Politikë

Zgjedhjet/ Në mesnatë mbyllen aplikimet e diasporës! PD kërkon zgjatjen e afatit me 5 ditë! ‘Pezull’ nëse do pranohen regjistrimet e 42 mijë të refuzuarve

4 Mars, 11:24| Përditesimi: 4 Mars, 14:16

  • Share

TIRANË- Pavarësisht kërkesës në moment të fundit të PD-së, afati për regjistrimin e diasporës nuk do të shtyhet, dhe aplikimi i fundit do të pranohet deri sonte në mesnatë. Kryekomisioneri Celibashi propozoi një formulë të mesme, të mos pranohen aplikime të reja përtej afatit, por të ndihmohen të bëjnë aplikim të saktë përtej afatit, deri më 8 mars, 42 mijë të refuzuarit. Por teksa PS ka dhënë dakordësi për këtë mundësi, pritet edhe qëndrimi politik i PD-së.

PD bëri edhe një përpjekje të fundit duke çuar zyrtarisht një shkresë përmes 2 anëtarëve të saj në komisionin Rregullator që të brenda ditës të mblidhet ky komision dhe të shtyjë deri më 9 mars afatin për aplikimet e reja dhe refuzimet. Në kërkesën e anëtarëve të opozitës në Komisionin Rregullator, thuhet se afati të shtyhet me 5 ditë jo vetëm 42 mijë te refuzuarit, por edhe të tjerët që kanë dëshirë të regjistrohen.  

“Prandaj, ne anëtarët e Komisionit Rregullator propozojmë një afat shtesë 5-ditor gjatë të cilit zgjedhësve që iu është refuzuar kërkesa mund të riaplikojnë, duke plotësuar dokumentacionit dhe kërkesat ligjore, si dhe për zgjedhësit e tjerë të mund të regjistrohen. Ne harmoni me këtë propozim është edhe propozimi për shkurtimin e afatit gjatë të cilit KQZ merr vendim për regjistrimin e këtyre zgjedhësve qe rishprehin vullnetin e tyre për t'u regjistruar apo atyre qe rishtazi kërkojnë regjistrimin”, thuhet në kërkesën e PD.  

PS e ka shprehur qartë qëndrimin e saj se nuk do të pranojë asnjë shtyrje të afatit, veçse të shqyrtohen vetëm kërkesat e 42,410 personave të refuzuar. Janë mbi 14 mijë të tjerë në proces shqyrtimi. 

Regjistrimi për diasporën u hap më datë 11 janar dhe deri më tani regjistrohen rreth 285 mijë kërkesa nga votuesit jashtë territorit shqiptar, ndërkohë që 42,410 mijë janë refuzuar. Numri i kërkesave të më të larta ka qenë gjatë fundjavës, ku rreth 16 mijë kërkesa janë bërë të dielën 2 mars, 16 mijë edhe dje (3 mars), ndërsa sot deri në orën 11 shifra është 1 300. Debati mes palëve politike aktualisht është nëse do të lejohet që të ndihmohen 42 mijë të refuzuarit që të regjistrohen edhe përtej datës 4 mars.

Sali Berisha në një konferencë për shtyp sot tha se PS refuzon pasi kanë frikë nga vota e diasporës.

'Edi Rama personalisht në vitin e diasporës urdhëroi përfaqësuesit e tij në KQZ të refuzojnë propozimin e përfaqësuesve të PD për të zgjatur të paktën gjer në datën 9 regjistrimet e anëtarëve të diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit. Refuzimi kategorik i Edi Ramës dhe përfaqësuesit të tij, Damian Gjiknuri, dëshmon frikën dhe tmerrin që i ka kapur ata dhe partinë e tyre të krimit nga vota e lirë e shqiptarëve jashtë vendit.

Ky refuzimi është një shkelje madhore e Kushtetutës së vendit. Ky refuzim është përjashtimi nga e drejta e votimit e të paktën sipas shifrave zyrtare, të 500 mijë, por shifrat e tjera flasin për 800 mijë shqiptarë jashtë vendit, të cilët i kanë pasur dokumentet e skaduara', tha ai. 

Ai tha se PD kërkon zgjatjen e regjistrimit pasi akti normativ që lejon regjistrimin e emigrantëve edhe me ID të skaduar u miratua vetëm 3 ditë më parë. 

'PD nuk merr kurrë përsipër të kundërshtojë ushtrimin e të drejtës së votës qytetarëve shqiptarë në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund të ndodhë. Por, ajo që themi ne, është të zgjatet minimumi gjer në datën 9 afati, meqenëse akti normativ u votua vetëm para 3 ditësh. Por ne jemi që çdo njeri që ka aplikuar, t’i njihet e drejta e votës, t’i sanksionohet, të mund t’i konfirmohet. Pra, nuk bëjmë ne kaste me të drejtën e votës, nuk kemi ne fobira siç ka Edi Rama që ka kryer krime të shëmtuara dhe tani kërkon pas këtyre krimeve, të bllokojë votimin e diasporës', tha ai. 

PS është kundër shtyrjes së afatit të regjistrimit për gjithë emigrantët, por ka shprehur dakordësinë me Celibashin që të mund të ndihmojnë vetëm ata që janë refuzuar. Gjithsesi kjo lëvizje nuk mund të bëhet pa konsensusin e PD. Deri më tani, në total janë bërë 285 mijë kërkesa për për regjistrim, nga të cilat janë pranuar aplikimet e rreth 228 mijë emigrantëve.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD shpërblen aleatët me 8 mandate të sigurta, si e vlerësoni?