Skandali! Ashensori që u rrëzua në QSUT nuk ishte i regjistruar! Në Shqipëri vetëm 1429 të certifikuar nga ISHMT

17 Maj 2022, 12:36| Përditesimi: 17 Maj 2022, 15:06

  • Share

TIRANË- Me fitimin e një tenderi mbi  14 milionë e 500 mijë lekë (të rinj) me TVSH, firma “Sulollari Klima” nuk ka menduar për jetën e pacientëve në QSUT. Kompania që duhej jo vetëm të mirëmbante ashensorët në Qendrën Spitalore Universitare, por edhe të sigurohej që të ishin të sigurt për njerëzit, nuk e kishte regjistruar ashensorin pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Këtë fakt e bën të ditur vetë Inspektorati një ditë pas aksidentit të rëndë mre rrëzimin e një prej  4 ashensorëve në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, që la të plagosur një paciente 80-vjeçare që ndodhej brenda bashkë me barrelistin. Nga inspektimi që ISHMT ka bërë, rezulton se ashensorit i është bërë vetëm ekzaminimi fillestar nga një organ i miratuar, por nuk është bërë regjistrimi i tij pranë Inspektoratit.

Në bazë të ligjit “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, personi Përgjegjës për ashensorin ka për detyrë të kontraktojë një organ të miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve. Pas kryerjes së ekzaminimit fillestar personi përgjegjës ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së.

Por kjo nuk ka ndodhur! ISHMT bën publik se pranë këtij inspektorati janë të regjistruar 1429 ashensorë dhe vetëm gjatë vitit 2021 janë bërë 336 inspektime.

Kjo shifër e ulët, vetëm 1429, tregon se shumica e kompanive të ashensorëve në Shqipëri nuk kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë bërë regjistrimin pranë ISHMT, duke shmangur kështu kontrollet periodike dhe ndëshkimet në rastet e konstatimit të shkeljeve teknike.

Ashensori në Urgjencën e QSUT pësoi defekt gjatë mbrëmjes të së dielës. Një nga kavot u këput dhe ashensori që ishte në ngjitje, u rrëzua në katin -1, duke bërë që një pjesë e barrelës ku ishte shtrirë pacientja, të përfundojë e varur jashtë ashensorit. Policia vuri në hetim në gjendje të lire, Ermal Brajën, teknikun për mirëmbajtjen e ashensorit dhe administratorin e firmës që ka fituar tenderin, “Sulollari Klima” Ardian Sulollari.  Data e lidhjes së kontratës me afat 24 muaj është 31 dhjetor 2021 me vlerë 2 milionë e 406 mijë e 270 lekë me TVSH. Nga ekstrakti në QKB, kompania “Sulollari Klima” thotë se është e specializuar për kondicionerë e kaldaja, ashensorë etj.

Një ditë më parë Report Tv mundi të hyjë brenda Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme dhe të konstatojë ashensorin e dëmtuar, tashmë jashtë funksionit. Shiritat e policisë janë hequr, ndërsa ashensorët e tjerë janë në punë siç konstatohet lehtësisht nga butonat e ndezur. Nëse edhe ashensorët e tjerë nuk janë regjistruar pranë ISHMT-së, edhe ata mbeten rrezik për jetën e personave, njëjtë si i pari që pësoi defekt. Hetimet vijojnë.

Njoftimi i plotë i ISHMT
Lidhur me ngjarjen e ndodhur në QSUT, ku si pasojë e një problemi në funksionimin e ashensorit janë plagosur dy persona, Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me strukturat e tjera ligj zbatuese, është angazhuar maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes, përcaktimin e shkaqeve dhe marrjen e masave me qëllim mos përsëritjen e ngjarjeve të tilla, të cilat cënojnë sigurinë e qytetarëve.

Paraprakisht dëshirojmë të informojmë se, në bazë të inspektimit të kryer nga ISHMT, rezulton se është kryer ekzaminimi fillestar i ashensorit nga një organ i miratuar, por nuk është kryer regjistrimi i ashensorëve në zbatim të Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, i ndryshuar.

Në bazë të ligjit, Personi Përgjegjës i produkt/instalimit ka për detyrë të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve. Pas kryerjes së ekzaminimit fillestar personi përgjegjës ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së.

Kontrollet për sigurinë e ashensorëve kanë qenë një ndër prioritetet e veprimtarisë së Inspektoriatit të Mbikëqyrjes së Tregut, ku vetëm për vitin 2021 janë kryer 336 inspektime, ndërkohë që numri i ashensorëve të regjistruar pranë ISHMT është 1429.

Gjithashtu, ISHMT ka informuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha grupet e interesit mbi detyrimet ligjore që duhet të përmbushen lidhur me sigurinë e ashensorëve.

ISHMT iu bën thirrje të gjithë personave përgjegjës të kryejnë procedurën e regjistrimit të ashensorëve pranë këtij institucioni, ashensorët e rinj që instalohen për herë të parë, por edhe ashensorët që janë në përdorim, në mënyrë që të garantohet që ashensorët në përdorim për të tretët apo publikun e gjerë të jetë në përputhje me kërkesat e sigurisë së produktit/instalimit të vënë në shërbim gjatë gjithë periudhës së tij të përdorimit. 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?