Rei Manaj është njeriu i momentit te Barcelona B. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka realizuar ‘dopietë’ në përballjen që ekipi i tij mbylli 2-2 kundër Murcia-s për gjysmëfinalen e ‘play-off’.
Vendasit kaluan të parët në avantazh me Fernandez në minutën e 24-t, teksa pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0.
Në fragmentin e dytë të lojës, vjen dhe shpërthimi i bomberit shqiptar, i cili në minutën e 47-të, barazon shifrat nga pika e bardhë e penalltisë, teksa në të 64-t, rrëmben skenën me një shpërthim spektakolar nga mesfusha, afrohet bukur në hyrje të zonës dhe godet në mënyrë të kalibruar duke e dërguar topin në cepin e portës. Një gol i gjithi për t’u shijuar.
Fatkeqësisht Barcelona nuk mundi ta ruante fitoren dhe në minutën e 82 vendasit barazuan, ndërsa pas penalltive arritën edhe kualifikimin.