“Gjatë kohës së përpunimit të tij, sidomos pas vitit 1987, është ndjekur si objekt më me precedencë dhe i centralizuar me pseudonimin “Dhelpra”, ku si rezultat i punës agjenturiale-operative, si dhe vijës së masave, u arrit të sigurohen tre prova me bazë ligjore që vërtetonin veprimtarinë e tij armiqësore, në formën e agjitacionit dhe të propagandës, kundër Partisë dhe udhëheqjes së saj kryesore, duke marrë në mbrojtje të atin e tij si armik dhe komplotistët e tjerë. Më datën 28. I. 1989, objekti i sipërm, Agron Hazbiu, duke qenë në frontin e punës në minierën e bakrit Kurbnesh, në turnin e dytë, në orët e mbrëmjes, me një sasi dinamiti, që kishte gjetur, i mërzitur tepër nga gjendja shumë e rëndë shëndetësore dhe presioni familjar, e sidomos i vëllait të tij, Petritit, për të shkuar në punë edhe pse ishte i sëmurë, vrau veten”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion të përpiluar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, i zonës së Kurbneshit, Nuri Manoku, i cili mban datën 17 prill të vitit 1989, drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ai u bën me dije eprorëve të tij, për mbylljen dhe arshivimin përgjithmonë të dosjes në ngarkim të Agron Hazbiut, pasi më 28 janar 1989, ai kishte humbur jetën në rrethana tragjike, në minierën e Kurbneshit, ku punonte që nga vitit 1982, kur ishte dërguar familjarisht me masë internimi, në atë qytezë minatorësh në një nga zonat më të thella të rrethit të Mirditës.
DOKUMENTI SEKRET I PËRPILUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I ZONËS SË KURBNESHIT, NURI MANOKU, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “ELEKTRONI”, PËR NDJEKJEN E SURVEJIMIN E AGRON HAZBIUT
Nr. 2470 Marrë: P.Op. Nuri Manoku
Dhënë: B.p. “Elektroni”
Takimi në natyrë
Rrëshen, më dt. 10.11.1988
SQARIM: Agron Hazbiu është i internuar dhe me punë në Kurbnesh, punëtor në minierën e bakrit dhe në përpunim aktiv 2/A për agjitacion e propagandë, ndiqet i centralizuar me pseudonimin “Dhelpra”. Në ngarkim të tij, janë siguruar tre prova legale, të cilat vërtetojnë materialet në rrugë operative, që flasin kundra Partisë dhe udhëheqjes kryesore të saj, duke marrë në mbrojtje, armikun e Partisë dhe të Shtetit, Kadri Hazbiun.
DETYRAT: B.p. “Elektroni”, i cili është tërhequr rishtas, ju dhanë detyra që në radhë të parë të ofrojë e të fitojë besimin e Agron Hazbiut, sepse deri diku po i beson, të paraqitet para tij si i mërzitur, i demoralizuar, për ato që po ndodhin, si pa shpresë se, po i vjen keq për fëmijët dhe me shumë kujdes të trajtojë bisedën rreth komplotistëve, ku veç të tjerash, t’i thotë:
Si është e mundur që këta tanët u futën në atë punë, ata s’kanë qenë pa eksperiencë dhe aftësi, për t’ua hedhur të tjerët, sikur t’i ishin hapur më parë Partisë, ndoshta do të kishin shpëtuar dhe ne po ashtu edhe neve, nuk do të ishim këtu në internim, se si do të veje halli jonë, këtë nuk do ta marrë kurrë me mënd.
Po ashtu i janë dhënë detyra që me Ihsan Budon, të shfrytëzojë rastin kur ai del jashtë, të takohet dhe të bisedojë, në radhë të parë për të fituar besimin e tij dhe pastaj t’i jepen detyra konkrete.
VLERËSIM: E dhëna ka vlerë mbasi mësojmë mbi reagimet armiqësore të Agron Hazbiut dhe të Ihsan Budos, si dhe lidhjet dhe marrëdhëniet midis të internuarave të tjerë në Kurbnesh
M A S A – O P E R A T I V E
Në drejtim të objektit 2/A Agron Hazbiu, do të intensifikohen masat për goditjen e tij, për këtë do të thirret dhe do të mbahet afër, shtetasi N. Gj. M., i cili ka shoqëri me objektin, punon në një vend pune dhe gëzon besimin e tij.
Kohët e fundit, N. i ka folur për Kadri Hazbiun, duke i dhënë të kuptojë se janë habitur për atë që i bënë, sepse me udhëheqësin kryesor e ka pas mirë, sa që me rastin e 60 vjetorit i ka falur një çifte me këmbëz floriri, që atij ja kishte dhuruar Stalini, etj., për gjëra konkrete, për veprimtari armiqësore, nuk ka folur.
