Samiti i BRICS, tetor 2023

Rendi i ri botëror, një botë shumë polare

13 Nëntor, 13:00| Përditesimi: 13 Nëntor, 13:05

  • Share

Ngritja e Kinës në skenën globale, e ka sfiduar hegjemoninë e padiskutueshme të Amerikës mbi ekonominë botërore, një status të cilin Shtetet e Bashkuara e gëzonin që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ndërsa disa ekspertë në sigurisë kombëtare kërkojnë ruajtjen e përparësisë së SHBA-së, të tjerët duken të dorëzuar para një bote që po bëhet gjithnjë e më bipolare.

Megjithatë, një rezultat më i mundshëm është një botë me shumë pole pushteti, ku fuqitë e mesme do të ushtrojnë një forcë të konsiderueshme kundër-balancuese, duke e penguar SHBA-në dhe Kinën që t’u imponojnë interesat e tyre.

Fuqitë e mesme përfshijnë Indinë, Indonezinë, Brazilin, Afrikën e Jugut, Turqinë dhe Nigerinë, që të gjitha ekonomi të mëdha me një peshë të rëndësishme në ekonominë globale apo në rajonet e tyre. Ato nuk janë ndër vendet nga të pasura në botë. Përkundrazi, kanë në gjirin e tyre një pjesë të konsiderueshme të njerëzve më të varfër të botës.

Megjithatë kanë shtresa të mesme shumë të gjera, të orientuara nga konsumi, si dhe aftësi teknologjike të konsiderueshme. PBB-ja e kombinuar (e rregulluar sipas fuqisë blerëse) e 6 vendeve të përmendura më sipër, e kalon tashmë atë të SHBA-së, dhe parashikohet që të rritet me 50 për qind deri në vitin 2029.

Këto vende kanë politika të jashtme të dallueshme, që e refuzojnë harmonizimin e qartë me SHBA-në ose Kinën. Në dallim nga sa besojnë shumë njerëz në SHBA, fuqitë e mesme nuk kanë ndonjë prirje më të madhe për t’u afruar me Kinën, dhe as nuk duan ta bëjnë këtë në kurriz të marrëdhënieve të tyre me SHBA-në.

Në fakt, për aq sa ata janë afruar me Kinën, kjo ka ndodhur për shkak të politikës së SHBA-së. Përdorimi si një armë i fuqisë tregtare dhe financiare nga Amerika, i ka nxitur ata të mbrojnë interesat e tyre. Udhëheqësit e fuqive të mesme, nuk duan një botë ku të jenë të detyruar të mbajnë anën e njërit apo tjetrit.

“Ne refuzojmë që të jemi peng në një Luftë të re të Ftohtë”- thotë ish-presidenti indonezian Joko Widodo.

Ata duan të ndërtojnë marrëdhënie tregtare dhe investimi që janë shumëdimensionale, duke zgjedhur nga një menu opsionesh, të cilat nuk kufizohen artificialisht nga ndonjë rivalitet midis fuqive të mëdha.

Shumë analistë, midis tyre edhe Rana Foroohar e Financial Times, besojnë se “SHBA nuk është një spirancë për stabilitetin, por një rrezik ndaj të cilit duhet mbrojtur”. Me ekonomitë e përparuara të përqendruara gjithnjë e më shumë tek problemet e veta, fuqitë e mesme janë bërë kampionët e natyrshëm të të mirave publike globale.

Ato gjenden në një pozicion të mirë për të udhëhequr luftën kundër ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e shëndetin publik dhe menaxhimin e borxhit publik. Një shembull i mirë, është lobimi i Brazilit për vendosjen e një takse globale të pasurisë për miliarderët gjatë presidencës së tij të G20-ës.

Propozimi i cili është ende në shqyrtim, parashikohet të mbledhë qindra miliarda dollarë, dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngushtimin e hendekut në financimin e programeve kundër ndryshimeve klimatike në vendet me të ardhura të ulëta.

Fuqitë e mesme nuk kanë të ngjarë të shndërrohen në një bllok të ri të madh, kryesisht për shkak se interesat e tyre janë shumë të ndryshme për t’u përshtatur në një axhendë të përbashkët ekonomike ose të sigurisë. Edhe kur ata i janë bashkuar grupimeve formale, ndikimi i tyre i përbashkët ka qenë i kufizuar.

