Dosje

Relacioni sekret për Enverin: Kë të simpatizojë rinia, Agllahia Zoton, që lahet tërë ditën në det dhe pastaj…”?!/ Zbulohen letrat e Adil Çarçanit, për 'shthurjen'

9 Gusht 2021, 07:35| Përditesimi: 9 Gusht 2021, 07:42

  • Share

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1945, ku ndodhen disa raport-informacione me siglën “sekret” të hartuara nga Sekretari Politik i Qarkorit Komunist të Durrësit, Adil Çarçani, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxhës, ku bëhet fjalë për fushatën e zgjedhjeve të organizatës së Rinisë Komuniste të atij Qarkori në dhjetorin e atij viti.  Relacioni i plotë i Çarçanit për Enver Hoxhën, ku ai ndërmjet të tjerash i bën një ekspoze të detajuar ‘Komandantit’, lidhur me punën antiparti që po bënin disa prej drejtuesve kryesorë të rinisë komunist të atij Qarku, si: Skënder Çela, Mark Toçi, Drita Malile, Semiha Ishmi, Sabaudin Haznedari, Petro Laku, Kudret Ballhysa, etj., mendimet dhe idetë e të cilëve, ishin përkrahur edhe nga Thoma Laku, Xhevit Topçiu, Theodor Rupi, Isuf Kurshumi etj., si dhe puna armiqësore e disa personave, ish-pjestarë të Ballit dhe Legalitetit, si: Baftjar Kokona, Zihni Dervishi, Bedri Rama, Mustafa Xhumri, Ahmet Kalaja, Koço Mojsiu, Xhemal Haveriku, Xhoxh Piqoni, etj.

“Një pjesë e këtyre të rinjve janë nga ata donzhuanët e ballove e të llukseve, por një pjesë tjetër janë të rinj intelektualë e sportista, të cilët kanë një farë simpatije në një pjesë të Rinis. Por në pjesën më të madhe, njihen në popull si elementë të Ballit e Legalitetit ma kryesorët dhe ma të rrezikshmit e tyne, të cilët shihen vazhdimisht në lëvizje dhe mbajnë kontakte të shpeshta me të rinjtë e t’jerë janë: Zihni Dervishi (i Legalitetit) Bedri Rama (i Legalitetit) Mustafa Xhumri (i Ballit) Ahmet Kalaja (i Legalitetit dhe i plagosur në Prezë kundra nesh), Koço Mojsiu (fillo-Engles) Xhemal Haveriku (i Ballit dhe me tendenca të demokracisë Myslimane), Xhoxh Piqoni (i Ballit). Këta janë elementë kryesorë që me vete kanë dhe një grup të tyne prej 20-25 vetësh. Dje, qe këtu prej Tirane, Baftjar Kokona (Ish – i Qarkorit të Ballit në Tiranë). Është i ri universitar, banon në Tiranë dhe këtu në Durrës ka marrë kontakt me elementët e sipër-shënuar”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili i përket vitit 1945, ku ndodhet një raport-informacion i përpiluar nga Sekretari Politik i Qarkorit të Durrësit, Adil Çarçani, të cilin ai i’a ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxhës. Krahas këtij relacioni, është dhe një tjetër i hartuar po prej tij dhe në këto dy letra që Çarçani i’a dërgon Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhës, ai i raporton rreth zgjedhjeve të Rinisë Komuniste të atij Qarku, ku një grup të rinjsh komunistë nga ai qytet, nuk i binden orientimit të Qendrës, (Partisë Komuniste Shqiptare), për të zgjedhur në krye të Rinisë ata që janë propozuar prej saj. Letra e parë e Çarçanit që mban datën 21 shtator 1945, botohet me shkurtime, kurse letra e dytë që është shkruar më 14 nëntor po të atij viti, botohet e plotë.

Raport-informacioni i pare i Adil Çarçanit, dërguar Enver Hoxhës

Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë

             Tiranë

“Në raportet që ju kemi dërguar, ju kemi shkruar vazhdimisht se nga anëtarët e Partisë një pjesë janë të rinj dhe një pjesë pa eksperiencë në punë dhe një pjesë tjetër me gjithë se të vjetër janë me një shumicë pakënaqsirash dhe pretendimesh. Këta elementë të vjetër që kanë qenë më përpara në punë më të mëdha, nuk ju pëlqen që të mos kenë prap pozita të mira dhe për këtë ata mundohen duke pregatitur shokët e tjerë që të flasin jo kundra partisë, por kundra shokëve që Partia i ka vënë në krye të punës.