E dhëna të nxirret në Buletinin tre mujor të komenteve armiqësore, shtypet me pesë kopje: Për Mimoza Hazbiun, Ihsan Budon dhe Spiro Rushën, si dhe një t’i dërgohet Degës së VIII-të, për ta vendosur në dosjen e centralizuar me pseudonimin “Dhelpra”.
PUNËTORI OPERATIV
NURI MANOKU
DOKUMENTI SEKRET I MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË RRËSHENIT, SELIM JAZAJ, PËR KOMBINACIONIN E PËRGJIMIT ME TEKNIKË OPERATIVE, TË DY PUNËTORËVE, G.SH. DHE P.B., PËR TË DËGJUAR BISEDAT E TYRE LIDHUR ME VDEKJEN E AGRON HAZBIUT NË MINIERËN E KURBNESHIT
MIRATOHET SEKRET
KRYETAR I I DEGËS BRENDSHME EKZEMPLAR NR. 1
SELIM LAZAJ RRËSHEN, MË 2.2.1989
PLAN KOMBINACION
PËR PËRPLASJEN E DËGJIMIN ME MJETE T.O. TË “AR” TË SHTETASVE G. SH. DHE P.B.
Më datën 28.1.1989, nga oficeri i rojës, u muar njoftimi se, në minierën Kurbnesh, është aksidentuar objekti Agron Hazbiu dhe menjëherë pas këtij njoftimi, u muarën masat për të verifikuar gjendjen.
Nga versionet e ngritura, rezultoi se, mund të ketë gjetur vdekjen nga punëtorët e pranishëm që kanë qenë duke punuar me të, G. Sh. dhe P.B.
Me qëllim që të sqarohet version i ngritur nga ana jonë, u morën masat për të bërë përplasjen e tyre dhe bisedat të dëgjohen me mjetet tona, T.O. “AR”.
Për t’ja arritur këtij qëllimi, u morën këto masa:
Nga ana e Punëtorit Operativ, Nuri Manoku, dy shtetasit, G. Sh. dhe P. B., të jenë pranë zyrave të Këshillit Popullor, ku ndodhet zyra e tij.
Thirrja e tyre do të bëhet në orët e mbrëmjes, pranë oborrit të zyrës së Punëtorit Operativ, Nuri Manoku, ku më parë u montuan mjetet e T.O. “AR” në një copë tub plastik, duke e lenë atë te vendi ku u mendua më parë se, mund të zhvillohet biseda.
Si pikë përgjimi, u vendos zyra e Punëtorit Operativ të zonës, Nuri Manoku, ku garantoheshin kushte të mira përgjimi, ku në të qëndruan, Punëtori Operativ, Nuri Manoku dhe Hysen Vata. Në qoftë se do të ndodhemi para tentativës së zbulimit të mjeteve të T.O., të ndërhyhej nga ana e Punëtorit Operativ, Nuri Manoku, për t’i marrë ata në pyetje, për ngjarjen e ndodhur.
Pas përfundimit të përgjimit, do të merret kamuflazhi nga ana e Punëtorit Operativ, Hysen Vata dhe do të bëhet kthimi i tyre në Degë.
Në kryerjen e këtij kombinacioni, muarrën pjesë shokët Punëtorë Operativ, Nuri Manoku dhe Hysen Vata, nën drejtimin e zv/Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, Llazar Druga.
Në përfundim, u muarr kamuflazhi, deklarata me shkrim e shtetasve rreth ngjarjes, u nxuar informacioni dhe ju raportua kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, shokut Selim Jazaj.
PUNËTORI OPERATIV PUNËTORI OPERATIV
NURI MANOKU HYSEN VATA
DAKORD
ZV/KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME
LLAZAR DRUGA
DOKUMENTI SEKRET I MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME TË RRËSHENIT, SELIM JAZAJ, PËR PËRGJIMIN ME TEKNIKË OPERATIVE, TË FAMILJES SË KADRI HAZBIUT NË BANESËN E TYRE NË KURBNESH, KUR ATY DO ISHTE TRUPI I PAJETË I AGRON HAZBIUT, PARA DHE PAS VARRIMIT TË TIJ
DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME SEKRET
ANA E SIGURIMIT Ekzemplar Nr. 1
6 Rrëshen, më 18.2.1989
NDALOHET RIPRODHIMI
INFORMACION I TEKNIKËS OPERATIVE I DATËS 28.1.1989
Mbi bisedat e zhvilluara midis objekteve Petrit Hazbiu, Elena Hazbiu, Mimoza Hazbiu dhe Hedije Hazbiu, në datën 28.1.1989, nga ora 23.30, deri në ora 19.00, të datës 29.1.1989.
