Në përfundim të raundit të parë, në Korçë janë regjistruar rreth 400 studentë, ndërsa në Gjirokastër 250 studentë. Të rinjtë kanë zgjedhur infermieri, ekonomi dhe teknologji informacioni. Ndërsa mësuesia e bujqësia vijojnë të mbeten pothuajse bosh. Rektorët shpresojnë se kuotat do të plotësohen në raundin e dytë.
***
Në Universitetin “Fan Noli” të Korçës janë regjistruar rreth 400 studentë në raundin e parë. Kuotat janë plotësuar në deget: infermieri e përgjithshme, mami, inxhinieri kompjuterike dhe edukim fizik. Interes shumë i ulët vihet re tek mësuesia dhe bujqësia, ndërsa ekonomiksi nuk ka asnjë student të regjistruar.
“Për vitin akademik 2025-2026 hapim për herë të parë dy programe master: Shkenca Bujqësore dhe Mësuesi për Arsimin Special, ku interesimi ka qenë i dukshëm”, thotë zv/rektorja e Universitetit “Fan Noli” në Korç, Lorena Zeqo.
Edhe në Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës regjistrimet janë rritur krahasuar me vitin e kaluar. Infermieria dhe ekonomia mbeten degët e preferuara.
“Rritja ka qenë më e madhe në Fakultetin Ekonomik. Deri tani janë regjistruar rreth 250 studentë, kryesisht në ekonomi dhe infermieri”, shprehet Rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Jaho Canaj.
Mësuesia është në krizë për studentë, duke rrezikuar ekzistencën e saj nëse kuotat nuk plotësohen në dy raundet e tjera.
“Studentët e mësuesisë përfitojnë bonus financiar prej 40 mijë lekësh të reja në muaj”, thekson Canaj.
Universiteti i Gjirokastrës sjell edhe një tjetër risi për këtë vit akademik.
“Kemi nisma të reja bashkëpunimi me universitete europiane dhe për herë të parë hapim një program doktorature në bashkëpunim me Universitetin e Kozanit. Kjo bën që në Gjirokastër të ofrohen të tre ciklet e studimit”, thotë Rektori i Universitetit të Gjirokastrës.
Për maturantët që ende nuk janë regjistruar në fakultete, është hapur raundi i dytë.
Deri më 19 shtator duhet të kryejnë pagesën e tarifës në portalin U-Albania, ndërsa aplikimet zhvillohen në datat 20 deri më 22 shtator.
Regjistrimet kryhen ndermjet datave 29 shtator deri më 8 tetor. Për kuotat e mbetura bosh do të ketë dhe një raund të tretë në periudhën 9 deri më 24 tetor.
Komente