Këtë shokë, siç e dini janë: Hysen Ballhysa, Skënder Çela, të infektuar nga këta Mark Toçi, Drita Malile, Semiha Ishmi, Sabaudin Haznedari, Petro Laku, Kudret Ballhysa, etj. Këta janë ata që flasin hapur se ka dhe disa të tjerë të cilët janë pro mendimeve të tyre, si: Thoma Laku, Xhevit Topçiu, Theodor Rupi, Isuf Kurshumi…etj.

Një pjesë e Rinisë studenteske, prej atyre që në kohën e Ballit dhe Legalitetit, kanë bërë pjesë si rini e organizuar e Ballit dhe Legalitetit, shihen të lëvizin mjaft dhe të lëshojnë vazhdimisht parrulla kundër pushtetit popullor e Frontit Demokratik.

Këta qëndrojnë vazhdimisht në bllok me njëri-tjetrin dhe jo vetëm, por mundohen që të shtojnë çdo ditë e më shumë rrethin e tyre, duke u hapur dhe tek të rinjtë anti-fashistë e komunistë, sidomos tek ata që mund të kenë ndonjë pakënaqësi.

Përveç kësaj ka shenja që këta bëjnë edhe mbledhje të fshehta si dhe shenja të tjera se këta duhet të kenë lidhje me Tiranën. Disa prej tyre kanë pëshpëritur se ditën e votimit, do të qëndrojnë brenda dhe do të organizojnë një drekë me violinë kitarë dhe mandolinë.

Një pjesë e këtyre të rinjëve janë nga ata donzhuanët e ballove e të lluksevet, por një pjesë tjetër janë të rinj intelektualë e sportista, të cilët kanë një farë simpathije në një pjesë të Rinis. Por në pjesën më të madhe, njihen në popull si elementë të Ballit e Legalitetit ma kryesorët dhe ma të rrezikshmit e tyne, të cilët shifen vazhdimisht në lëvizje dhe mbajnë kontakte të shpeshta me të rinjtë e t’jerë janë:

Zihni Dervishi (i Legalitetit) Bedri Rama (i Legalitetit) Mustafa Xhumri (i Ballit) Ahmet Kalaja (i Legalitetit dhe i plagosur në Prezë kundra nesh), Koço Mojsiu (fillo-Engles) Xhemal Haveriku (i Ballit dhe me tendenca të demokracisë Myslymane), Xhoxh Piqoni (i Ballit). Këta janë elementë kryesorë që me vete kanë dhe një grup të tyne prej 20-25 vetësh. Dje, qe këtu prej Tirane, Baftjar Kokona (Ish – i Qarkorit të Ballit në Tiranë).

Është i ri universitar, banon në Tiranë dhe këtu në Durrës ka marrë kontakt me elementët e sipër-shënuar. Dyshohet se mos të ketë prurë ndonjë gjë prej Tirane, megjithëse lëvizjet e tij, dje u gjurmuan këtu mirë. Baftjar Kokona është një element jo i mirë, anti-demokrat dhe që tash qëndron i papunë në Tiranë duke bredhë andej këndej.

Neve kemi bërë të gjitha tentativat për t’i afruar këta, me që qysh në fillim dimë qëndrimin e tyre, Por gjithnjë, këta u janë larguar organizimeve t’ona (të Rinisë) konferencave, mitingjeve si dhe kontakteve personale. Tash neve kemi mejtuar dhe i’a kemi filluar punës për t’i përçarë si bllok”

 

Për Komitetin Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare

             Adil Çarçani

 Durrës, më 21. IX. 1945

Letra e dytë e Adil Çarçanit, dërguar Enverit  në vitin 1945

Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë

Tiranë

Të dashur shokë:

Me rastin e zgjedhjeve të Rinisë për daljen e këshillit të N / prefekturës këtu në Durrës, u vërtetua nga ana e disa anëtarësh Partie, pregatitja e një blloku kundër shokëve të Qarkorit të Rinisë, pregatitje që pruri si konseguencë që zgjedhjet të mos shkonin mirë por të vërtetohen në to grindje e akuza nga ana e anëtarve të partisë kundër anëtarsh të tjerë Partie, përpara gjithë rinisë që ishte grumbulluar aty në meting.

Një veprim i tillë që për neve dolli i papritur e si bombë, na ka dëmtuar politikisht: ka dhënë të kuptohet tek të rinjtë antifashistë e një pjesë e popullit që asistoi në zgjedhjet, se gjoja në radhët e Partisë s’onë ka divergjenca, e dizarmoni.

Ky bllok i përgatitur qysh më parë për të rrëzuar shokët e shoqet që drejtojnë rininë në Qark, me një fjalë kundër të gjithë Komitetit Qarkor të Rinisë: ka qenë i kurdisur në këtë mënyrë nga sa neve kemi mujtur të konstatojmë: Hysen Ballhysa dhe Skënder Çela, i pari anëtar i Komitetit të Partisë N / prefekturës dhe i dyti anëtar i Komisionit t’Agit Propit pranë Komitetit Qarkor, kanë qenë organizatorët kryesorë të këtij grupi anëtarësh Partie, përkundra shokëve që drejtojnë rininë.

