Sot në Air Albania kombëtarja kuqezi do të presë Anglinë, në atë që konsiderohet përballja më e vështirë e grupit për kualifikueset e Botërorit ‘Katar 2022’. Trajneri Reja ka bërë përgatitjet e fundit dhe në krahasim me ndeshjen kundër Andorës pritet të bëjë ndryshime në skemë dhe formacion.
Sipas pritshmërive italiani sot nuk do luajë me skemën e zakonshme 3-5-2, por 5-4-1. Në portë vijon kapiteni Berisha, ndërsa në krahun e djathtë të mbrojtjes me shumë gjasa do jetë Albi Doka që zë vendin e Hysajt, me këtë të fundit që do spostohet në të majtë. Në qendër të mbrojtjes Gjimshiti, Ismajli dhe Veseli, ndërsa në mesfushë nga krahët priten Kamberi dhe Uzuni. Në qendër të fushës Reja ka zgjedhur Gjasulën dhe Baren, ndërsa në sulm talenti Broja është projektuar nga minuta e parë.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes Reja ka e ka konsideruar Anglinë si një nga kundërshtarët më të fortë në Europë, por ka thënë se Shqipëria nuk do hyjë e dorëzuar në fushë.
“Ne nuk duhet të qëndrojmë 90 minuta në mbrojtje. Duhet të sulmojmë, duhet ta frikësojmë kundërshtarin. Mund ta përballojmë një ndeshje të tillë dhe kemi potencilian për të mbajtur në tension. Nuk kemi përse të mos pretendojmë një rezultat pozitiv.”
Të dy kombëtaret para kësaj ndeshje vijnë me pikë të barabarta pas sfidave të para ku morën fitore, ndërsa përgjatë gjithë historisë Shqipëria është përballur 4 herë me Anglinë. Në të katërt këto takime jemi mposhtur dhe mbi të tjera bie në sy humbja 5-0 në vitin 1989.