Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i konsideroi "sfidë" vlerësimin e performancës së prokurorive për zbatimin e rekomandimeve të qeverisë për luftën ndaj kriminalitetit 2021.
I pranishëm në takimin që po zhvillohet për përcjellën e këtyre rekomandimeve, Çela u shpreh se i janë përcjellë për zbatim të gjithë prokurorive, por shton se është e domosdoshme një përfshirje më e madhe e drejtuesve në ndjekjen e këtyre rekomandimeve.
Çela u tërhoqi vëmendjen drejtuesve të prokurorive për t’i vlerësuar maksimalisht rekomandimet dhe të hartojnë plane të qarta veprimi për ndjekjen e tyre.
"Rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën ndaj kriminalitetit kanë një rol thelbësor në drejtim të përqasjes së prioriteteve e objektivave mes ekzekutivit dhe prokurorisë duke mundësuar kështu menaxhimin e duhur të kapaciteteve njerëzore e teknike në funksion të përmbushjes së tyre. Paraqitja e tyre nga Ministria e Drejtësisë në këtë takim me drejtuesit e prokurorisë përbën një moment solemn dhe domethënës ku shfaqet vullneti i përbashkët për ndërmarrjen e angazhimeve në rang institucional për koordinimin e veprimtarisë në luftën ndaj krimit. Duke i konsideruar këto rekomandime si një moment kyç në drejtim të qasjes strategjike që institucionet duhet të kenë në goditjen e krimit, vitin e kaluar ndërmorëm masa konkrete për të rikonceptuar modelin tonë të veprimit në këtë aspekt. Për herë të parë u miratua udhëzimi për zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave i cili u është dërguar për zbatim të gjithë prokurorive ndërkohë që u miratua edhe një plan veprimi nga ana jonë. Këto masa synuan rritjen e cilësisë së veprimtarisë së prokurorisë, me fokus marrjen e masave që do të konkretizonin këtë vullnet ndërinstitucional për realizimin e objektivave. Përtej nivelit të arritur në zbatimin e tyre, çmoj se mbetet ende shumë për t’u bërë në drejtimin organizativ si dhe të matjes objektive të treguesve, pasqyruar kjo në raportimet periodike apo vjetore të prokurorive. Është e domosdoshme një përfshirje më e madhe e drejtuesve në ndjekjen e rekomandimeve përmes udhëzimeve të përgjithshme dhe atyre për çështje konkrete, ashtu si dhe përmes masave të tjera natyrës administrative që përveç se optimizojnë organizimin strukturor të zyrave në drejtim arritjes së zbatimit të tyre, krijojnë sisteme të brendshme të vlerësimit të zbatimit të rekomandimeve dhe impaktit në luftën ndaj kriminalietit. Nga ana jonë u forcua mekanizmi i monitorimit në drejtim të vlerësimit periodik të masave të marra nga prokuroritë dhe rezultateve të tyre. Duhet të theksoj këtu se për sistemin e prokurorisë mbetet një sfidë ndërtimi i një sistemi efikas të vlerësimit të performancës së zyrave në këtë aspekt ndaj objektiv mbetet standartizimi i sistemit të vlerësimit të masave të ndërrmara në drejtim të zbatimit të rekomandimeve nga prokuroritë, si komponent i rëndësishëm i vlerësimit të punës së drejtuesve me ndikim të drejtpërdrejtë në performacën e organit të prokurorisë. Kjo patjetër do të ndihmohej edhe nga një rikonceptim strukturor i rekomandimeve, që merr në konsideratë një sërë faktorësh që determinojnë mundësinë reale të zbatimit të tyre por edhe që lejojnë matjen e treguesve përmes kritereve objektivë, çka do i ndihmonte të gjitha organet ligjzbatuese në përcaktimin e qartë të strategjive institucionale apo ndërinstitucionale. Dua sot t’u tërheq vëmendjen drejtuesve të prokurorive për t’i vlerësuar maksimalisht rekomandimet dhe në vijim të hartojnë plane të qarta veprimi për ndjekjen e tyre, në zbatim edhe të udhëzimit përkatës", tha Kryeprokurori.
Lajmi kryesor:
Lufta kundër kriminalitet, Gjonaj: Të larguarit nga vettingu të përballen me drejtësinë, pasuria t'u sekuestrohet! Çela: Sfidë vlerësimi i performancës së prokurorive
//ReportTv.al