Legjenda: P – Petrit Hazbiu.
E – Elena Hazbiu.
M – Mimoza Hazbiu.
H – Hedije Hazbiu.
Nga bisedat e zhvilluara, del se:
Fillimisht, dëgjohen të trokitura dhe muzikë popullore, nga radio, për disa minuta. Shpesh herë, hapet dhe mbyllet dera, duke lëvizur nga një dhomë, tek tjetra. Nga larg, shihet makina që ka sjellë kufomën.
E – Po vjen Goni, o shpirt i motrës (qan me zë të lartë) O Goni, o Goni, o shpirt i motrës (heshtje e gjatë, hapet dera dhe vijnë disa persona që sjellin kufomën, ndërhyn Petriti, duke u thënë).
P – Të pini një gotë raki të paktën (largohen ata personat dhe ndërhyn Petriti për t’i qetësuar, duke thënë se, nuk bën kështu, pas një vajtimi të gjatë, që nga ana jonë nuk kuptohet se çfarë thonë konkretisht, pushojnë se qari dhe lëvizin shpejt e shpejt nëpër dhomë dhe dëgjohen vetëm zhurmat që bëjnë duke lëvizur raftet.
Pas pak minutash, dëgjohen të trokiturat me çekiç, duke hapur arkivolin dhe më pas duke i vendosur bezen që kanë menduar, mbasi arkivolin e prunë pa beze, pas kësaj vjen në dhomë ku është kufoma, Elena dhe nis e vajton.
E – O Goni, o Goni, o Goniiiii.
P – Çfarë ke (i flet me ton qortues).
H – Ku je o Goni.
E – O bobo unë e shkreta (qan me zë të lartë).
P – Mama, ulu këtu.
E – O bobo unë e shkreta, o Goni (thërret me zë të lartë). A mor Goni
M – Vajton, por nuk kuptohet se çfarë thotë) O Goni, si kështu, o Goniiii. Për disa minuta ka heshtje të plotë, pastaj vazhdojnë përsëri të qajnë e të vajtojnë me zë të lartë. Pastaj dëgjohet radio, duke dhënë muzikë në piano dhe këngë popullore. Vjen në dhomë Elena, duke vajtuar. Ngrehu more Goni, se vajti ora për t’u paraqitur o shpirti i motrës (është ora 14.00, kur ata paraqiten). Ngrehu o shpirti i motrës, se tani nuk ka me kë të shkojë motra për t’u paraqitur, se shkonim të gjithë bashkë, o shpirti i motrës, o Goni. Del nga dhoma dhe pas pak, vjen Petriti dhe fillon të vajtojë.
P – Goni, Goni, Goni, (duke qarë), Goni ku më le, Goni. Po çar bëre bre, se je djal o Goni. Goniiii. Po unë s’desha ndonjë gjë more Goni. Ahh mor Goniiiii. Ç’më bëre mor Goniii, Goni ç’më bëre Goni. Ku të gjej Goniiii. Mos o zot i madh. Si ka mundësi Goniiii, se besoj kurrrrrrr, Goniiii (largohet duke qarë për në dhomën tjetër). Pas një pauze të gjatë, vjen Hedija.
H – O Goni o shpirt.
M – Ta marrim dhe ta lajmë.
H – Hape se do kalbet i ziuuuu.
P – S’qahet tashti. Po pse duhet të bëheni qull tashti?! Ne s’na duhet
H – Po nuk më besohet ore!
P – Po ashtu është vendi atje. E kujt ja merrte mëndja moj mama. Sa herë ky kështu?!
H – Çfarë kishte, kishte ndonjë diçka?!
P – Hiç gjë.
E – O Goni, o shpirt i motrës.
M – T’i marrë dhe këto pantallonat.
H – Shkoni të tre, për ta çuar.
P – Mos, nuk bën kështu, vajtojnë me fjalë dhe dalin për ta çuar tek varrezat, e pas nja dy orësh, vijnë përsëri, e nuk dëgjohet gjë, se kanë hapur radion dhe pas këtyre veprimeve, dëgjohen vetëm hapje dhe mbyllje të dyerve.
Shënim:
Informacioni u mor i pjesshëm, mbasi nuk kuptohet vajtimi, se përse e kanë fjalën e çfarë mund të kenë thënë. Por janë nxjerrë vetëm ato fjalë që kuptohen nga ana jonë.
