Emmanuel Macron në Arabinë Saudite

Bota

Rënia e qeverisë, Macron gati të zgjedhë kryeministrin para vizitës së Trump! Një pakt republikan i nevojshëm para hapjes së Notre-Dame

5 Dhjetor, 09:22| Përditesimi: 5 Dhjetor, 09:56

  • Share

Emmanuel Macron zbriti në kryeqytet në momentin kur deputetët po votonin mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Barnier. Franca, e gjen Macron pas tre ditësh në Arabinë Saudite, tashmë është zhytur në paqëndrueshmëri. Në atë “tokë të panjohur” që edhe vetë Kryeministri e përmendi, duke bërë një përpjekje gjithnjë e më të dëshpëruar për të shmangur votimin e parlamentit kundër tij. Macron dëshiron të veprojë me shpejtësi për të stabilizuar “pacientin e ri të Europës”. Që nga ardhja e tij në Élysée, ai refuzon t'i diktohen lëvizjet, duke u paraqitur si "maître des horloges" (mjeshtër i orëve), nën kontrollin e akrepave të orës politike dhe institucionale.

Por, koha është përshpejtuar në mënyrë të frikshme dhe Élysée rrezikon të përfshihet nga presioni i një krize të paprecedentë qeveritare. Përballë një Asambleje Kombëtare të paqeverisshme, Macron mbështetet në fuqitë që i garanton Kushtetuta: emërimin e Kryeministrit. Do të jetë një emërim i menjëhershëm. Pasi të jetë mbyllur çështja Barnier, duhet zgjedhur menjëherë një Kryeministër tjetër. Emërimi mund të bëhet publik që sonte, kur Presidenti do t’i drejtohet popullit francez me një mesazh solemn.

Koha këtë herë diktohet nga axhenda ndërkombëtare: ardhja të shtunën e krerëve të shteteve dhe qeverive për rihapjen e Notre-Dame. Në veçanti, nga Donald Trump, i cili ka zgjedhur Parisin si destinacionin e tij të parë jashtë vendit pas zgjedhjes si president. Ky akt vëmendjeje ndaj Francës nga presidenti i ri amerikan nuk duhet të shkatërrohet nga paniku që përhapet në kryeqytet. “Është një çështje besueshmërie,” shpjegojnë në rrethin presidencial.

Gjatë misionit të tij në Riad, Macron nisi konsultimet informale. Largimi i Barnier ishte i pritshëm prej të paktën një jave, edhe pse Kryeministri refuzonte ta besonte. Pikërisht sot Barnier ishte planifikuar të vizitonte Romën për një takim me Giorgia Melonin. Takimi mbeti në agjendë deri në momentin e fundit, megjithëse rruga drejt mosbesimit dukej e pandalshme. Në shtator, emërimi i një kryeministri nga e djathta, kompetent dhe me përvojë, ishte justifikuar nga Élysée si një “zgjedhje stabiliteti”. Nëntë javë më vonë, ish- negociatori i BE-së për Brexit është mposhtur nga loja parlamentare dhe aleanca e çuditshme mes Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon.

Dy liderët populistë, dikur pro-Putin, u bashkuan në votimin e mosbesimit dhe tani ndajnë të njëjtën kërkesë për dorëheqjen e Macron. Presidenti i shtetit duhet të pengojë që kriza politike të shndërrohet në një krizë të regjimit.

Ish-Kryeministri Gabriel Attal, tani drejtues i grupit parlamentar të macronistëve, dëshiron të ftojë të gjitha partitë, me përjashtim të lepenistëve dhe melekonistëve, për të punuar në një “pakt republikan” rreth një kryeministri neutral. “Është momenti për të lënë mënjanë ato që na ndajnë,” tha ai, duke iu drejtuar forcave të “vullnetit të mirë”. Të gjithë sytë janë te socialistët, për të parë nëse janë të gatshëm të shkëputen nga Mélenchon. Kreu i deputetëve socialistë, Boris Vallaud, ka përmendur tashmë mundësinë e mbështetjes së një qeverie të re “pa mosbesim”.

Ndër promovuesit e një qeverie të gjerë është edhe ish-Presidenti François Hollande, i rikthyer si deputet. Ndërkohë, liderja e të Gjelbërve, Marine Tondelier, i bën thirrje Macron-it të kërkojë mbështetjen e “ekologjistëve dhe së majtës për të qeverisur”. Komunistët janë të gatshëm për “bashkëpunim”.

Kjo është një mundësi që Attal, dikur pjesë e socialistëve, dëshiron ta shqyrtojë. Megjithatë, emrat që qarkullojnë në Élysée nuk vijnë nga e majta. Në listën e kandidatëve për Kryeministër favorizohen ende ministri aktual i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, dhe lideri centrist François Bayrou. Pas emërimit të një Kryeministri nga e djathta e Républicains, Presidenti është tunduar t’i japë detyrën një përfaqësuesi të bllokut qendror, edhe nëse kjo nënkupton mbylljen e dialogut me të majtën, që nga korriku vijon të denoncojë “një zgjedhje të vjedhur”.

Fronti i Ri Popullor, koalicioni i së majtës, ka marrë numrin më të madh të deputetëve, edhe pse nuk ka një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur. Macron do të përpiqet për një lëvizje të shpejtë, me shpresën për të rifituar kontrollin mbi orën politike./La Repubblica

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?