BRICS (fillimisht Brazili, Rusia, India, Kina, dhe më vonë Afrika e Jugut) u promovua me bujë të madhe në vitin 2009, por përtej ofrimit të fotove para dhe pas samiteve fotografike për udhëheqësit e saj, ka arritur shumë pak. BRICS është zgjeruar kohët e fundit për të përfshirë 4 vende të tjera: Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, teksa shumë të tjerë mund të bashkohen në të ardhmen. Por është e vështirë të kuptohet se si një grupim i tillë vendesh kaq heterogjen, mund të veprojnë vazhdimisht së bashku.

Skenari më i keq, është që ai të përforcojë akoma më tej impulset autokratike të liderëve të shteteve anëtare të zgjedhur në mënyrë demokratike. Një pikëpamje e zakonshme midis ekonomistëve dhe politologëve, është se një ekonomi globale e shëndetshme dhe e qëndrueshme ka nevojë për një hegjemon.

Qoftë ky si SHBA-ja e pas vitit 1945 apo Britania gjatë standardit të arit. Sipas teorisë së “stabilitetit hegjemonik”, kërkohet një fuqi mbikëqyrëse që të përballojë kostot e drejtimit të një ekonomie të hapur botërore, si për shembull mbajtja hapur e rrugëve detare apo zbatimi i rregullave tregtare dhe rrjedhës së lirë të parave.

Prandaj, mendohet se projekti i një bote më shumë pole, rrezikon që të na çojë drejt kaosit dhe kolapsit ekonomik. Megjithatë  kjo është një pikëpamje shumë e vjetruar se si funksionon bota e sotme. Megjithëse është e natyrshme që përzierja specifike e hapjes dhe mbrojtjes, do të ndryshojë në vende të ndryshme, asnjë vend nuk ka interes që t’i kthejë shpinën ekonomisë globale.

Qeveritë duhet të balancojnë vazhdimisht përfitimet nga tregtia e hapur, përkundrejt mbështetjes që mund të kenë nevojë industritë e tyre për të zhvilluar aftësi të reja. Secili vend është gjyqtari më i mirë i këtij sistemi, kur flitet për kushtet në të cilat ai merr pjesë në ekonominë botërore.

Do të ishte mirë të kishim një botë në të cilën SHBA-ja, ndoshta me mbështetjen e Kinës, do t’i furnizonte me gjithë të mirat publike globale që u duhen vendeve në zhvillim për zbutjen dhe përshtatjen me ndryshimet klimatike. Por kjo nuk është bota që kemi sot.

SHBA-ja dhe ekonomitë e tjera të mëdha, janë mjerisht të padisponueshme për të siguruar të mirat publike për të cilat ka vërtet nevojë ekonomia botërore. Kjo edhe duke pasur parasysh atmosferën aktuale në kryeqytetet e tyre, e cila nuk ka gjasa të përmirësohet së shpejti.

Për më tepër, siç e kanë mësuar nga përvoja shumë fuqi të mesme, fuqia hegjemonike mund të përdoret për arsye shtrënguese, por edhe dashamirëse. Ajo mund të përdoret për të zbatuar rregullat e lojës që nuk u shërbejnë interesave të tyre - të cilat hegjemonët i shpërfillin me lehtësi sa herë që bëhen të papërshtatshme - apo për të ndëshkuar vendet që nuk sillen në përputhje me qëllimet e politikës së jashtme të hegjemonit, apo respektimin e sanksioneve që ka vendosur  SHBA-ja kundër Iranit dhe Rusisë.

Kontributi ndoshta më i rëndësishëm që mund të japin fuqitë e mesme, është të tregojnë me shembullin e tyre realizueshmërinë e projektit të një bote shumë polare dhe të hapjes së shtigjeve të ndryshme të zhvillimit në rendin global. Ato ofrojnë një vizion mbi ekonominë botërore, që nuk varet nga fuqia dhe vullneti i mirë as i Amerikës dhe as i Kinës.

Por në rast se fuqitë e mesme duan të jenë vërtet modele të denja për të tjerët, ato duhet të bëhen aktore të përgjegjshme, si në marrëdhëniet e tyre me vendet më të vogla, ashtu edhe në promovimin e një llogaridhënie më të madhe politike brenda vendit./ Project-syndicate

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 13/11/2024 13:36

    Me ne fund po e kuptoni qe perandoria e amerikes eshte duke u shkermoqur me shpejtesi prandaj vendi yne duhet te shikoje interesat e tij dhe jo te bej servilin per interesat e amerikes apo te ndonje vendi tjeter

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?