Momenti i së vërtetës erdhi. Boksierin shqiptar të peshave të rënda, Nelson Hysën, të shtunën e pret një përballje titanësh ndaj kundërshtarit latin Marcos Antonio Aumada, i cili është numri 1 këtë kategori në Argjentinë dhe Amerikën e Jugut. 36-vjeçari është 77 pozicione më mirë në renditjen botërore sesa boksieri shkodran, ndërsa njihet për boksimin agresiv.
“Edhe ne nuk është se mbahemi për të butë. Është një ndeshje që e kemi menduar mirë, studiuar mirë. Kundërshtari është agresiv nga raundi i parë në raundin e tetë dhe është i motivuar, por unë jam më shumë se ai. Presioni nuk është tek unë edhe pse ai është numri 1 në Amerikën e Jugut dhe Argjentinë. Po e pres ndeshjen me shumë qetësi, me maturi dhe me punën që kemi bërë shpresoj të dalë diçka e bukur dhe të arrijmë atë që ëndërrojmë,”-u shpreh Nelson Hysa, boksier.
Po çfarë do të thotë një fitore për Nelson Hysën, që është edhe përballja e tij e 10 në boksin profesionist?
“Kjo fitore për mua do më kalonte në një nivel tjetër. Do shkojë në rangun e 50 boksierëve më të mirë të botës,”-tha Nelson Hysa, boksier.
Renditja e penalizon, por më 29 korrik Nelson Hysa do ketë mbështetjen e shumë shqiptarëve, pasi eventi i boksit zhvillohet në sheshin ‘Iliria’ të Tetovës.
“Ka një interesim shumë të madh që janë atje, por jo vetëm nga Maqedonia e Veriut. Nga Shqipëria dhe Kosova nuk do mungojnë. Siç kemi diskutuar me mikun tonë, i cili është edhe organizatori Halim Abazi, presim një sheh të mbushur plot siç ndodh gjithmonë në tetovë kur ka aktivitet sportive,”-deklaroi Nelson Hysa, boksier.
Në 9 ndeshjet e mëparshme në boksin profesionist Nelson Hysa ka marrë 9 fitore dhe renditet në vendin e 162 në botë, por kjo është ndeshja e parë ndaj një rivali me shumë prestigj.