Forcimi i lekut dhe dobësimi i valutave që ka vijuar edhe në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka ndikuar pozitivisht në tkurrjen edhe më tej të borxhit publik. Raporti i fundit i Ministrisë së Financave tregon se borxhi publik në fund të muajit qershor 2025 ka zbritur në 54.02% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 54.18% që ishte në mars të 2025-ës apo 54.21% në fund të vitit të shkuar.
E përkthyer në vlerë borxhi i vendit në fund të qershorit përllogaritej në 14.1 miliardë euro, nga 14.2 miliardë euro që ishte në mars të po këtij viti. Ndërsa në raport me dhjetorin e vitit 2024 borxhi publik në vlerë është rritur i ndikuar nga marrja e eurobondit prej 650 milionë euro në shkurt të këtij viti.
Bazuar në këtë raport, duket se rënia e borxhit në raport me prodhimin kombëtar ka ardhur kryesisht prej zhvlerësimit të valutave, pasi borxhi i jashtëm që merret në monedhë të huaj është ulur me 0.83% nga tremujori i parë në tremujorin e dytë të vitit. Ndërsa borxhi i brendshëm që merret në Lekë, është në rritje prej 0.67%.
Në vlerë, borxhi i jashtëm ka zbritur nga 6.5 miliardë euro në fund të marsit në 6.2 miliardë euro në qershor. Kurse borxhi i brendshëm është rritur nga 7.7 miliardë euro në 7.8 miliardë euro.
Zhvlerësimi i valutave dhe kryesisht i euros e ka bërë më të lirë borxhin e huaj, për shkak se këstet e shlyerjes së tij kanë qenë më të ulta. Por ndikim në reduktimin e borxhit të jashtëm mund të ketë dhënë edhe pagimi i huave të shkuara, me eurobondin e marrë në nisje të vitit.
Ndërsa Ministri i Financave thotë se rënia e borxhit tregon për një politikë të kujdesshme fiskale, si dhe për një mirëmenaxhim të portofolit në tërësi. Borxhi publik i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht për mbështetje buxhetore, për sektorin e transportit, energjisë elektrike dhe për ujësjellës kanalizime.
Komente
