TIRANË- Gjykata e Posaçme ka caktuar një tjetër masë sigurie ‘arrest në burg’ për Firdeus Berberin, i cili u ekstradua nga Greqia më 21 gusht 2024. Berberi doli sot në GJKKO, ku iu konfirmua masa e sigurisë 'arrest në burg', duke e lënë 23-vjeçarin në qeli pa afat. Ai akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit të Laert Haxhiut dhe roli i tij është zbuluar nga dëshmia e Artan Tafanit, i penduar i drejtësisë.
Sipas Tafanit në shkurt të vitit 2023, Berberi në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe një anëtar tjetër të grupit kanë vjedhur me dhunë një automjet në Durrës, për ta përdorur më pas për ngjarje kriminale. Berberi akuzohet gjithashtu edhe për kërcënimin e dy punonjësve të policisë gjatë operacionit për arrestimin e Artan Tafanit në zonën e Astirit në Tiranë. Në atë kohë Berberi ishte në kërkim për plagosjen e Johan Muçllarit në Pogradec dhe gjatë kësaj periudhe fshihej në Tiranë.
Ndaj Berberit është caktuar masë sigurie edhe nga gjykata e Pogradecit pasi akuzohet për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”. Berberi plagosi në 2022 Joan Muçllarin, djalin e një biznesmeni në Pogradec.
Berberi u arrestua në Greqi bashkë me Laert Haxhiun në maj të 2023 në një kohë kur ky i fundit konsiderohej nga autoritetet shqiptare si një nga 5 më të kërkuarit në vend.