Të dy të naltë përmendurit në këto kohët e fundit me rastin e zgjedhjeve të rinisë në lagje, si edhe më parë akoma kur qe lëshuar vetëm parrulla për zgjedhjet e rinisë, kanë treguar një interesim shumë të math për këto zgjedhje, duke neglixhuar ngandonjëherë edhe punën në sektorin e tyre, që nga ky interesim e nëpërmjet të disa elementëve të pakënaqur në rininë, të bënin një punë përgatitore që në zgjedhjet e reja të rrëzonin drejtuesit e tashëm të rinisë, që Partia i ka caktu e të dilnin këta në krye.

Gjat kësaj pune të tyre, duke vënë më tepër në lëvizje elementët e pakënaqur nga Rinia e në Parti, këta kanë ngjallur tek një pjesë e rinisë dhe anëtarësh Partie një urejtje të madhe karshi gjithë Qarkorit të Rinisë po thuaj, e sidomos karshi sekretarit politik Niko Nishku.

Në këtë mënyrë e nën rrogoz, këta të dy si protagonistë kryesorë kanë pregatitur tek një pjesë e rinisë opinionin se me rastin e zgjedhjeve te reja, i gjithë Këshilli i vjetër duhet të rrëzohet dhe në vend të tij, të dali një Këshill i ri, me elementë që t’i njohi mirë rinia, vendas e jo të huaj dhe prej atyre që kanë punuar me rininë edhe kohën e ilegalitetit (pse Skënderi dhe Hyseni në kohën e okupasionit kanë qenë dikur në Qarkorin e Rinisë këtu në Durrës).

Opinioni qe pregatitur në një mënyrë t’atillë sa që para se të vinte dita e zgjedhjeve këtu në Durrës, pëshpëritej tek rinia se në zgjedhje do të ketë debate, opozitë, etj. “ju të vjetrit dhe 10 orë afat kini”, “rininë mund ta udhëheq më mirë Hyseni e Skënderi”, e të tjera kësisoj. Këto pëshpëritje kishin rarë edhe në veshin e disa shokëve dhe shoqeve të Qarkorit të rinisë, por ata i kishin marrë me të tallur dhe nuk u kishin vënë rëndësi, duke mos na vënë as neve siç duhet në korent.

Puna tregoi se pikërisht nga ky opinion i pregatitur që më parë nga Hyseni e Skënderi, zgjedhjet e rinisë këtu në qytetin e Durrësit nuk shkuan aspak mirë, dhe nga grindjet e mos marrveshjet e vërtetuara aty, neve patëm humbje politikisht. Pikërisht në lidhje me këtë kjo çështje na ka preokupuar mjaft këto ditët e fundit për t’a zgjidhur deri sa arijtëm të zbulojmë të vërtetën dhe burimin e kësaj parapërgatitje.

1) Pse përshëndetjet e dhëna në mëngjesin e çeljes së metingut të rinisë nga Skënder Çela (për Frontin e N / pref.) Hysen Ballhysa (për Pushtetin) dhe Drita Malile (për Gruan) përmbaheshin vetëm rreth mënyrës së zgjedhjevet, elementëve që duhej të zgjidheshin duke pregatitur kështu edhe ca më mirë terrenin për në mbasdreke në zgjedhjet.

2) Pse në Komitetin e Partisë të N / prefekturës, kur është biseduar se kush do t’i bënte përshëndetjet n’emër të pushtetit, Hyseni ka ngulur këmbë për t’i bërë ay, megjithëse disa shokë kundërshtuan.

3) Para se me fillu në mbasdreke zgjedhjet (ndonjë 1-2 orë më parë) unë kam biseduar me Hysenin dhe në muhabet, i kam vënë në dukje se ai nuk duhet të pranonte me u zgjedh në Këshillin e Rinisë, gjer sa kishte një sektor pune që i’a kishte ngarkuar Partia (pushtetin) dhe elementë të tjerë të rinj e të marrë vetëm me punën e rinisë duhej të zgjidheshin aty. Ay më është përgjigjur se: atë gjë e ka në dorë rinia, që do të më votojë dhe jo unë.

Kur unë i kam thënë se Niko Nishku duhej të dali president, ay më është përgjigjur që: “Niko Nishku nuk ka simpati tek rinia, e këtë do ta shohësh tani këtu brenda në zgjedhje. Kjo len të kuptohet se ay e kishte përgatitur më parë terrenin n’atë drejtim, për gjeri sa ishte i sigurt qind për qind se Niko Nishku do të fitonte pak vota, siç ndodhi në të vërtetë.

