Tiranë/ Skela ra nga kati i 13-të zuri poshtë dy kalimtarë, arrestohet inxhinieri dhe 2 punëtorët e firmës së pallatit në ndërtim (EMRAT)

23 Janar, 08:47| Përditesimi: 23 Janar, 19:50

  • Share

TIRANË- Hysen Lavdari 72 vjeç ndodhet ende në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Skela u shkëput nga pallati në ndërtim dhe i ra sipër teksa ishte duke ecur në trotuar, paraditen e së hënës, 22 janar 2024, kur ndodhi incidenti i rëndë . Gruaja 38-vjeçare, Imelda Shkëmbi, gjithashtu kalimtare e rastësishme që u lëndua nga skela, ka lënë spitalin.

Policia e Tiranës vlerëson se në pallatin në ndërtim nga firma “Arlis” nuk janë respektuar rregullat e sigurimit teknik në punë. Mbi këtë argument efektivët e komisariatit numër 2 arrestuan 3 persona, të punësuar në firmën që kryente punimet për ndërtimin e këtij pallati: Zef Kalaj, inxhinier, Elton Osmanllari sipërmarrës dhe Erjon Kanto punëtor ndërtimi.

Të arrestuarit akuzohen se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë. Dy punëtorët kanë qenë ne skelë duke punuar kur u kanë rënë nga duart shufrat metalike dhe elementë të tjerë ndërtimi që ndikuan në rrëzimin e skelës. Ndërsa inxhinieri akuzohet se nuk ka ndjekur punimet dhe nuk ka monitoruar masat për mbrojtjen në punë.

Blutë e kryeqytetit sqarojnë se skela metalike ra nga kati i 13-të i pallatit në ndërtim në bulevardin “Gjergj Fishta”

Nga një vëzhgim që Report Tv kreu pranë pallatit në ndërtim, ra në sy se një tabelë e vetme që paralajmëron rrezikun nga punimet, nuk shikohet në pjesën e trotuarit ku ecnin 2 kalimtarët, pasi objekti me leje ndërtimi të miratuar në vitin 2022, është në kryqëzim.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?