Vetëm 15 vjeç dhe me dy libra të botuar, Rejvi Dervishi është autori më i ri në Shqipëri. Sapo ka përfunduar klasën e 9-të, dhe fantazinë e tij ka zgjedhur ta ndajë dhe me fëmijët e tjerë përmes botimeve. Libri i parë i Rejvit titullohet “Letra në ishull”, ndërsa i dyti, “Misteri O. S”.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka sjellë në vëmendje 15-vjeçarin duke i uruar suksese në rrugëtimin që ka nisur drejt botës së librave
“Ju prezantoj me Rejvi Dervishin, nxënësin që sapo ka përfunduar klasën e 9-të në shkollën “Emin Duraku” Tiranë dhe është autor i dy librave. Libri i tij i parë “Letra në Ishull” është një robinsonatë, rrëfimi i një djali të ri të cilin fati e hedh mes shumë sfidave në një ishull të harruar prej botës e të mbetur në kohë të shkuara. Në këtë ishull, ku duket sikur gjithçka është kundër tij e fundi është gjithnjë e më afër, ai nis një jetë të re, të mbushur me emocione dhe aventura.
Libri i tij i dytë “Misteri O.S” është një roman që nis nga fantazia e një fëmije, por që shndërrohet në një uragan ngjarjesh, duke krijuar një histori që të mban pezull deri në faqen e fundit. Personazhi kryesor, një fëmijë tepër i apasionuar pas leximit, përfshihet në zgjidhjen e një misteri shumë të vjetër dhe pikërisht atëherë kur mendon se çdo gjë është zgjidhur, fakte të reja dalin në dritë dhe intrigojnë më shumë mendjen e tij. I uroj Rejvit sa më shumë suksese dhe frymëzim në rrugëtimin që sapo ka nisur drejt botës së bukur të librave”, shkruan Kushi.
Report TV solli pak kohë më parë historinë e 18-vjeçarit, i cili është autor i dy librave të suksesshëm për fëmijë. Ai rrëfeu se nisi të shkruajë që në moshën 8-vjeçare i nxitur nga pasioni për leximin.