4) Në mbasdreke të ditës së zgjedhjeve, shoku Koço Pepo, sekretari i komitetit të N / pref. e ka lajmëruar Skënder Çelën e Mark Toçin, se në orën katër do të kishin mbledhjen e Komisjonit t’Agit-Propit ku bënin pjesë. Mbledhja e Komisionit për në këtë orë pikërisht që do të bëheshin dhe zgjedhjet e rinisë, kombinoj pa ndonjë qëllim.

Skënder Çela, duke mejtuar se mos mbledhja e Komisionit mos gjoja qe caktuar për të sabotuar vajtjen e tij në zgjedhjet e rinisë, i inatosur karshi Koço Pepos, i gërthet me gjaknxehtësi, duke i thënë pikërisht këto fjalë: “E di unë mor Koço Pepo, që ti i bën të gjitha këto për të sabotuar që unë të mos shkoj në zgjedhjet e rinisë, por unë do të shkoj se më do rinija”. E shkon në zgjedhjet. Kjo na bindi se ay linte çdo punë, vetëm të shkonte në zgjedhjet e rinisë.

5) Hyseni, Skënderi e Semiha Ishmi, përpara zgjedhjeve gati për 20-25 ditë rresht, kanë pëshpëritur se: me rastin e zgjedhjeve të rinisë do të ketë debate, opozitë, do të rrëzohet këshilli i vjetër, edhe dy orë afat ka, etj.

Siç i kam prekur edhe më sipër, të gjitha këto pëshpëritje që tash na i thonë anëtarët e Partisë, tregojnë se ata e kanë pregatitur prej kohe këtë çështje dhe e kanë manifestuar në zgjedhjet.

6) Petraq Laku, antar Partie, i influencuar nga Skënderi e Hyseni: kur është pyetur prej nesh ka thënë se: në mëngjesin e zgjedhjevet, Skënderi më ka folur për opozitë e debate që do të vërtetoheshin, siç u vërtetuan në të vërtetë.

Përveç këtyre që thamë më sipër, ajo që neve na i përforcon edhe më opinionin t’onë se në zgjedhjet ka patur para pregatitje e të organizuara në radhë të parë nga ata të dy që përmenda më sipër, është se në pyetjet që ne kemi bërë këtyre secilit veçmas, kanë kërkuar të mbrohen me po të njëjtat thënije, si bije fjala: Pse Partia nuk na kish dhënë më përpara një listë të pregatitur, se kush duhej të zgjidhej (këtë e ka thënë Skënderi, Hyseni dhe Semihaja).

Ç’ta simpatizojë rinija Agallia Zoton që lahet tër ditën në det dhe pastaj vjen e na kërkon llogari.

Rinija nuk e simpatizon Niko Nishkun, pse e njeh që ka një të kaluar jo të mirë (këtë e ka thënë më parë H. Ballhysa e më pas Skënderi e Semihaja). Këto pohime e mbrojtje të njëjta na bindin edhe më se këta i kanë biseduar njeri me tjetrin mbi mënyrën e përgjigjes, sikundër sigurisht edhe mbi gjithë punët e tjera.

Përveç këtyre, kontaktet e shpeshta që kanë pasur njeri me tjetrin si para zgjedhjeve, ashtu edhe mbas zgjedhjeve dhe pakënaqësitë e njëjta që kanë shfaqur mbas kësaj ndodhjeje, përforcojnë edhe më mirë opinionin se këta janë organizatorët kryesorë të kësaj ndodhjeje.

Nga pyetjet që ne kemi bërë tek antarë Partije të ndërlikuar në këtë çështje, nga informatat që na ka dhënë Komiteti i N / Pref….! (një rresht është i palexueshëm. Shënimi ynë). Kemi futur brenda në ta, elementë tanët, që ata nuk i njohin, por i dinë si të tyre, dhe kështu jemi në korent të përditshëm të lëvizjeve të punës së tyre.

Shpresojmë që të kemi një farë suksesi në këtë punë me ta, por sidoqoftë, fakti është se këta punojnë për të nxjerrë diçka, punojnë vazhdimisht për ta diskretituar pushtetin t’onë. Në lidhje me punën e zhvilluar dhe me atë që kemi në plan për të bërë në periudhën e dytë të fushatës , do t’i shkruaj mbas dy tri ditë në një letër tjetër të veçantë. Në përgjithësi puna e fushatës ka shkuar mirë dhe është ndjerë si duhet në popull”. Të fala shoqërore./Memorie.al

Për Komitetin Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare

                     Adil Çarçani

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?