Vetëm 15 vjeç dhe më herët debutoi në futbollin profesionist të Kosovës. Kjo e ndihmoi Larson Feratin të binte në sy dhe të ndiqej nga shumë agjentë futbollit, të cilët bënë të mundur kalimin te skuadra e njohur gjermane e Bayern Leverkusen. Për ‘Report TV’ sulmuesi nga Peja tregon se përveç Bayern Leverkusen kishte oferta edhe nga klube të tjera të njohura.
“Pas performancës që kisha dhe skautët që më ndoqën në Kosovë pati interesim edhe nga tre klube të tjera në Gjermani, por gjithashtu edhe nga një klub shumë i madh në Angli,”-u shpreh Larson Ferati, sulmues.
Larsoni aktualisht aderon të ekipet e moshave dhe pretendon se shumë shpejt do bëjë debutimin me ekipin e parë.
“Këtë vit pres që të shënoi sa më shumë gola në U-19 të Bayern Leverkusenit dhe të ndihmoj sa më shumë ekipin. Përsa i përket debutimit me ekipin e parë shpresoj që gjatë këtij sezoni do të ndodhë,”-deklaroi Larson Ferati, futbollist.
Deri më tani sulmuesi i ri nga Peja ka përfaqësuar moshat e Kosovës, ndërsa nëse do i vinte një ftesë nga Shqipëria ai e ka të qartë se kë do të zgjidhte.
“Unë jam kosovar dhe me dëshirë do luajë për Kosovën edhe pse deri më tani me trajnerët skam qenë fare i kënaqur. Falë zotit tani ai staf është ndryshuar. Unë e ndiej veten shqiptar, por deri më tani nuk kam patur asnjë ftesë nga Shqipëria. Nëse do ishe përballë zgjedhjes së dy federatave e them me plot gojën se do kisha zgjedhur Shqipërinë,”-tha Larson Ferati, futbollist.
Në Kosovë Ferati mban rekordin e futbollist më të ri, i cili ka realizuar gol në futbollin profesionist, vetëm 14 vjeç.