Rekursi për vulën, Kthupi: Pa krijimin e një formacioni të ri politik është vendim shterpë, distancomi nga berishizmi duhet të jetë me akte konkrete

23 Korrik, 19:22| Përditesimi: 23 Korrik, 19:23

  • Share

1717343810_rezartkthupi.jpg

Rezart Kthupi, një prej juristëve që ka hartuar dhe nënshkruar rekursin për vulën e Partisë Demokratike, ka reaguar në një postim në Facebook, ndërsa ka sqaruar qëndrimin e tij mbi këtë çështje. Bashkë me Indrit Sefën, Kthupi ka firmosur rekursin, ndërsa juridikisht thoëtse gjithnjë kanë shprehur bindjen se vendimi për dhënien e vulës Berishës ishte i padrejtë.

Kthupi shkruan se rekursi është një një detyrim ndaj betejës ligjore të dy viteve të fundit për të ruajtur në Partinë Demokratike frymën dhe idealet me të cilat ajo u krijua.

Por sipas tij, ushtrimi i rekursit pa krijimin e një formacioni të ri politik është një vendim shterpë. Kthupi shkruan se moskrijimi i një formacioni të ri politik, por kapja pas logos dhe vulës së PD është zgjedhja e me keqe e mundshme.

Sefa dhe Kthupi pas kalimit të vulës te Berisha janë pozicionuar me Alibeajn, ndërsa ky i fundit u distancua edhe nga Lulzim Basha. Mes rreshtave, duket se Kthupi ka edhe një mesazh për Bashën ku thotë se “që beteja të ketë qenë e sinqertë dhe të vijojë si e tillë distancimi nga berishizmi duhet të jetë me akte konkrete dhe jo vetëm me fjalë”

"Bashkë me kolegun dhe mikun Indrit Sefa në tre ditët e fundit hartuam, nënshkruam dhe depozituam rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 11 qershor 2024. Profesionalisht kemi vlerësuar gjithnjë se ky vendim është i padrejtë, i pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me frymën dhe detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë. Shkak tjetër për të vijuar këtë beteje ligjore është besimi që ne kemi në sistemin e drejtësisë dhe në aftësinë e shkallëve të ndryshme të tij për të arritur në një vendim të drejtë e të bazuar në ligj.

Politikisht e kemi thënë që ditën e parë, të gjithë dhe pa asnjë hezitim, që ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, duhet dhe do të ushtrojmë rekurs. Ky është një detyrim ndaj betejës ligjore të dy viteve të fundit, detyrim ndaj betejës politike për të ruajtur në Partinë Demokratike frymën dhe idealet me të cilat ajo u krijua dhe si një detyrim ndaj të gjithë atyre me të cilët bashkudhëtuam, që na mbështeten dhe na frymëzuan.

Thënë kjo gjej rastin të shpreh edhe një herë qëndrimin tim në raport me çështjen e rekursit dhe krijimin e një formacioni politik. Mbetet opinion i imi i pandryshuar (i shprehur që në mbledhjen e Kryesisë të datës 11 qershor) që ushtrimi i rekursit pa krijimin e një formacioni të ri politik është një vendim shterpë dhe një qëndrim demotivues, demoralizues dhe dëmtues ndaj një grupimi që kishte deri në atë çast identitet politik, strukturor dhe programor.

Beteja ndaj berishizmit, e cila ishte motoja e betejës më shumë se 3 vjeçare pas 9 shtatorit, nuk ishte dhe nuk është beteja kundër individit Sali Berisha. Përkundrazi ishte dhe është beteja kundër një filozofie e mënyre të vepruari të tërë e cila është në kundërshtim me demokracinë, luftën kundër korrupsionit, kapjen e shtetit dhe të drejtësisë, oligopolin politiko - ekonomiko - mediatik etj. Në këtë këndvështrim përdorimi i të njëjtave mjete apo i të njëjtave rrugë nuk mund të sjellë një rezultat të ndryshëm. Moskrijimi i një formacioni të ri politik, sikundër bëri edhe Sali Berisha, por kapja pas logos dhe vulës së PD, dhe jo pas idealeve dhe identitetit politik të saj është zgjedhja e me keqe e mundshme.

Që beteja të ketë qenë e sinqertë dhe të vijojë si e tillë distancimi nga berishizmi duhet të jetë me akte konkrete dhe jo vetëm me fjalë, raportet me partnerët duhet të jenë të sinqerta dhe të bazohen në interesa dhe qëllime të përbashkëta dhe nuk duhen lënë hapësira që të interpretohemi si një zgjatim apo fraksion. Të gjitha këto të çojnë vetëm në një drejtim - drejt krijimit të një formacioni të ri politik.

Një formacion i ri politik është i vetmi veprim që krijon shanse që e shkuara të mos jetë edhe e ardhmja e Shqipërisë", shkruan Kthupi. 


Lajmi kryesor:

Vulën e PD e mori Berisha, Basha rekurs në Gjykatën e Lartë: Të zhbëhet vendimi i Zhukrit dhe i Apelit


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?