PUNËTORI OPERATIV I T.O
HYSEN VATA
DOKUMENTI SEKRET I PËRPILUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I ZONËS SË KURBNESHIT, NURI MANOKU DHE I MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME TË RRËSHENIT, SELIM JAZAJ, PËR MBYLLJEN DHE ARSHIVIMIN E DOSJES SË AGRON HAZBIUT, NË ARKIVIN E MINISTRISË SË BRENDSHME
MIRATOHET SEKRET
KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
SELIM LAZAJ Rrëshen, më 17.4.1989
VENDIM
“PËR NDËRPRERJEN E PËRPUNIMIT 2/A TË AGRON HAZBIUT”
Unë, Punëtori Operativ, Nuri Manoku, efektiv i Degës së Punëve të Brendshme, Rrëshen, pasi studiova dokumentet e dosjes së përpunimit 2/A, me numër 1424, të Agron Hazbiut
GJETA:
Agron Hazbiu, është i biri i Kadriut dhe Hedijes, i datëlindjes 1959, lindur në qytetin e Tiranës, e ish me banim dhe me masë internimi në Kurbnesh të rrethit të Mirditë, aktualisht vdekur, me arsim të lartë, me profesion nëpunës (mësues fizkulture), i pamartuar, i paorganizuar, i padënuar, me kombësi dhe shtetësi shqiptare.
Qëndrimi politik i familjes së Agronit para çlirimit dhe Luftës Nacionalçlirimtare, ka qenë i mirë, por si nga babai, ashtu dhe nga nëna, kanë qenë familje me origjinë shtresë e pasur fshatare, pas çlirimit të vendit, nuk kanë mbajtur qëndrim të mirë, edhe pse babai i tij, Kadri Hazbiu, u bë anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër, pasi i ka fshehur Partisë, veprimtarinë armiqësore të grupeve që ka zbuluar Partia, ka shkelur rëndë vijën e Partisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme e Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, ka qene agjent i zbulimeve të huaja dhe pjesëtar i grupit komplotist të Mehmet Shehut, si i tillë, u dënua me vdekje (Pushkatim).
Mbas arrestimit dhe dënimit të babait të tij, Kadri Hazbiut, si Agroni dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes së tij, kanë mbajtur dhe mbajnë qëndrim të keq politik, agjitojnë dhe propagandojnë kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor, si të tillë, tre prej tyre, Petrit, Elena dhe Agroni, u morën në përpunim 2/A, kurse e ëma dhe e motra (Hedija dhe Mimoza Hazbiu), janë të regjistruara, si kontingjente. Të gjithë me masë internimi, në Kurbnesh.
Më datën 5.10.1983, Agroni është marrë në përpunim aktiv 2/A, me tendencë për agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor dhe si lidhje e ngushtë familjare e armikut Kadri Hazbiu. I është zgjatur afati i përpunimit, dy herë nga gjashtë muaj dhe dy herë nga një vit.
Gjatë kohës së përpunimit të tij, sidomos pas vitit 1987, është ndjekur si objekt më me precedencë dhe i centralizuar me pseudonimin “Dhelpra”, ku si rezultat i punës agjenturiale-operative, si dhe vijës së masave, u arrit të sigurohen tre prova me bazë ligjore që vërtetonin veprimtarinë e tij armiqësore, në formën e agjitacionit dhe të propagandës kundër Partisë dhe udhëheqjes së saj kryesore, duke marrë në mbrojtje të atin e tij si armik dhe komplotistët e tjerë.
Më datën 28.I.1989, objekti i sipërm. Agron Hazbiu, duke qenë në frontin e punës në minierën e bakrit Kurbnesh, në turnin e dytë, në orët e mbrëmjes, me një sasi dinamiti, që kishte gjetur, i mërzitur tepër nga gjendja shumë e rëndë shëndetësore dhe presioni familjar, e sidomos i vëllait të tij, Petritit, për të shkuar në punë edhe pse ishte i sëmurë, vrau veten.
Mbështetur sa më sipër, edhe në pikën nr. 11 të listës së aftave të rregullores së Evidencës Operative, nr.01-27, datë 23.8.1986;
VENDOSA:
Të ndërpres përpunimin e tij të mëtejshëm në 2/A të Agron Hazbiut, për agjitacion dhe propagandë armiqësore dhe dosjen e tij ta arshivoi me afat ruajtje përgjithmonë, në arkivin qendror të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në sektorin e evidencës operative, duke kryer edhe veprimet përkatëse në kartotekë./Memorie.al
PUNËTORI OPERATIV SHEFI I SEKSIONIT
NURI MANOKU LLAZAR DRUGA
E futi ramiz alia nr burg ai qe na boni peshqesh dhe sali pëehren
Përgjigju