Sociale

Rënie dramatike e sipërfaqes së mbjellë me grurë në fushat e Myzeqesë! Këtë vit 5500 ha më pak se në 2024! Fermerët: S'kemi leverdi, gruri shitet lirë

5 Mars, 17:06| Përditesimi: 5 Mars, 17:59

  • Share

Kultura e grurit ka qenë kryesorja ndër dekada në fushat e Myzeqesë por sot po shkon drejt zhdukjes. Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Bujqësisë në Lushnje, Report TV mëson se për vitin bujqësor 2023- 2024 në zonën e Myzeqesë nga lumi Shkumbin e deri në lumin Seman u mbollën rreth 8000 hektarë. Ndërsa për vitin 2024 - 2025 sipërfaqja është tkurrur në 2500 hektarë.

Report TV kreu një vëzhgim në Gradishtë e Grabjan të Divjakës dhe në Dushk të Lushnjes, ku takuan fermerët që plehërojnë grurin.

“Këtë sezon kam mbjellë grurë sa për konsum familjar! Nuk mbjell më për tregti se vjet dola me humbje. Tokat ja shikoi s’po i punon më njeri. Vjet ra gruri me 2100 lek për kuintal. Nuk mora as lekët që hodha për farën, plugimin e pesticidet”, tha fermeri Brahim Malo.

Tre janë arsyet kryesore të uljes së sipërfaqes së mbjellë me grurë: Rënia e çmimit të shitjes, kosto e lartë e prodhimit dhe  mungesa e suvencioneve për shkaqe burokratike. Përpos vendasve në zonën e Myzeqesë ka fermerë që prej vitesh marrin toka me qira por tashmë i kanë lënë djerrë, pasi në tre vitet e fundit kanë dalë me humbje.

Xhuljeta Lamce është njëra prej tyre. Ajo tregon se ka marrë 10 hektarë tokë me qira, të cilat deri vjet i kishte kultivuar me grurë, ndërsa këtë vit e ka përgjysmuar sipërfaqen sepse gruri i vitit të shkuar mbeti stok në magazinë. Sot fermerja gjendet në vështirësi sepse nuk paguan dot këstet e kredisë.

Në këtë situatë, nevojitet ndërhyrja e specialistëve të bujqësisë pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnje për të orientuar fermerët drejt alternativave të reja, pasi zona më bujqësore e vendit po pushtohet nga kashtat.

R.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 06/03/2025 02:10

    Pse nuk beni whisky me grure te fermentuar?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?