Rënia e euros godet buxhetin, 112 mln euro dëmi në 7 muaj, por ka tkurrur edhe borxhin me 5.4% në 3 vite

9 Shtator, 20:27| Përditesimi: 9 Shtator, 21:04

  • Share

Tirane- Në seancën e sotme (9 shtator 2024) të Komisionit të Ekonomisë për 2 orë Ministri i Financave i bëri një pasqyrë zhvillimeve ekonomike në 7 muaj, nga të ardhurat, investimet, kursi i këmbimit, rindërtimi e deri tek pensionet.

Ministri Malaj në përgjigje të interesit të deputetëve tha se buxheti i shtetit ka humbur po edhe ka përfituar nga kursi i këmbimit. Por përpos kësaj situate nuk mund të ndërhyhet në kurs pasi atë e përcakton kërkesë-oferta.

“Kursi i këmbimit nga njëra anë favorizon borxhin, nga ana tjetër dëmton të ardhurat nga doganat. Në 7 muaj, kemi një kosto në të ardhura të munguara si rezultat i kursit të këmbimit në vlerën e 11.2 miliardë lekë (e konvertuar 112 mln euro) Në vitin 2021 borxhi ka qenë 74.5%, ndërsa në 2023 borxhi është 58.9%. Efekti i kursit të këmbimit është për këtë periudhë është 5.4% më pak, .nga 15% që është ulja e borxhit”, tha sot  (9 shtator 2024)  Malaj.

Nga valuta, ministri dha përgjigje për rindërtimin, që pritet të mbyllet në 2026-ën.

“Totali i projekteve të miratuara për periudhën 2020-2023, ka qenë në vlerën 120 miliardë lekë. Vera e mbetur nga ky financim është 28 miliardë lekë, nga të cilat vetëm këtë vit investohen 9 miliardë lekë, dhe mbeten dhe 20 miliardë lekë për vitin 2025-2026. Me këto fonde mbyllet plotësisht rindërtimi”, tha Malaj.

Edhe në këtë komision Malaj theksoi nevojën për të rishikuar skemën e pensioneve, dhe theksoi se po punohet që pensionistët të mos marrin vetëm indeksimin dhe bonusin për këtë vit, por diçka më shumë.

“Skema e pensioneve ka nevojë të rishikohet, sepse në vitin 2015 nuk ishte kjo sfidë që është tani, ajo e demografi. Kemi një skemë jo të qëndrueshme, ka nevojë për subvencion nga buxheti çdo vit. Duhet një skemë që siguron që të ketë më shumë të ardhura për pensionet. Po punojmë për skemën e re, për të vlerësuar edhe skemat e qëndrueshme dhe në kohë, dhe që siguron pensione më të larta.

I thirrur për të prezantuar aktin normativ për rishikimin e buxhetit 2024, ministri tha se ekonomia është në ditë të mira, por u ‘përball’ me pakënaqësi sa i takon buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë.

“Kur unë flas për bujqësinë kam parasysh prodhimin. Nuk është skema më e mirë ajo për financimin e bujqësisë. Bujqësia është me nën financim, kur vit për vit konfirmohet që buxheti fillestar e nën financon, dhe pastaj me akt e shtojmë por prapë e nën financojmë, po pse bëjmë planifikim”, tha Braçe.

Buxheti i shtetit u rishikua për herë të dytë në fund të muajit gusht, duke rritur pritshmëritë për të ardhurat dhe shpenzimet me 27 miliardë lekë.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?