DIBËR - Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri zhvilloi ndeshjen e prapambetur mes Korabit dhe Luzit (java 30), me fitoren e skuadrës dibrane 5-1. Në stadiumin e Peshkopisë djemtë e Kumbarçes nuk e vendosën në diskutim suksesin duke shënuar me Kasallën dhe Çemën në minutat 31 dhe 35.
Për të rihapur duelin mendoi Patrik Treni që në shtesën e pjesës së parë ktheu në gol një penallti për Luzin. Në fraksionin e dytë vendasit u kujdesën të shënonin dy herë me Markun në të 48' si edhe Kasallën, për dopietën e këtij të fundit. Në fund kishte vend edhe për golin e Reçit.
Me këtë sukses Korabi ngjitet në kuotën e 43 pikëve në vendin e gjashtë dhe siguron zonën e promovimit tre ndeshje nga fundi i sezonit. Zyrtarisht AF Elbasani dhe Bylis janë në Superligë, teksa Flamurtari, Vora, Apolonia dhe Korabi do luftojnë në zonën e promovimit për një vend në Superligë.
Në fundin e renditjes Tomori i ka dhënë lamtumirën Kategorisë së Parë dhe nga sezoni i ri do luajë në të Dytën. Ndërkohë që Luzi i parafundit është ende në garë për të shpëtuar nga rrëzimi në tre ndeshjet e mbetura.
Përkohësisht Burreli dhe Besa shkojnë në ndeshjen shtesë që do bëjë të kenë një shans për të shpëtuar sezonin.
Korabi 5-1 Luzi 2008 (Kasalla 31', 70', Cema 35', H. Marku 48', H. Reçi 90' / P. Treni 45+2' (p))
Renditja: