Rektorja e universitetit të Shkodrës në kërkim për korrupsion, kreu i sindikatës së pedagogëve: E turpshme që nuk ka reagim nga senati akademik

27 Qershor 2023, 10:08| Përditesimi: 27 Qershor 2023, 10:28

  • Share

Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Peter Saraçi ka reaguar për rastin e rektores së universitetit të Shkodrës, Suzana Golemi e cila është shpallur në kërkim për korrupsion. Saraçi tha se senati i universitetit të Shkodrës duhet të ishte mbledhur me urgjencë dhe të distancohej nga rasti flagrant i shpërdorimit të detyrës nga Suzana Golemi e cila në bashkëpunim me një tjetër pedagoge, merrnin nga 150 euro për të kaluar studentët në provim.

Ai tha se duhet të bëhet pezullimi i të gjithë personave të përfshirë në këtë veprimtari korruptive ndërsa shtoi se nuk ka besim tek organet e drejtësisë dhe se kjo çështje do të dëmtojë edhe pranimet e studentëve në universitetin e Shkodrës.

“Shpreh indinjatën time për sjelljen e drejtuesve të universitetit. Ka 4 ditë që nuk po bën një deklaratë zyrtare për këtë situatë që është e turpshme. Kërkohet ndërhyrje urgjente dhe radikale. Nuk mund të bëjmë sikur nuk ndodhi gjë, kur të njëjtat persona që janë drejtuese janë shoqe të rektores së shpallur në kërkim. Të pezullohen dy personat e tjerë që janë pjesë e videos.

Pritet të ndodhin edhe publikime të tjera në media. Duhet të marrim masa për një situatë të tillë që ka ndodhur edhe në vitin 2016. Në momentin që ka ndodhur diçka e tillë senati akademik e ka pezulluar pedagogen. Dhe pjesë e senatit ka qenë edhe rektorja që sot është e shpallur në kërkim. Nuk kam besim tek organet e drejtësisë sepse ka pasur rasdte të tjera që janë arrestuar në flagrancë dhe janë lëshnuar pas 6 muajsh. Më parë ka ndodhur vetëm me pedagogët, por jo me drejtuesit”- tha Saraçi.

Mes të tjerash ai tha se rasti i korrupsionit është një dëmtim i pastër i universitetit të Shkodrës dhe i punës së pedagogëve dhe shtoi se rektorja e cila sot është e shpallur në kërkim ka qenë ndër personat që kundërshtonte pedagogët që dilnin në protesta për të kërkuar rritjen e rrogave të stafit akademik.

Suzana Golemi u shpall në kërkim nga policia në 22 qershor pas pezullimit nga detyra e saj si rektore e universitetit të Shkodrës si pasojë e rastit të korrupsionit të zbuluar në këtë institucion, ku Golemi në bashkëpunim me një tjetër pedagoge u merrnin studentëve 150 euro për provim, nëse donin të kalonin në kurse të caktuara të degëve ku studionin.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gentjan: 29/06/2023 16:43

    Kryetari i sindikates a ka degjuar ndonjehere qe disa pedagoge qe ai perfaqeson kalojne studente duke marre leke, pra jane te korruptuar? Po per ta a ka folur ndonjehere, apo i ka shoke pune dhe i mbron? Po, perderisa nuk ka besim te organet e drejtesise nuk ka ftyre te flase per drejtesi sepse ai nuk besonka te shteti. Me sa duket ka ndonje variant tjeter per zgjidhje. Eshte papjekuri te thuash shperdorim detyre kur prokuroria dhe gjykata akoma nuk kane vendosur gje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?