Rektorati i Universitetit të Beogradit ka refuzuar ftesën për dialog të bërë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, më 3 shkurt 2025. Në njoftimin zyrtar thuhet se, në rrethana të tilla, ftesa nuk mund të pranohet për shkak të mungesës së besimit dhe mospërputhjeve në deklaratat publike të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.
Sipas Rektoratit, dialogu nuk do të ishte i efektshëm nëse zhvillohet mes palëve që nuk kanë mandatin për të diskutuar kërkesat studentore dhe të cilave këto kërkesa nuk u janë drejtuar.
"Ftesa për dialog vjen në një moment kur janë tejkaluar normat morale dhe ligjore, në një atmosferë të përgjithshme mosbesimi. Ne jemi të shqetësuar për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj komunitetit akademik në mediat publike, si dhe për sulmet fizike të papranueshme ndaj anëtarëve të kësaj bashkësie," thuhet në deklaratë.
Rektorati ka theksuar se Universiteti i Beogradit mbështet kërkesat e studentëve dhe insiston që ato të përmbushen nga institucionet përkatëse. Gjithashtu, universiteti është i gatshëm të ofrojë mbështetje ekspertësh për të vlerësuar nëse kërkesat janë përmbushur dhe të koordinojë veprimet e ardhshme me vendimet e kuvendeve studentore, me qëllim ruajtjen e unitetit brenda universitetit.
"Besojmë se dialogu është një mjet thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike. Universiteti i Beogradit, si një aktor i rëndësishëm shoqëror dhe partner i respektuar, mbetet i hapur për bisedime për çdo çështje me rëndësi publike, brenda kompetencave dhe ekspertizës së tij," përfundon deklarata.
Presidenti Vuçiç kishte ftuar Rektoratit për një takim më 5 shkurt, për të diskutuar zgjidhjen e krizës aktuale që ka çuar në bllokimin e procesit mësimor në institucionet e arsimit të lartë.
Megjithatë, Rektorati ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në dialog përderisa nuk krijohen kushte të përshtatshme për një bisedë konstruktive dhe të ndershme.