korriku ishte afati i fundit për regjistrimet në klasë të parë dhe të dhjetë, procedurë e cila kryhet elektronikisht në e-albania. Për shkak të problematikave si pasojë e sulmit kibernetik ndaj platformave qeveritare online, Ministria e Arsimit pas interesimit të Report Tv sqaron se do të vlerësohet situata me regjistrimet e deritanishme në bazë të së cilave mund të merren hapa të mëtejshëm për personat që nuk u regjistruan dot.

Kujtojmë se pas sulmit kibernetik të 2 javëve më parë mbi 98% të shërbimeve online janë tashmë funksionale! Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karcanaj tha dje se gjithçka po shkon drejt normalitetit dhe nuk ka asnjë humbje të dhënash nga sulmi kibernetik në platformat qeveritare online.

Disa ekspertë të Microsoft iu përgjigjën menjëherë kërkesës së AKSHI-t për të reaguar ndaj këtij sulmi që synonte fshirjen e të gjitha sistemeve kritike të rëndësishme qeveritare së bashku me të dhënat në to por falë reagimit të shpejtë nuk u humb asnjë e dhënë. Ndër të tjera, ka nisur hetimi i thellë dhe i detajuar i këtij krimi kibernetik nga Microsoft DART, edhe nga organet kompetente që bashkë po punojnë ngushtësisht me FBI-në.

Të vetmet shërbime me të cilat ende po punohet janë njehsimi i diplomave dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e huaja, vërtetimi i ndihmës ekonomike, i pagesës së aftësisë të kufizuar, i kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social, lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës, kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike dhe shërbimet që lidhen me to. 

Kujtojmë se një pjesë shumë e madhe e shërbimeve online në e-Albania u rikthyen vetëm pak ditë pas sulmit, duke bërë të mundur kështu që qytetarët të marrin dokumentet online. Pas rikthimet të e-Albania kanë nisur regjistrimet edhe për klasat e para dhe të dhjeta. Kryeministri Edi Rama tha se në procesin e mbrojtjes është përfshirë edhe NATO.

Sulmi kibernetik në platformat qeveritare online ka ardhur nga e njëjta dorë që ka bërë sulmet vitin e fundit në shumë vende evropiane. Kështu deklaroi Kryeministria përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat të hënën. Qeveria garantoi të gjithë shqiptarët se reagimi ka qenë i shpejtë dhe të gjitha faqet dolën të paprekura dhe janë të sigurta.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?